Masat që qyteti gjerman po ndërmerr për reduktimin e furnizimit me gaz
Kriza pas reduktimit të furnizimit me gaz rus, qyteti i madh gjerman nis kufizimet e para! Dushe të ftohta për qytetarët, mbyllen shatërvanët dhe …
Qyteti gjerman i Hanoverit ka fikur ngrohjen dhe ka nisur përdorimin e dusheve të ftohta në të gjitha ndërtesat publike për shkak të krizës së gazit rus.
Hanover është qyteti i parë i madh që mbyll ujin e nxehtë pasi Rusia uli në mënyrë dramatike furnizimin me gaz të Gjermanisë.
Gjermanët janë paralajmëruar se do përballen me masa gjithëpërfshirëse për reduktimin e gazit dhe tarifa shtesë në faturat e tyre të energjisë.
Ndërsa Bashkimi Europian ka rënë dakord të ulë kërkesën për gazin rus këtë dimër me 15%.
Në përpjekje për të kursyer energji, qyteti verior i Gjermanisë, Hanover, ka vendosur që uji i nxehtë të mos jetë më i disponueshëm për larjen e duarve në ndërtesat publike, ose në dushe në pishina, salla sportive dhe palestra.
Shatërvanet publike po fiken gjithashtu për të kursyer energji dhe nuk do të ketë drita gjatë natës në ndërtesat kryesore si bashkia dhe muzetë.
Kryebashkiaku Belit Onay tha se qëllimi ishte ulja e konsumit të energjisë së qytetit me 15% si reagim ndaj një “mungese të menjëhershme të gazit” që përbën një sfidë të rëndësishme për qytetet e mëdha.
Rregullat zbatohen edhe për ngrohjen. Ndërtesat publike nuk do të kenë ngrohje nga prilli deri në fund të shtatorit të çdo viti, me temperaturat e dhomës të kufizuara në maksimum 20C për pjesën tjetër të vitit, me disa përjashtime.
Masat vijnë në përputhje me njoftimet nga Berlini javën e kaluar, ndërsa Gjermania garon për të krijuar rezervat e saj përpara dimrit.
Qytete të tjera si Augsburg në Bavari kanë prezantuar tashmë masat e tyre si mbyllja e shatërvaneve publike.
Objektivi i reduktimit prej 15% në Hanover përputhet me objektivin e BE-së për të reduktuar varësinë nga gazi rus.
“Nuk mund të themi ende se sa do të kushtojë gazi në nëntor, por lajmi i hidhur është se janë padyshim disa qindra euro për familje”, tha ministri i Ekonomisë, Robert Habeck.
Gjermania është mbështetur prej kohësh në gazin rus për nevojat e saj energjetike, por kohët e fundit ka akuzuar Rusinë për kufizimin e gazit si shenjë hakmarrjeje për sanksionet e BE-së për luftën në Ukrainë, diçka që Rusia e mohon.
Rruga Press