Nga celularët te braktisja e mësimit, zbardhet dokumenti me rregullat e reja për shkollat 9-vjeçare e të mesme
Të gjitha udhëzimet e deritanishme në fuqi, nga ndalimi i përdorimit të telefonave celularë në shkolla e deri te masat për kufizimin e braktisjes së shkollës janë përmbledhur në një paketë të vetme.
Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit në bashkëpunim me atë të Financave që menaxhon arsimin profesional kanë hartuar një udhëzim të përbashkët për veprimtarinë në shkolla, të cilat duhet t’i zbatojnë të gjitha institucionet e arsimit 9-vjeçar e të mesëm përgjatë 2022-2023.
RREGULLAT
Ndonëse ka katër vjet që përdorimi i celularëve është bërë i ndaluar, qoftë nga nxënës edhe mësues në ambientet e brendshme, shkollat rikujtohen për përgjegjësinë që duhet të mbajnë dhe masat që duhet të marrin për zbatimin e dy urdhrave të posaçme, hartuar për këtë qëllim, atij nr. 493 “Për mospërdorimin e telefonit celular gjatë procesit mësimor në shkolla” dhe udhëzimit nr.34 “Për ndalimin e telefonit celular në institucionet arsimore parauniversitare”. Udhëzimi i ri shkon më tej, duke detyruar shkollat të pasqyrojnë në rregulloren e brendshme masat ndëshkuese për ata që shkelin urdhrin.
Për reduktimin e braktisjes shkollore, Ministria e Arsimit kërkohet të bashkëpunojë ngushtë me atë të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për identifikimin dhe regjistrimin në shkollë të të gjithë fëmijëve që janë në moshë për shkollë.
Ndërsa vetë shkollat ngarkohen me përgjegjësinë e monitorimit të nxënësve braktisës apo potencial për braktisje si komunikimin me njësitë e posaçme që merren me fëmijët në situatë rruge.
Një tjetër pikë e rëndësishme është shërbimi psikosocial, i cili duhet të jetë në funksion në çdo shkollë, duke harruar që ka të tilla kunë disa periudha të vitit mezi shkelin nxënës e mësues, e jo më psikologë e sociologë. Dokumenti ngarkon me përgjegjësi zyrat arsimore e drejtoritë rajonale për monitorimin e kësaj çështjeje për të cilën duhet të raportojnë dy herë në vit, në muajt janar e qershor.
Masa shtesë duhet të marrin shkollat për parandalimin e dhunës, përmes hartimit të një kalendari aktivitetesh ndërgjegjësuese, ngritjes së një këndi “Stop dhunës në shkollë”, si dhe monitorimit të komisioneve të disiplinës dhe komisioneve të etikës që merret me trajtimin e rasteve specifike në ambientet e institucioneve arsimore.
Për bullizimin gjithashtu urdhërohet ngritja e ekipeve “antibulling” në çdo shkollë si dhe hartimi i planeve konkrete për parandalimin dhe luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm.
ARSIMI BAZË
Krijimi i një mjedisi miqësor, të sigurt dhe gjithëpërfshirës është fokusi i MAS-it në arsimin bazë që përfshin klasat I-V.
Po ashtu, trekëndëshi staf-komunitetprind shikohet kyç në krijimin e një modeli të ri të sjelljes së fëmijëve jo vetëm në ambientet e shkollës, por dhe jashtë saj.
Zbatimi i planeve mësimore sipas kurrikulave të mirëpërcaktuara është një detyrë parësore që duhet të ndiqet nga drejtoritë e shkollave që krahas saj duhet të kujdesen edhe për veprimtari të veçanta që promovojnë dashurinë për mjedisin, trashëgiminë kulturore e artistike.
Shtresat në nevojë, romët, egjiptianët, fëmijët me aftësi të kufizuar, të kthyer nga emigracioni apo viktima të mundshme të trafikimit duhet të shikohen me prioritet, sugjerohet në udhëzim. Një nismë me rëndësi e pilotuar që prej 2018-s “Bëjmë detyrat e shtëpisë” duhet të monitorohet dhe raportohet për të çdo tre muaj.
ARSIMI I MESËM I LARTË
Për këtë cikël mësimor, nga klasa VI-IX, kërkohet diçka më shumë se arsimi bazë. Ngritja dhe funksionimi i komisioneve multidisiplinore për fëmijët me aftësi ndryshe, zbatimi i programit “e-twinning”, “Erasmus+” e të tjera.
Gjithashtu, seksionet dygjuhëshe dhe memorandumet e mirëkuptimit, sipas udhëzimit, duhet të konsiderohen në veçanti. Privatët duhet të mbahen në korrent mbi urdhrat/udhëzimet e reja që dalin, vlerësimi i kritereve të licencimit dhe ushtrimit të veprimtarisë si dhe sistemimi i nxënësve në rast mbylljeje të shkollës.
Ndërsa këta të fundit duhet të raportojnë vazhdimisht pranë zyrave vendore, numrin e nxënësve, listën e mësuesve dhe çdo lloj statistike të miratuar.
Rruga Press