Raste të përsëritura, Arjan Tase jo i vetmi polic që vrau
Arjan Tase nuk është i vetmi polic që vret apo dhunon një qytetar. Vitet e fundit kanë qenë disa rastet ku në pranga është vënë vetë efektivi i policisë, pasi në vend të ndalojë krimin, e ka kryer vetë atë.
Në verën e shkuar u dënua me 10 vjet burg Nevaldo Hajdaraj, polici që në 8 dhjetor 2020 vrau Klodian Rashën.
I riu po kthehej në shtëpi përtej orës policiore dhe Hajdaraj e qëlloi pas shpine. Rruga në Laprakë ku ndodhi ngjarja mban emrin e Klodian Rashës, për të cilin pati disa protesta si dhe solli dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Në 14 dhjetor 2021 polici i Dibrës, Arbër Sula vrau në një supermarket në kryeqytet, 29-vjecarin Jurgen Duka. Vrasja ndodhi me armën e shërbimit dhe 2 të rinjtë u konfliktuan se kush paguante i pari në kasë. Arbër Sula u vetëdorëzua 3 muaj më pas.
Një tjetër vrasje me armën e shërbimit ndodhi në 23 maj brenda komisariatit nr.3 në kryeqytet.
Polici 25-vjeçar Ludian Zaimi vrau kolegun e tij 30 vjet më të madh, Çaush Saliasi, i cili pretendonte se e bullizonte. Pak muaj më pas protagonist i lajmeve të kronikës së zezë u bë një tjetër efektiv, Arjan Tase, të cilit në skafin që vrau 7-vjeçaren, iu gjet dhe arma e shërbimit.
Rruga Press