Merrej me prodhimin e mobiljeve metalike, ja si farkëtari ukrainas i ndihmon forcat e mbrojtjes territoriale
Një farkëtar në Sumy të Ukrainës, i cili më parë merrej me prodhimin e mobiljeve metalike, e ka transformuar biznesin e tij për shkak të luftës. Tani, Anton Zaika po prodhon pajisje të nevojshme për njesitë ukrainase të mbrojtjes territoriale.
Kjo fabrikë e vogël në qytetin ukrainas të Sumit ka prodhuar mobilje metalike për klientët evropianë në shtatë vitet e fundit. Por pas fillimi të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, fabrika filloi të ndihmonte banorët që përpiqeshin të mbronin qytetin.
“Ne filluam të merrnim telefonata, njerëzit kërkonin soba dhe pengesa metalike kundër tankeve, çdo gjë që mund të vendosej në rrugë për të ndalur pushtuesit”, thotë Anton Zaika, pronar i fabrikës “Smithy”.
Një ushtar i njësisë së mbrojtjes territoriale thotë se fabrika ka dhënë një kontribut të madh.
“Të gjitha pajisjet për ndërtimin e strehëve në llogore janë prodhuar nga Anton Zaika. Jemi shumë mirënjohës. Dhe tani kam ardhur për të diskutuar për disa soba metalike. Erdha për të parë nëse ai ka ndonjë sobë të këtij lloji. Ai na ka dhënë kaq shumë. Më vjen turp t’i kërkojë më shumë”, thotë Oleksandr, një ushtar i njësisë së mbrojtjes territoriale.
Zaika gjeti disa soba dhe shufra të posaçme hekuri për Oleksandrin.
Përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën, Anton Zaika shpresonte të zgjeronte biznesin dhe të ndërtonte një fabrikë tjetër. Ai kishte blerë materiale me vlerë rreth 25,000 dollarë. Por e gjithë kjo u përdor në muajin e parë të luftës për të ndihmuar njësitë e mbrojtjes territoriale në vijën e frontit.
“Njerëzit filluan të sillnin sende, çdo gjë që mund të gjenin. Një djalë eci 5 ose 6 kilometra në dëborë për të na sjellë disa gjëra! Ai solli mbi 20 kilogramë elektroda. Shumë njerëz ofruan ndihmën e tyre”, thotë pronari i fabrikës “Smithy”.
Me ndihmën e një faqeje për mbledhje fondesh në Instagram, Anton Zaika dhe ekipi i tij po blejnë dhe transformojnë makina për ushtrinë ukrainase.
“Ne e mbulojmë pjesën e përparme me metal në mënyrë që radiatori dhe motori të mos shkatërrohen. Pastaj instalojmë mburoja për të mbrojtur gomat e makinës”, thotë ai.
Përveç ndihmës për ushtrinë ukrainase, Zaika gjithashtu ka ndihmuar bashkëshorten e tij për t’u kujdesur për fëmijën e tyre të sapolindur dhe djalin e tyre gjashtë vjeçar.
“Ne ishim me fat sepse kur ajo filloi lindjen, bombardimet u lehtësuan pak. Dhe pasi lindi vajza jonë, nuk pati bombardime për disa ditë. Nëna ime tha se vajza jonë na solli pak paqe. Kjo është gjëja më e mirë që na ka ndodhur, lindja e vajzës sonë!”
Fjalë të buta të një njeriu që punon me zjarr dhe metal. /VOA
Rruga Press