Lajme

E njëjta dinamikë si te atentati në Fushë Krujë, çfarë dihet deri më tani për vrasjen e mbrëmshme në Milot

Makina me të cilën lëviznin Klisman Preçi, që mbeti i vdekur, dhe Ylli Ibrahimi i plagosur rëndë, është një “Land Cruiser” e zezë, me targa të Maqedonisë së Veriut dhe e blinduar.

Të dhënat paraprake flasin se dy të rinjtë, të cilëve iu bë atentat të premten në mbrëmje me tritol në Milot, sapo kishin ndaluar pranë banesës së Ylli Ibrahimit, për zbritur në hyrje të një pallati ku jeton.

Pallati ndodhet në qendër të Milotit dhe rreth tij janë të instaluara kamera sigurie. Blindi dhe kamerat tregojnë nivelin e lartë të kujdesit që dy shënjestra të mëparshme atentatesh, tregonin për të ruajtur kokën.

Ndërkohë që për policinë në këtë fazë të hetimit paraprak, ka dyshime të forta që krimi të jetë bërë nga porositës të njëjtë me ekzekutimin e trefishtë të dielën e kaluar në Fushë-Krujë, duke mos përjashtuar as mundësinë që edhe ekzekutorët të jenë të njëjtët.

Shkak kryesor dyshohet të jetë pikërisht hakmarrja, pasi Ylli Ibrahimi njihet si pjesë e një grupi të fuqishëm kriminal që operon në zonën e Kurbinit, Lezhës dhe Tiranës, i dyshuar mes të tjerave edhe për kryerjen e vrasjes së ish-policit, Xhelal Reçi në Laç.

Dinamika e ngjarjes së kësaj të shtune është pothuajse e njëjtë me atë të një jave më parë ku u masakruan Dikler Vata, Brilant Martini e Besmir Hoxha. Me rrjet informatorësh, mbajtje në vëzhgim, informacione të detajuara edhe për automjetin që lëviznin shënjestrat, pasi kanë qëlluar me breshëri në drejtim të “blindit të zi”, që njihej në gjithë Lezhën, Milotin e Kurbinin, me qëllim eliminimin e objektivit me çdo kusht. Ndërkohë që edhe autorët dyshohet të kenë qenë të paktën 3 dhe kanë qëlluar me të paktën 2 armë zjarri “Kallashnikov”, të cilat janë gjetur duke u djegur në Gramëz të Krujës, bashkë me automjetin e dyshuar që mund të jetë përdorur në krim.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti merr pjesë në përurimin e bibliotekës e re në Komunën e Shtimes

Zona ku ka ndodhur ngjarja nga vëzhgimet paraprake të grupit të hetimit, është pothuajse e pandriçuar, por e survejuar nga kamerat e sigurisë, teksa nuk dihet nëse kanë arritur të fiksojnë momentin e atentatit apo lëvizjet e autorëve.

Dyshohet se Klisman Preçi dhe Ylli Ibrahimi, të dy me precedentë e shenjestra “fatlume” të atentateve të mëparshme, kanë qenë nën vëzhgim për kohë të gjatë, pasi autorët ishin në dijeni të mjetit gati të padepërtueshëm, ndërsa kanë pritur momentin e përshtatshëm kur ata po zbrisnin prej tij.

Dy të rinjtë po ktheheshin nga një bar-kafe dhe kishin qenë në shoqërinë e njëri-tjetrit për disa orë. Pas atentatit, autorët kanë udhëtuar rreth 20 km nga Miloti në drejtim të Gramëzës, pa asnjë shqetësim, ndërsa nga këtu dyshohet se janë larguar me një automjet tjetër, në drejtim të paditur. “Por së fundmi, duke parë dinamikën e ngjarjeve, dhe ku krimi fatkeqësisht po ecën një hap përpara me sifistikimin e tij, nuk përjashtohet mundësia që makina dhe armët të jenë vetëm një skenar për të humbur gjurmët, për këtë shërbejnë ata të vijës së dytë të planit, që kanë detyrë vetëm fshirjen e provave, por gjithsesi mbetet aludim. Është shumë shpejt të dalim në përfundime”, shprehet një burim nga blutë e Kurbinit në anonimat.

Klisman Preçi 28 vjeç ka mbërritur pa shenja jete në Spitalin e Traumës, bëjnë të ditura burime nga bluzat e bardha, ndërsa Ylli Ibrahimi 46-vjeç, me plagë të rënda në kraharor dhe këmbë, ndodhet ende në reanimacion pa siguri të plotë që do ia dalë. Dhjetëra persona janë shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje, mes të cilëve familjarë të Ibrahimit e Preçit, si dhe dëshmitarë të ngjarjes apo persona të dyshuar, kryesisht këta të fundit të rinj me precedent dhe njohje në Kurbin.

Lexo më shumë  Në Kosovë promovohet pulla postare kundër dhunës gjinore “Sot dhe çdo ditë tjetër”

Asnjë nuk është mbajtur më gjatë se sa seanca e pyetjeve, duke u lënë të lirë. Kamerat e sigurisë pothuajse në gjithë qytetin e vogël të Milotit, janë nën mbikëqyrjen policore tashmë, përfshirë edhe itinerarin ku ka të dhëna, ndonëse të vakëta, që kanë lëvizur autorët dhe shënjestrat.

Përveç një konflikti që e ka zanafillën në Tiranë, me një sherr me pasoja, duke vijuar me vrasje e atentate në nivele të super-sofistikuara veprimi, të vazhdueshme më pas, hetuesit nuk përjashtojnë as pistën e konflikteve për drogë në shtetin belg. Policia ka në duar aparatet celulare të viktimave si dhe sende të tjera personale të gjetura brenda automjetit, ndërsa pritet të bëhet analiza përkatëse për gjetjet e mundshme të ndonjë materiali që do të ndihmonte hetimin.

Kjo pasi dyshohet se ngjarja e Fushë Krujës me atë të Milotit, dyshohet të kenë lidhje me njëra-tjetrën, ndërsa ekziston mundësia e lënies së gjurmëve përmes bisedave pas asaj të parës. Thelbësore mbetet dëshmia e Ylli Ibrahimit, nëse ai do të vendosë të rrëfehet, por edhe për këtë çështje, ka pak shpresë, pasi edhe pas atentatit që iu bë disa kohë më parë, ai e kyçi gojën, me “dëshminë” e tij se “nuk di kush më bëri atentat, nuk kam asnjë konflikt”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *