Plasaritje në marrëdhënin Rama-Top Channel? /”Ndalni valën e shpifjeve”
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka përgënjeshtruar lajmin që qarkullon në media se hakerat kanë shkatërruar të dhënat e shtetit shqiptar dhe kërkojnë 30 milionë euro.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, kreu i qeverisë thekson se nuk duhet të përhapet panik dhe i bën thirrje Top Channel-it që të ndalë “valën e shpifjeve”.
“Gjyqet me median për shpifje, përfshirë edhe shpifjet që përhapin panik, nuk janë në praktikën e qeverisë sonë! Prandaj i bëj thirrje publike TCH të ndalë menjëherë valën e shpifjeve dhe përhapjen e panikut lidhur me pasojat e agresionit kibernetik mbi Shqipërinë!
Lajmet për një gjobë 30 milionë euro nga hakerat apo për shkatërrimin e të dhënave janë krejt të rreme! Qeveria ka informuar aq sa mund të informojë, në ndërkohë që lufta nuk ka mbaruar dhe pas hakerave qëndron një shtet tjetër, jo një bandë dosido digjitale që merret me gjoba!”, shkruan Rama.
Ai nënvizon se AKSHI dhe një skuadër e superspecializuar ekspertësh të huaj, po luftojnë natë e ditë për rimëkëmbjen e plotë në kohë rekord të sistemeve pas zmbrapsjes së sulmit.
“Është e turpshme që të gënjehet publiku në këtë farë feje, cilatdo qofshin motivet e kësaj vale shpifjesh haluçinante!”, përfundon kreu i qeverisë.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Informacionit, sulmi i sofistikuar drejt sistemit të informacionit, vjen nga jashtë Shqipërisë.
Ky institucion bën thirrje për qytetarët, mediat, bizneset dhe gjithë aktorët e tjerë, të sensibilizohen për të thyer këtë sulm ndaj interesave kombëtare shqiptare.
Kujtojmë se që nga viti 2013 kur Edi Rama mori qeverinë Shqipëri, por edhe vite përpara kësaj, marrëdhënia mes këtij të fundit dhe televizionit Top-Channel ka qenë e shkëlqyer. Jo rrallë, ka pasur edhe aludime për shkëmbim favoresh mes të dyve, por jo ndonjë hetim në lidhje me këto aludime. Sidoqoftë, duket se për herë të parë, marrëdhënia mes Ramës dhe Top-Channelit ka pësuar plasaritje, pasi një reagim i tillë nga kryeministri ndaj këtij televizioni ka qenë i pamendueshëm.
Nuk ka ndodhur më herët që Rama ta fusë edhe Top-Channelin brenda atij që kryeministri i Shqipërisë e quan “kazan” mediatik.
Rruga Press