Programi bërthamor iranian, Teherani i kthen përgjigje BE-së
Në Bruksel ka një optimizëm të moderuar pas mbërritjes së përgjigjes Iraniane për ripërtëritjen e marrëveshjes ndërkombëtare mbi programin e kontestuar bërthamor. Komisioni Evropian po e studion përgjigjen me ngadalë, por me vëmendje.
“Mundem vetëm të konfirmoj se e kemi marrë përgjigjen e palës iraniane. Për momentin, ne po e studiojmë atë dhe po konsultohemi me aleatët tanë, si Shtetet e Bashkuara, për të ecur përpara”, thotw Nabila Massrali, zëdhënëse e Komisionit Evropian.
Fryt i negociatave disavjeçare, akordi ndërkombëtar mbi programin bërthamor iranian synonte të ulte frikën e Perëndimit se Republika Islamike do ta përdorte atë si mbulim për prodhimin e armëve me fuqi atomike.
Pakti hyri në fuqi në 2015-n, por u hodh poshtë 3 vjet më vonë kur administrata Trump vendosi të tërhiqej në mënyrë të njëanshme dhe të rivendoste sanksionet ndaj Teheranit, që reagoi duke përshpejtuar programin.
Ardhja e Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë i hapi dyert rikthimit të marrëveshjes. Në 16 muajt e fundit, Gjermania, Franca, Britania, Rusia, Kina dhe në mënyrë indirekte Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të negociojnë me Iranin, por deri tani pa arritur sukses.
Gjatë kësaj kohe, kapacitetet e Republikës Islamike për të pasuruar uranium, materiali i duhur për prodhimin e armëve atomike, janë shumëfishuar.
Rruga Press