E-Albania, proces strategjik, jo lojë amatorësh dhe të paaftësh
Nga Erion Dasho
Ndonëse kaloi një javë nga sulmi kibernetik kundër portalit e-Albania, shqiptarët janë ende të painformuar mbi autorët, shkaqet, përmasat dhe pasojat e sulmit.
Deri tani AKSHI ka bërë atë që mund ta bëjë edhe një nxënës informatike i gjjmnazit – ka bllokuar qasjen tek një faqe interneti ku hakerat publikojnë rregullisht dokumente konfidencialë të shtetit shqiptar.
Një dokument i firmosur nga Sekretari i Qeverisë ku flitet për blerje dronësh ngjan si dokumenti më sensitiv i publikuar deri tani, çka hedh dyshime se dokumente të tjerë të së njëjtës rëndësi dhe shkallë sekreti mund të kenë rënë në duart e hakerave.
Fakti që sistemi online i tatimeve nuk funksionon ende flet për dy skenarë: (1) sistemi është ende vulnerabël dhe qeveria ka të paktën aq mend sa të mos rrezikojë sërish këtë nënsistem jetik dhe sensitiv; (2) hakerat e kanë dëmtuar ose edhe shkatërruar sistemin e tatimeve dhe rivendosja e tij në punë ka qenë e pamundur.
Por ç’duhet të bëjë shteti shqiptar sot dhe, mbi të gjitha, ç’mësime duhen nxjerrë nga kjo situatë?
***
Kur një entitet çfarëdo (aq më tepër një shtet) vendos të digjitalizojë proceset e veta qoftë edhe pjesërisht, duhet të marrë një sërë masash ku do të veçoja si tre më të rëndësishmet:
E para, është një vizion strategjik dhe një arkitekturë e qartë e informacionit. Digjitalizimi në Shqipëri nuk nisi si një proces i planifikuar si duhet çka është e kuptueshme dhe, deri në një farë mase, e justifikueshme në stadin e eksperimentimit.
Por në momentin kur një shtet si shteti i rilindjes vendos të kalojë të gjithë shërbimet online, është domosdoshmëri që digjitalizimi të bëhet me një plan kombëtar të mirëmenduar dhe të hartuar nga specialistët më të mirë të botës.
Nuk mund të digjitalizosh shtetin me amatorë dhe të paaftë; dhe ky është mësimi i parë nga sulmi.
E dyta, siguria e informacionit. Siguria kibernetike sot është një treg botëror prej qindra miliardë dollarë në vit. Ajo përfshin politikat dhe kuadrin e sigurisë, njerëzit e trajnuar dhe, si hap të fundit, teknologjinë. Dikush duhet të hetojë AKSHI-n në të tre këto komponentë, por nga informacionet që kanë qarkulluar këto ditë duket se siguria kibernetike, si gjithçka tjetër e shtetit shqiptar ka qënë në duar amatorësh.
E treta është infrastruktura. Për të patur një sistem kombëtar informacioni duhet ngritur një Data Center e niveleve më të larta të mundshme. Ndërkohë, e ashtuquajtura “data center” e shtetit shqiptar funksionon akoma në bodrumin e AKSHI-t duke mos përmbushur as kritetet më elementare të infrastrukturës informatike.
Sipas informacioneve që arrijnë jashtë Shqipërisë, projekti i ngritjes së Data Center-it të dizasterit (Disaster Recovery, DR) në Elbasan u la pas dore nga Rilindësit të cilët me sa duket as që e kuptojnë rëndësinë e DR-it. Projekti “fle” prej 10 vjetësh në AKSHI dhe me siguri ka zënë pluhur në raftet e AKSHI-t apo ato të Kryeministrisë.
***
Ç’mësime duhen nxjerrë nga sulmi?
Së pari, angazhimi i një ose më shumë kompanive ndërkombëtare të cilat të hartojnë sa më shpejt strategjinë e zhvillimit të e-Albanias në çdo komponent, duke nisur nga arkitektura.
Së dyti, ngritjen e të paktën dy Data Center, një për operacionet dhe një për DR. Të dy këto Data Center duhet të jenë pak a shumë identike, çka nënkupton edhe duplikim shpenzimesh, por fatkeqësisht kjo është fatura e digjitalizimit.
Së treti, të analizohen me përgjegjësi maksimale jo thjesht pasojat, por mbi të gjitha shkaqet e sulmit aktual.
Me sa po kuptohet, AKSHI që në kohën e rilindjes u kthye thjesht në qendër tenderash, është i paaftë të drejtojë agjendën e digjitalizimit. Mund të mendohet dhënia e e-Albanias me PPP tek një kompani ndërkombëtare prestigjioze dhe kjo do të ishte PPP-ja më e justifikuar nga gjithë ato që janë dhënë deri tani.
***
Shpresoj që sulmi aktual të ketë bërë sa më pak dëm tek asetet digjitale të shtetit dhe, në radhë të parë, tek të dhënat e shqiptarëve.
Shpresoj që gjithashtu pësimi të kthehet në mësim për ta kthyer agjendën e digjitalizimit nga një mjet propagande dhe mburrjeje, në një strategji kombëtare të mirë menduar, mirë planifikuar, mirë financuar dhe mirë zbatuar.
Fatkeqësisht, kur sheh se si operon rilindja në çdo fushë të drejtimit të shtetit, gjasat që kjo të ndodhë duken minimale.
Gjithsesi, shpresa vdes e fundit…