Kur trajneri pyet tifozin: kë të fusë në lojë?
Një tifoz në tribunat e vendosura prapa stolit të Argentinos Juniors i bërtiti trajnerit Gabriel Milito për të futur një mesfushor për të ndihmuar ekipin; trajneri e dëgjoi.
Një trajner argjentinas theu rregullin e pashkruar se për lojtarët apo skemën në fushë vendos ai e jo tifozeria.
Trajneri i Argentinos Juniors në Ligën e Parë vendase, Gabriel Milito, gjatë një përballje me Unions, futi në fushë një mesfushor me kërkesë të një tifozi.
Bëhet fjalë për një tifoz i moshuar në tribunë, i ndodhur pas stolit, i cili i bërtiti Militos duke i thënë që të fuste një mesfushor në lojë dhe të ndihmonte në këtë mënyrë skuadrën.
Milito, një ish-mbrojtës i Barcelonës, u kthye nga tribuna dhe i tha tifozit: “Kë, kë duhet të sjell?”, sipas një video të stacionit televiziv argjentinas TyC Sports.
Milito priti që tifozi t’i tregonte emrin e futbollistit që donte të shihte në fushë dhe i bëri shenjë me duar, por zotëria i moshuar vetëm bërtiti: “Mesfushor, mesfushor”.
Trajneri ngriti gishtin e madh në ajër dhe i bëri shenjë tifozit se do të zbatonte kërkesën e tij Dhe pastaj e bëri këtë.
Tifozi u ngrit në këmbë dhe duartrokiti trajnerin, më pas iu drejtua tifozëve të tjerë rreth tij, duke u treguar se falë tij do të hynte në fushë një lojtar i ri.
Në konferencën për shtyp, gazetarët e pyetën Militon se pse e bëri këtë dhe ai u përgjigj:
“Ne jetojmë në një demokraci. Në liri të plotë. Ai më kërkoi me këmbëngulje të fusja një mesfushor dhe unë iu përgjigja. Kështu u ndjemë të gjithë si protagonistë. Të gjithë morëm pjesë në ndërtimin e lojës”, u përgjigj Milito duke qeshur.
Në fund, Argentinos Juniors fitoi 2:0 dhe pas 13 javëve renditet në vendin e katërt në kampionatin argjentinas. Unions renditet i dhjeti.
Rruga Press