FAKT / Krimi përgjak Shqipërinë, në 8 muaj 42 atentate dhe sulme me armë, 24 të ekzekutuar, 23 të plagosur
Shkruan Elkier Bushkolaj
Ekzekutimet me pagesë të tipit mafioz, atentatet me tritol dhe shkëmbimi i zjarrit në zona të banuara kanë qenë kryefjalë e zhvillimeve të aktualitetit përgjatë këtyre 8 muajve të 2022, ku janë regjistruar 42 atentate dhe sulme me armë me një bilanc tragjik prej 24 të vdekurish dhe 23 të plagosurish.
Ndër ngjarjet me të rënda janë vrasja e trefishtë në Fushë Krujë mesditën e 17 korrikut, ku u ekzekutuan Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklent Vata, ekzekutimi i dyfishtë në Vlorë paraditen e 18 gushtit ku vranë Shpati Lena dhe Hakim Xhezo, vrasja e efektivit të policisë Çaush Saliasi nga kolegu i tij brenda në Komisariat dhe ekzekutimi me tritol në Tiranë i 27 vjeçarit, Aleksandër Sadikaj mesditën e 11 qershorit.
Asnjë prej atentateve mafioze nuk është zbardhuar, nuk janë ndaluar as ekzekutorët as porositësit.
Shifrat tregojnë se Policia e Shtetit e ka humbur betejën me krimin por edhe besimin e qytetarëve teksa rezulton e infektuar nga krimi pasi në 6 muajt e parë të vitit 2022 në pranga kanë rënë 23 punonjës policie, ndërkohë 188 police janë nën hetim.
Shoqëria shqiptare duket e dorëzuar përballë pasojave të krimit, diplomatët e huaj në vendin tonë kanë zgjedhur heshtjen, ndërkohë media mbetet i vetmi oaz ku ky fenomen denoncohet.
SKEDA E NGJARJEVE TË RËNDA KRIMINALE PËR PERIUDHËN JANAR –GUSHT 2022
Sagën e ngjarjeve kriminale për vitin 2022 do ta hapte atentati me armë zjarri ndaj 34 vjeçarit Kastriot Piroli, në Shkodër, mbrëmjen e 4 janarit. Piroli mbeti i plagosur rëndë, teksa dyshimet lidhen me një vrasje të kryer në Mal të zi nga Piroli. Autorët nuk u identifikuan dhe hetimet vijojnë ende.
Në 5 Janar në zonën e “Don Boskos” në Tiranë vritet Edmond Crroj dhe mbetën të plagosur edhe 4 të tjerë. Autorët hapën zjarr nga një automjet, teksa Crroj dhe shokët e tij po konsumonin kafe në një lokal. Ngjarja për pak u shndërrua në një masakër.
Po në datën 5 Janar 2022 në Vlorës do të plagosej me armë zjarri 36 vjeçari, Diego Hanaj. Në drejtim të tij u qëllua pesë herë, autorët u larguan më një Audi që u gjet i djegur në fshatin Trevllazër të Vlorës.
Gentian Bejtja dhe Klodjan Stafuka në 10 janar të 2022 do të mbeteshin të plagosur në një atentat mafioz në zonën e Fushë Krujës.
Në 24 janar, kanuni do na kujtonte edhe njëherë se në verilindje do të zbatohej, teksa një 17 vjeçar do të vrasë për gjakmarrje Leke Lekëgjonajn, në Lezhë. Dy familjet mirditore Lekgjonaj dhe Përvathi ishin prej 20 vitesh në Hasmëri.
Në datën 19 shkurt do të gjendej i vrarë në banesën e tij në Vlorë, Altin Alikaj. Shkak dyshohet pjesëmarrja e tij në veprimtari të paligjshme, ndërkohë ky krim është ende pa autor.
Në datën 5 mars Romeo Meçaj, 33 vjeç, do të mbetej i plagosur rëndë në një atentat mafioz pranë stadiumit “Flamurtari” në Vlorë. Autorët qëlluan nga një mjet në lëvizje, teksa 33 vjeçari i mbijetoi plagëve të marra.
Biznesmeni Aleksandër Deda i njohur në Lezhë si Leksi i Druve, në datën 8 mars do të binte pre e një atentati me armë zjarri. Autorët në pamundësi për t’ju afruar e kanë vendosur pistoletën në një dron, teksa Deda mbeti i plagosur. Biznesmeni Deda edhe me herët kishte rene pre e një atentati.
Në datën 9 mars në Shkodër do të plagosej shtetasi Admir Bajri, në zonën e Dobraçit, autorët u larguan në drejtim të paditur.
Në Papër të Elbasanit mbrëmjen e 28 marsit do të binte pre e një atentati Nuredin Dumani, i cili mbeti i plagosur. Ai u largua nga vendngjarja dhe shkoi në Fier, ku vendosi të telefononte policinë për të dorëzuar. Dumani vendosi të flasë para SPAK dhe të rrëfejë krimet që kanë tronditur vendin dekadën e fundit, ku hodhi dritë mbi ekzekutime mafioze në Elbasan, Durrës, Tiranë Shkodër e Belgjike.
1 Prill 2022 Administratori i Kallmetit në Lezhë, Besnik Simoni do të përfshihej në një far test afër komunës me shtetasin Altin Marku. Simoni do mbetej i plagosur rëndë, ashtu si dhe Altin Marku, por ata kanë vendosur të heshtin për motivet e përplasjes me armë.
4 Prill 2022 një ekzekutim mafioz do të trondiste Tiranën, kur ekzekutorët me pagesë kryen vrasjen e biznesmenit Iljaz Cali në autostratën Tiranë Durrës. Autorët u larguan pa lënë gjurmë, teksa Cali me herët kishte qenë i arrestuar për Kultivim Kanabisi. Konfliktet e biznesmenit të kromit janë pista ku po punohet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
12 prill 2022 do të ekzekutohej në një atentat tipik mafioz në Shkodër Nazmi Bandula. Ky person ishte një emër i njohur për blutë e Shkodrës. Bandula ndodhej në një lokal afër banesës kur u qëllua me breshëri automatiku nga autorët që u larguan me një Benz.
16 Prill 2022 Orlando Papleka, djali i një oficeri policie do binte pre e një sulmi me armë në Shijak. Fatmirësisht i shpëtoi plumbave.
19 Prill 2022 në Shkodër do të plagosej shtetasi Edi Reçaj në zonën e Perashit në Shkodër. Mister mbetën rrethanat e kësaj ngjarje, teksa dyshimet janë se ai u plagos nga një i njohur i tij.
Në 22 prill në Lushnjë do të plagosej me armë zjarri shtetasi Kujtim Mema. Ai po qëndronte në lokal kur autorët hapën zjarr ndaj tij. Mema u dërgua në spital.
Po në datën 22 prill 2022 do të shënohej plagosje me armë zjarri në Kukës,ku mbetet i plagosur një person pas një konflikti për çështje pronësie.
Në 29 prill 2022 Junxhino Aliaj djali i kryeplakut të Kaninës do të përfshihej në një shkëmbim zjarri me një efektiv policie. Aliaj u shpreh se qëlloi për vetëmbrojte, teksa nga shkëmbimi i zjarrit u rrezikua jeta e qytetarëve në Lungomare të Vlorës.
Në 8 maj 2022, krimi do shënonte viktimës e radhës në Tiranë, ku shtetasi Ilir Kapo vritet me thikë nga shtetasi Olgert Dhimitri. Vrasja ndodhi në një lokal në zonën pranë “Harry Fult”z në prani të shumë qytetarëve.
Në datën 17 maj i rij Blerim Preçi i sapo kthyer nga jashtë vendit do të binte pre e një atentati me armë zjarri në aksin Milot Lezhë. Autorët qëlluan nga një automjet në lëvizje, por Preçi dhe shoku i tij i shpëtuan breshërisë së plumbave.
Ardit Kërtusha, ish-kandidat për Kryetar te Partisë Socialiste në Durrës, një zë i fortë që denoncoi aferat ne kupolën e PS në Durrës u plagos me armë zjarri në zonën e Currilave mesditën e datës 16 maj.
Durrësi nuk do të gjente qetësi, pasi mbrëmjen e datës 18 maj në zonën e Sukthit do të vritej në një atentat mafioz pranë biznesit të tij shtetasi Arben Mërkuri. Krimi u krye nga ekzekutorë me pagesë, që mundën të largohen pa lënë gjurmë nga vendi i ngjarjes. Mërkuri ishte shok i Landi Muharemit.
Kur krimi ndaloi vrasjet, u kujdes policia të mos prishte bilancin negativ, teksa mbrëmjen e 23 majit do të vritej në ambientet e Komisariatit numër 3 në Tiranë efektivi i Policisë Shtetit, Çaush Saliasi. Autor i vrasjes ishte kolegu i tij Ludjan Zaimi, teksa plumbat rrezikuan jo pak edhe efektivët e tjerë.
Po në datën 23 maj, efektivi i policisë Lutfi Gjyli do të plagoste me armë zjarri qytetarin Myrteza Lika në Tiranë. Lika përfundoi i plagosur tek Trauma, ndërhyrja e mjekëve i shpëtoi jetën.
Mëngjesin e 3 qershorit një atentat mafioz do të trondiste Shkodrën, ku i vdekur do të mbetej Naim Bajri dhe i plagosur shoku i tij Astrit Zeneli. Bajri dhe Zeneli po konsumonin kafe në lokal në zonën e rusit, kur ndaj tyre u shkarkua breshëri automatiku. Bajrit vite me parë i kanë ekzekutuar edhe djalin e tij.
Në datën 6 qershor, shtetasi Blerim Selaci do të plagoste me armë zjarri shtetasin Lutfi Kupa në Krujë.
Sherri për pronat në bregdet do të rezultonte fatal për shtetasin Kledi Koka 43 vjeç nga Saranda, i cili në datën 7 qershor u vra me armë zjarri nga Jorgo Golemaj.
Në 8 qershor Marklen Haka, do binte pre e një atentati mafioz në Fushë Krujë. Autori qëlloi disa herë në drejtim të tij duke e lënë të plagosur rëndë. Haka u transportua tek Spitali i Traumës.
Mëngjesin e datës 11 qershor do të gjendet i vrarë me thikë në Fier Petraq Gjika. Autori e ka vrarë në vendin e punës, ndërsa mister mbeten motivet e këtij krimi.
Mesditën e 11 qershorit 2022 Tirana do të tronditet nga atentati me tritol ndaj 27 vjeçarit Aleksandër Sadikaj. Mjeti të cilit i ishin vendosur rreth 500 gram C4 shpërtheu në afërsi të TEG-ut. Sadikaj mbeti i plagosur rëndë dhe humbi jetën në spital pas plagëve të marra.
14 Qershor 2022 shtetasi Pjerin Bushtulli do të binte pre e një atentati mafioz në Velipojë. Bushtulli do të qëllohej disa herë me armë zjarri, teksa përfundoi I plagosur në spital. Atentati dyshohet për gjakmarrje
15 Qershor 2022, 75 vjeçari Lulash Qepuri do të ekzekutohej në një atentat mafioz në ambientet e lokalit të tij në fshatin Stom Golem, të Shkodrës. Qepuri rezultoi me precedent të mëparshëm penale.
Në 16 qershor, gjendet ne rezervuarin e Kolanecit trupi i pajete i 26 vjeçarit, Martin Çeço. Ai ishte vrarë duke e mbytur me litar nga shtetasit Bleti Angjo, Valter Mollaj dhe Edlir Mollaj
17 Qershor 2022 shtetasi Arben Bekteshi ka rënë prej e një sulmi me armë zjarri në Elbasan, ku ndaj tij u qëllua 7 herë me pistoletë. Bekteshi u shpëtoi plumbave, policia shpalli në kërkim Ermal Matishin.
17 Korrik 2022 në atë që cilësohet si masakra e Fushë Krujës, do të vritet Brilant Martinaj dhe shoket e tij Diklen Vata dhe Besmir Hoxha. Ata u qëlluan nga ekzekutorë më pagesë në Urën e Fushë Krujës. Autorët dogjën automjetin në fshatrat Fushë Krujës. Ngjarja i ngjasonte një akti terrorist.
22 Korrik 2022 në një atentat mafioz në Milot do të vritet i riu Kristian Preçi, ndërsa breshëria e plumbave do të linte të plagosur Ylli Ibrahimin. Këta personazhe më herët kanë rënë pre e atentateve mafioze në Milot.
9 Gusht 2022 Në Korçë vritet me thike Nesti Sotiri, nga Velo Hazisllari
10 Gusht 2022 në Krujë Klodjan Keqi ka vrarë fqinjin, e identifikuar si Luan Hushi, me kallashnikov
17 Gusht 2022 Madrit Ulqinaku 25 vjeç ka mbetur i vrarë në Elbasan. Ai u qellua pas një konflikti të çastit ne zonën pranë stadiumit Elbasan Arena. Sipas raportimeve, Ulqinaku nuk kishte një të shkuar kriminale.
17 Gusht 2022 Klodian Bakia do të vritet në Sarande pas sherrit për parkimin e një automjeti nga 24 vjeçari Kurbinas, Xhenelo Tarja, i cili punonte si kamerier ne Sarandë.
18 Gusht në një atentat tipik mafioz në Vlorë do të vriten Shpati Lena dhe Eduart Xhezo, të dy persona me precedentë penale.
Rruga Press