Opinion/Aktualitet

Shqiptarët e Maqedonisë kanë vetëm dy elita, atë të ‘tenderbegëve’ dhe të ‘hajdutokratëve’!

Nga Kim Mehmeti

Më lejoni pak jetërrëfim: në vitet e fillimeve të mia krijuese, pra në vitet kur – për shkak të rrethanave jetësore dhe shkollimit në gjuhët sllave – ende shkruaja kryesisht në gjuhën e atëhershme serbo-kroate dhe në atë maqedonase, disa miq dhe qarqe maqedonase, bënin çmos që të më ndihmonin të çaja rrugën drejt afirmimit tim, ndërkaq individ dhe qarqe mediatike shqiptare, bënin çmos që të më pengonin e të dëshmonin se kishte ardhur edhe një i dyshimtë nga i cili duhej mbrojtur shqiptaria.

Nuk m’u desh shumë kohë që ta kuptoja se qarqet maqedonase e dëshironin afirmimin tim shkaku i strategjisë së tyre që ta ‘forconin’ një të vetëm për t’i eliminuar dhjetëra krijues tjerë shqiptarë, e ndërkaq, qarqet dhe individët shqiptarë, e luftonin konkurrentin e tyre dhe poltronin e ardhshëm në mua, e që do mund t’i zëvendësonte ata nëpër organizatat, komisionet, këshillat, institucionet maqedonase…, aty ku dekada me radhë ata kishin mbijetuar, edhe atë duke mos qenë asgjë më shumë se sa ‘evet efendilerë’.

Pra e kuptova se qarqeve maqedonase u nevojitesha shkaku se, si shkrimtar dygjuhësorë, isha shumë i përshtatshëm për të shërbyer si pjesë e buqetës së rrejshme për barazinë ndëretnike në Maqedoni, ndërkaq për ‘intelektualët’ shqiptarë isha i rrezikshëm pse do mund të bëhesha një lëpirës më shumë në ‘sofrën’ ku ata i lëpinin ato pak eshtra që ua hidhnin qarqet maqedonase.

Dhe ta kuptosh këtë e të vazhdosh tutje sikur nuk din e nuk sheh gjë, do të thotë se trurin e ke të cekët e xhepin të thellë dhe se nuk të pengon kur dëgjon si ta shajnë nënën shqiptare ata që brohorasin ‘Vdekje shqiptarëve’ edhe kur i rreh serbi edhe kur i shan greku.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Andaj, jo që të më pëlqejnë shqiptarët, por ngaqë si i tillë më pëlqente vetvetja dhe, jo si qëndrim ndaj popullit dhe gjuhës maqedonase, por ndaj elitave antishqiptare të këtij populli, në vitin 2001, publikisht e thash se nuk do botoj më në maqedonisht përderisa nuk zyrtarizohet gjuha ime amtare ( që sipas meje nuk është zyrtarizuar as sot e kësaj dite, ngaqë ajo nuk përmendet askund në Kushtetutën e këtij shtetit) dhe u tërhoqa nga gjitha shoqatat e organizatat maqedonase, duke mos pranuar të jem anëtar i asnjë jurie, këshilli….., me çka mbeta ky që jam – vetvetja, më i pakti nga të gjitha ‘pakicat’ tjera që jetojnë në Maqedoni.

Në ndërkohë kurrë nuk e kuptova si mund të jesh Akademik i Akademisë që publikon Enciklopedinë që e ofendon popullin tënd, ku drejtuesit e saj të sojit të ‘katicave e maticave’, nga njëqind herë në ditë publikisht tregojnë sa nuk të duan e sa të urrejnë, nuk e kuptova pra si mund të jesh anëtarë jurish e shoqatash, mes atyre që thonë se gjuha maqedonase është vetëm e tyrja dhe s’kemi pse merremi me të edhe ne shqiptarët, në ndërkohë, duke harruar se Maqedonia është edhe e shqiptarëve dhe se shkaku i shovinizmit maqedonas gjuhës shqipe as që i përmendet emri në Kushtetutë, por quhet ‘gjuha e 20 për qindëshit’.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Shkurt e shqip: u plaka por ende nuk e kam të qartë si është e mundur që alamet artistë, profesorë, shkencëtarë e intelektualë të këtushëm shqiptarë, të mos e kenë kuptuar se nga gjitha elitat e mirëfillta, ne shqiptarët e Maqedonisë kemi vetëm atë të ‘tenderbegëve’ dhe ‘hajdutokratëve’. Pra si mund të shtiremi se nuk e dimë që ne shqiptarët e anëtarësuar nëpër shoqatat dhe organizatat e ndryshme artistike, shkencore, kulturore… shërbejmë vetëm si mbulesë që pjestarët e elitës së ‘tenderbegëve’ dhe ‘hajdutokratëve’, të papenguar t’i realizojnë përfitimet e veta personale.

Dhe tani shtrohet pyetja si duhet vepruar tutje? Ka dy mundësi: ose ta mbrojmë dinjitetin tonë duke u ndarë nga ato të përbashkëtat ku nuk na duan, pra të themelojmë Akademinë dhe organizatat tona tjera shqiptare, ose të veprojmë si ‘tenderbegët’ dhe ‘hajdutokratët’ tanë’: aty ku jemi të anëtarësuar, çdo gjë ta matim nëpërmjet asaj sa na e mbushin xhepin. Sepse kështu, kur ne nga dhjetëra herë në ditë betohemi sa e duam këtë shtet, e kur shumë pjesëtarë të elitave maqedonase, nga qindra herë në ditë tregojnë sa nuk duan shtet të përbashkët me shqiptarët, është perverse dhe idiotizëm të besosh se mund të kemi çka do qoftë të përbashkët e ku ne do u pëlqejmë atyre të atillë siç na pëlqen vetvetja.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *