Bislimi reagon ndaj lajmeve në mediat serbe: Beogradi po i financon për të përhapur panik
Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka reaguar lidhur me lajmet që po qarkullojnë në mediat serbe se “shqiptarët po përgatisin ferr në Kosovë e Metohi”.
Mediat në Serbi kanë cituar ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Selakoviq, të ketë thënë se “pala shqiptare e Kosovës dhe Metohisë fjalë për fjalë është duke përgatitur ferrin në ditët në vijim”.
E në reagimin e tij, Bislimi ka thënë se artikuj të tillë që financohen nga qeveria, janë shembulli tipik se si mediat përdoren në mënyrë të paturpshme për të përhapur panikun.
“Mbiprodhimi i artikujve të tillë të sponsorizuar nga qeveria si ky në mediat serbe, është një ilustrim i përsosur i frikësimit si strategji kryesore e qeverisë në shfrytëzimin e paturpshëm mediatik për përhapjen e panikut dhe promovimin e ‘akteve heroike’ të udhëheqjes shtetërore”, ka shkruar ai në Twitter.
Kjo pasi Qeveria e Kosovës më 29 qershor të këtij viti, ka miratuar vendimin për të mundësuar regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”.
Po ashtu, qytetarët e Serbisë që hynë në Kosovë do të pajisjen me një dokument për hyrje-dalje në të të gjitha pikat kufitare, një masë të ngjashme të cilën tash e sa vjet e aplikon Serbia ndaj qytetarëve të Kosovës.
Rruga Press