Pse vizita e Pelosit në Tajvan po alarmon Ushtrinë amerikane?
Zyrtarët i thanë “Associated Pressit” se nëse Pelosi shkon në Tajvan – ende e pasigurt – ushtria do ta rrisë lëvizjen e forcave dhe aseteve në rajonin Indo-Paqësor. Ata nuk pranuan të japin detaje, por thanë se avionët luftarakë, anijet, mjetet e mbikëqyrjes dhe sistemet e tjera ushtarake, ka të ngjarë të përdoren për të siguruar unaza të mbivendosura të mbrojtjes për fluturimin e saj në Tajvan dhe në çdo kohë në terren atje
Zyrtarët amerikanë thonë se kanë pak frikë se Kina do ta sulmojë avionin e Nancy Pelosit, nëse ajo fluturon për në Tajvan. Por, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së do të hynte në një nga pikat më të nxehta të botës, ku një gabim ose keqkuptim mund ta rrezikonte sigurinë e saj. Pra, Pentagoni po zhvillon plane për çdo rast.
Zyrtarët i thanë “Associated Pressit” se nëse Pelosi shkon në Tajvan – ende e pasigurt – ushtria do ta rrisë lëvizjen e forcave dhe aseteve në rajonin Indo-Paqësor. Ata nuk pranuan të japin detaje, por thanë se avionët luftarakë, anijet, mjetet e mbikëqyrjes dhe sistemet e tjera ushtarake ka të ngjarë të përdoren për të siguruar unaza të mbivendosura të mbrojtjes për fluturimin e saj në Tajvan dhe në çdo kohë në terren atje.
Çdo udhëtim jashtë vendit i një udhëheqës të lartë amerikan kërkon siguri shtesë. Por zyrtarët thanë këtë javë se një vizitë në Tajvan nga Pelosi – ajo do të ishte zyrtarja më e lartë e zgjedhur në SHBA që do të vizitonte Tajvanin që nga viti 1997 – do të shkonte përtej masave të zakonshme të sigurisë, për udhëtimet në destinacione më pak të rrezikshme.
I pyetur në lidhje me hapat e planifikuar ushtarakë për ta mbrojtur Pelosin, demokrate nga Kalifornia, në rast të një vizite, gjenerali Mark Milley, shef i Shefave të Përbashkët të Shtabit, tha të mërkurën se diskutimi për ndonjë udhëtim specifik është i parakohshëm. Por, shtoi ai, “nëse merret një vendim, që kryeparlamentarja Pelosi ose dikush tjetër të udhëtojë dhe kërkohet mbështetje ushtarake, ne do të bëjmë atë, që është e nevojshme për të siguruar zhvillim të sigurt, të vizitës së tyre. Dhe unë do ta lë me kaq”.
Pelosi do të ishte ligjvënësja amerikane e rangut më të lartë, që do ta vizitonte aleatin e ngushtë të SHBA-së, që kur një paraardhës si kryetar, republikani Newt Gingrich, udhëtoi atje 25 vjet më parë.
Kina e konsideron Tajvanin vetëqeverisës në territor të saj dhe ka ngritur mundësinë e aneksimit me forcë. SHBA-ja mban marrëdhënie joformale dhe lidhje mbrojtëse me Tajvanin edhe pse e njeh Pekinin si qeveri të Kinës.
Udhëtimi po konsiderohet në një kohë kur Kina ka përshkallëzuar, ato që SHBA dhe aleatët e saj në Paqësor, i përshkruajnë si konfrontime të rrezikshme, kokë më kokë me ushtritë e tjera për t’i pohuar pretendimet e saj gjithëpërfshirëse territoriale. Incidentet kanë përfshirë fluturime të rrezikshme të afërta, që detyrojnë pilotët e tjerë të devijojnë për t’i shmangur përplasjet, ose ngacmimet ose pengimin e ekuipazheve të ajrit dhe anijeve, duke i përfshirë me lazer verbues ose me topa uji.
Dhjetëra manovra të tilla janë mbajtur vetëm këtë vit, tha Ely Ratner, ndihmës sekretar i Mbrojtjes i SHBA-së, të martën në një forum të Detit të Kinës Jugore nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. Kina mohon incidentet.
Zyrtarët amerikanë, të cilët folën në kushte anonimiteti për të diskutuar çështje të ndjeshme, të sigurisë, përshkruan nevojën për të krijuar zona tampon rreth Pelosit dhe aeroplanit të saj. Shtetet e Bashkuara tashmë kanë forca të konsiderueshme, të përhapura në të gjithë rajonin, kështu që çdo siguri e shtuar mund të trajtohet kryesisht nga asetet tashmë të vendosura.
Ushtria gjithashtu duhet të jetë e përgatitur për çdo incident – qoftë edhe një aksident në ajër ose në tokë. Ata thanë se SHBA-ja, do të duhej të kishte aftësi shpëtimi afër dhe sugjeruan që mund të përfshinin helikopterë në anije tashmë në zonë.
Rruga Press