Privilegjet e deputetëve, deri në 1500 euro në muaj për dieta
Miliona lekë dalin çdo muaj nga buxheti i shtetit për t’iu rimbursuar deputetëve dietat, karburantin, faturat telefonike apo edhe qiratë e shtëpive, edhe pse rezultojnë “pasanikë”, parlamentarët e rinj fshehin shtëpitë edhe duke e futur emerin tek lista e të “pastrehëve” të kuvendit. Paradoksalisht, ata që përfitojnë më shumë, janë ata që flasim më pak në parlament.
Autore: Geriola Hate
Statusi i Deputetit iu siguron parlamentarëve të ardhura të majme, por edhe pushtet e mbrojtje ligjore, duke e bërë mjaft të lakmuar karrigen e deputetit.
Më konkretisht, ligji i miratuar në vitin 1999, iu ofron atyre një sërë privilegjesh, duke filluar nga pagesat e karburantit, telefonit, dietat, qiratë mujore, hotelet, pagesat ekstra për pjesëmarrje në komisione apo edhe pasaporta diplomatike. Të gjitha këto bëjnë që të ardhurat mujore të deputetëve të shkojnë deri në 1500 euro, pa përfshirë këtu rrogën.
Përveç këtyre përfitimeve, me një pagë mujore, bruto prej 156 mijë lekësh, paga e deputetit renditet si ndër më të lartat në hierarkinë e pagave në vendin tonë, menjëherë pas pagës së ministrit.
Të ardhurat mujore të deputetëve, përfshirë pagën dhe përfitimet e tyre, financiare, shkojnë deri në 2500 euro, shumë kjo disa herë më e lartë se paga mesatare, e cila sipas INSTAT-it përllogaritet të jetë 56 mijë lekë të reja ose 465 euro.
“Trajtimi financiar i deputetëve duhet të jetë koherent, bazuar në hierarkinë e sistemit të pagave në Shqipëri, si dhe aktiviteti parlamentar duhet mbështetur me buxhet të arsyeshëm. Kufizimet financiare nuk mund të kufizojnë aktivitetin parlamentar”, – mendon Gerta Meta, drejtuese ekzekutive e Shoqatës për Kulturë Demokratike.
Por, sa justifikohen milionat që kalojnë në llogaritë bankare të deputetëve në fund të çdo muaji me angazhimin e tyre parlamentar dhe përcjelljen e zërit të qytetarëve në Kuvend?
Referuar pagesave të publikuara në faqen zyrtare të Parlamentit, në gjashtë muajt e parë të kësaj legjislature, e cila nisi më 10 shtator të 2021, janë paguar plot 215 milionë e 364 mijë e 823 lekë për deputetët e Kuvendit. Ajo që bie në sy, është se deputetët më të paguar të Kuvendit, janë ata më pak aktivët në parlament.
Performancë e ulët, pagesa të larta
Deputetja e Partisë Demokratike për Shkodrën, Greta Bardelli, kryeson listën e deputetëve, që kanë përfituar më shumë përgjatë muajit janar 2022. Përveç pagës, ajo ka përfituar edhe thuajse 200 mijë lekë të reja (më saktësisht 197.521 lekë) për karburant, dieta, hotel, qira apo edhe për shërbimin telefonik. Muaji janar duket se ka qenë mjaft i mbarë për këtë deputete, në llogarinë e së cilës janë depozituar 354.291 lekë të ardhura nga buxheti i shtetit në muaj.
Që nga shtatori e deri në prill, Bardelli ka përfituar rreth 1.1 milionë lekë dieta ose rreth 10 mijë euro. Në shtatë muaj, Bardelli ka diskutuar 6 herë në Kuvend, ka votuar 6 akte dhe është angazhuar 9 herë në komisione parlamentare.
Vetëm përgjatë muajit janar, buxheti i shtetit shpenzoi plot 13,6 milionë lekë të reja për “privilegjet e deputetëve”. Nga këto 5,6 milionë lekë kanë shkuar vetëm për dieta, që presupozojnë udhëtimet e deputetëve në zonat elektorale dhe takimet me banorët që iu dhanë votat.
Plot 40 deputetë kanë përfituar përgjatë muajit janar nga 650-700 euro dieta për të takuar elektoratin, por për ekspertët kjo shumë është në kufi të kapërcimit ligjor, pa përfshirë këtu edhe përfitimet e tjera.
“Pavarësisht se 70% e tyre jetojnë në kryeqytet, deputetët paguhen rreth 700 euro për dieta, sikur lëvizin çdo ditë nga Tirana, ndërkohë që edhe me rregullore parlamentare deputetët duhet të shkojnë në zonat, ku ata janë zgjedhur, vetëm një herë në muaj” – argumenton për INA MEDIA-n Rigels Xhemollari, aktivist i shoqërisë civile.
Dietat e përfituara për periudhën shtator 2021-prill 2022
Por, lista e deputetëve, të cilët kanë marrë më shumë të ardhura nga dietat dhe përfitimet e tjera, kryesohet nga deputetja e së majtës, Eslemvera Zake.
Nga shtatori, kur nisi legjislatura, dhe deri në muajin prill, deputetja Zake ka përfituar afërsisht 1.4 milionë lekë të reja dieta. Referuar të dhënave të Parlamentit, përveç pagës, ajo ka përfituar mesatarisht 180 mijë lekë të reja dieta/muaj.
Sorina Koti, deputetja e Partisë Demokratike për qarkun e Korçës, renditet e dyta ndër ligjvënësit që kanë përfituar më shumë dieta, me rreth 1.3 milionë lekë të reja ose rreth 170 mijë lekë në muaj shpërblime.
“Kuvendi duhet të ri-shohë rregulloren dhe aktet ligjore, në mënyrë që të plotësojë aktet e munguara dhe rastet e gjetjeve kritike, si dhe të ketë një sistem të përhershëm monitorimi të aktivitetit real, parlamentar.”, – u shpreh për INA MEDIA-n Gerta Meta.
Eralda Bano, deputetja e PD-së për qarkun e Fierit, renditet e treta për sa iu përket përfitimeve nga posti, me plot 1.3 milionë lekë.
Gledis Çeliku, Besjon Ajazi dhe Mirela Pitushi kanë përfituar nga 1.26-1.28 milionë lekë.
Pavarësisht këtyre shpërblimeve të larta, Çeliku nuk ka diskutuar asnjëherë në parlament, ka votuar vetëm 10 akte dhe është angazhuar vetëm katër herë në komisione.
Po ashtu, Baftjar Zeqaj, deputeti i PS-së për qarkun e Fierit, renditet ndër më të shpërblyerit, me 1.24 milionë lekë, pas tij renditen Nusret Avdulla dhe Hatixhe Konomi, me 1.22 milionë lekë.
Niko Kuri, deputeti më i paguar në radhët e socialistëve për muajin janar, përfitoi në total 1.14 milionë lekë. Megjithatë, Kuri numëron vetëm një diskutim në parlament.
“Ditët e fundit deputetët janë kthyer në inspektorë të marketeve, të furrave të bukës, në inspektorë të ruajtjes së një standardi çmimesh në Republikën e Shqipërisë, përtej rolit të tyre, legjislativ, pra janë kthyer në ekzekutiv. Ama, kur vjen puna te kënaqësitë personale, që përfitojnë nga pozicioni, nga dietat etj., ata nuk janë inspektorë të institucionit që përfaqësojnë”, – u shpreh për INA-n Rigels Xhemollari.
Ornaldo Rakipi, një tjetër deputet i Partisë Socialiste, i cili theu herësin, duke fituar një votëbesim të lartë në zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021, renditet ndër zërat më të heshtur në Parlament. Megjithatë, ai ka përfituar maksimumin e dietave për lëvizjen brenda qytetit, me 37.625 lekë për janarin, ndërkohë në total, në gjashtë muaj punë në Kuvend, në llogarinë bankare të Rakipit janë depozituar 1,447,961 lekë.
Gjithashtu, edhe Andia Ulliri, politikania 22-vjeçare e Partisë Demokratike, e cila veshi kostumin e deputetes pa firmosur asnjë ditë në bordero, renditet ndër emrat që shumë pak herë u shënuan në listën e diskutuesve. Megjithatë, përgjatë muajit shkurt ajo përfitoi më shumë se 135 mijë lekë dieta dhe pjesëmarrje në komisionet parlamentare.
Deputetët Gledis Çeliku, Meri Markiçi, Niko Kuri, Paulin Sterkaj, Elda Hoti dhe Ilir Ndraxhi gjithashtu paraqesin një efikasitet të ulët, duke shënuar vetëm pjesëmarrjen në Kuvend dhe komisione dhe duke u mënjanuar totalisht nga diskutimet për nismat ligjore.
Në llogarinë e Meri Markiçit në total janë depozituar 1,807,195 lekë, por ajo nuk e ka shënuar asnjëherë emrin në listën e diskutuesve në Kuvend dhe ka votuar vetëm nëntë akte ligjore.
Bilanci gjashtëmujor i pagesave të këtyre deputetëve paraqet një faturë të kripur, të shoqëruar me efikasitet të ulët.
Ekspertët e konsiderojnë absurd faktin që pagesa nuk lidhet me performancën, por merret si e mirëqenë.
“Është e palogjikshme që pagesa jote të mos lidhet me performancën. Në komunizëm nuk kishte rëndësi performanca, në komunizëm kishte rëndësi vetëm pjesëmarrja, mjafton që vija unë, dhe në këtë mentalitet jemi akoma. Kam ardhur në punë, kam qenë atje, në Parlament, kam bërë check. Është i vetmi vend në Shqipëri që performancën e punës e ka të pamatshme: deputeti shqiptar”, – u shpreh eksperti i ekonomisë, Rezart Prifti për INA MEDIA-n.
Aktiviteti parlamentar i Deputetëve të Kuvendit
Por, pavarësisht fitimeve të larta, në një anketim të realizuar nga Instituti i Studimeve Politike, deputetët shprehen të pakënaqur nga të ardhurat që marrin.
Ata vlerësojnë se trajtimi financiar nuk i përgjigjet kontributit dhe aktivitetit të tyre, duke e konsideruar trajtimin financiar si pengesë për ushtrimin e funksioneve dhe masë penalizuese në axhendën personale, politike.
“Mbi 92% mendojnë se rroga që marrin është e pamjaftueshme dhe i pamundëson takime të rregullta elektorale. Mbi 77% shprehen se nuk i përballojnë dot shpenzimet me rrogën e deputetit dhe mbi 55% janë kundër penalizimit në rrogë në rast mungese në Kuvend”, – thuhet në anketimin e Institutit të Studimeve Politike, të realizuar përgjatë vitit 2018.
Aktiviteti parlamentar i deputetëve
Ilir Ndraxhi është një tjetër emër që shënon fitime të majme dhe efikasitet të ulët. Nga muaji shtator e deri në shkurt Ndraxhi ka qëndruar i heshtur, duke mos u bërë pjesë e asnjë diskutimi në Kuvend.
Përveç dietave për takime me elektoratin, deputetët përfitojnë edhe pagesa hotelesh dhe karburant. Ata që kanë udhëtuar më shumë jashtë vendit dhe kanë përfituar pagesat e hoteleve dhe karburanteve janë: Luan Baçi, Ilir Topi, Anila Denaj, Tritan Shehu, Luçiano Boçi dhe Arbi Agalliu
“Skandali më i madh këtu ka qenë gjatë pandemisë, që deputetë të parlamentit shqiptar, edhe pse ne ishim në një gridlock, ishim të mbyllur në karantinë, vazhdonin të merrnin dietat e naftës”, – u shpreh eksperti i ekonomisë, Rezart Prifti për INA-n.
Të pastrehët e Parlamentit
Një skemë “abuzive” është ndërtuar edhe në përfitimin e qirave mujore nga ana e deputetëve. Janë në total 15 deputetë të cilësuar si “të pastrehë”, të cilët përfitojnë 35 mijë lekë në muaj për një shtëpi me qira në Tiranë.
Nga një verifikim i deklaratës së pasurive, 9 deputetë, përfitues të qirave mujore, kanë të deklaruara prona private apo edhe toka në emër të tyre, e megjithatë vijojnë të përfitojnë qira mujore nga Parlamenti.
Lista kryesohet nga deputeti i Partisë Demokratike për Beratin, Kasëm Mahmutaj, i cili është një “pasanik” i vërtetë. Në deklaratën e pasurisë, të depozituar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Mahmutaj rezulton pronar i një pallati, i katër apartamenteve, i një trualli plus banesë, plus lokal në një godinë trekatëshe, si edhe i një toke të llojit – arë – dhe i një tjetër pasurie, e llojit – truall – të gjitha të pozicionuara në zonën e Beratit.
Në emrin e Mahmutajt figurojnë edhe dy automjete, një e llojit fuoristradë, dhe pesë llogari bankare. Pavarësisht pronave që zotëron deputeti, që nga shtatori i vitit 2021, Kuvendi i paguan 35 mijë lekë në muaj për qiranë e një shtëpie në Tiranë.
Mirëpo një vendim i pak ditëve më parë, i marrë nga Gjykata e Posaçme e shkallës së parë për korrupsionin dhe krimin e organizuar, konfiskoi të gjitha pasuritë e Behar Mahmutaj, vëllait të deputetit, dhe familjarëve të tij, pasi dyshohet se janë krijuar me para nga aktiviteti kriminal.
Në bazë të këtij vendimi deputetit Muhmutaj i janë konfiskura të gjitha pasuritë, midis tyre 5 apartamente, tokë truall, tokë arë, një lokal dhe shoqëritë e biznesit ku ai ishte në bashkëpronësi me vëllain, që hetohet për pastrim parash, dhe familjarët e tij.
Gjykata ka vendosur që ti hiqet sekuestro dhe ti lënë deputetit për të jetuar vetëm një apartament prej 64 metrash katrorë në qytetin e Beratit.
Por ky vendim nxorri në pah se deputeti Mahmutaj nuk kishte deklaruar një apartament në Tiranë me sipërfaqe prej 124.9 metra katrorë, të cilët e kishte porositur që në vitin 2016 dhe si pasojë vijonte e merrte pagesën prej 35 mijë lekësh si i “pastrehë”.
Edhe këtë apartament gjykata ka vendosur te heqë sekuestron, pasi firma ndërtuese ka pretenduar se nuk është likujduar fatura financiare dhe kjo pasuri është nuk ëhstë pronë e deputetit Kasem Mahmutaj.
“Vihet re që deputetët, pavarësisht se në deklaratat e tyre të pasurive kanë shtëpi ose i kanë shtëpitë në emër të bashkëshortëve, paguhen nga kompensimi i qerasë mujore. Kjo është një situatë, ku ILDKPKI, është njëkohësisht edhe institucioni që kujdeset për ligjin e sinjalizuesve dhe duhet të jetë ky institucion që në këtë moment të bëjë sinjalizimin në Kuvend dhe tek organet e tjera, përkatëse” – u shpreh për INA-n Xhemollari.
Faksimile e deklaratës së pasurisë së deputetit Kasëm Mahmutaj
Një shkelje flagrante është ajo e deputetes Enslemvera Zake nga lista shumë-emërore e Partisë Socialiste. Ndonëse bashkëshorti i saj rezulton pronar i një apartamenti me sipërfaqe 103.5 m2 në Tiranë, sipas kontratës së shitjes, së datës 23 prill 2005, ajo trajtohet me bonus qiraje nga Kuvendi i Shqipërisë. Referuar deklaratës së pasurisë, apartamenti është blerë për 59.040 euro, por ende nuk është kryer hipotekimi.
Faksimile e deklaratës së pasurisë së deputetes Enslemvera Zake
“Për sa kohë ka deputetë, që kanë deklaruar pasuritë dhe figurojnë me shtëpi të tyre, dhënia e pagesës për qira shtëpie nuk ka sens. Është më logjike, që ky shpenzim të shkojë për një shërbim në dobi të komunikimit dhe iniciativave mbështetëse për qytetarët”, – u shpreh për INA-n Gerta Meta, drejtuese ekzekutive e Shoqatës për Kulturë Demokratike, e cila sqaron se “nuk është kundër që të ketë mbështetje për këtë target deputetësh, por kjo të shkojë në shërbim të përmirësimit të performancës së tyre në dobi të qytetarëve dhe jo për përfitime personale e familjare”.
Në deklaratën e pasurisë së Meri Markiçit rezultojnë tre apartamente, një prej të cilëve jepet me qira dhe dy të tjerë janë në pronësi të bashkëshortit, përfituar si shkak i shkëmbimit të pjesëve takuese me vëllain, në pallatin e ndërtuar vetë në vitin 2005. Pavarësisht kësaj pasurie që zotëron, edhe kjo deputete përfiton nga privilegjet e statusit dhe merr çdo muaj nga buxheti i shtetit 35 mijë lekë për një apartament në Tiranë.
Deputetja e Partisë Socialiste, Hatixhe Konomi, ka vetë-deklaruar se është pronare 100 për qind e një apartamenti me sipërfaqe 100 m2 në qytetin e Beratit e megjithatë edhe ajo përfiton çdo muaj pagesa qiraje.
Faksimile e deklaratës së pasurisë së deputetes Hatixhe Konomi
Baftjar Zeqaj, Sorina Koti, Greta Bardelli, Eralda Bano, Niko Kuri, Hatixhe Konomi, Meri Markiçi janë deputetët e tjerë, të cilët, edhe pse kanë vetë-deklaruar prona të paluajtshme në emër të tyre, në disa raste prona, të cilat janë në proces legalizimi apo iu mungon certifikata e pronësisë, përsëri përfitojnë një shumë të konsiderueshme parash nga arka e shtetit.
Ish-kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, rezulton pronar i një apartamenti banimi në Fier, me sipërfaqe 52 m2 dhe i një shtese apartamenti me sipërfaqe 39 m2, e blerë njëkohësisht si një pjesë e tërë me apartamentin që zotëron. Megjithatë, për të gjitha herët që ai vjen në Tiranë, buxheti i shtetit i paguan një shtëpi me qira në vlerën e 35 mijë lekëve të reja në muaj.
Deputetja Sorina Koti ka deklaruar një apartament banimi 105.3 m2 dhe bodrum në Korçë. Ka akt-marrëveshje fillestare, noteriale dhe kontratë premtimi shitje, noteriale, por nuk është pajisur me certifikatë pronësie. Vlera e apartamentit rezulton 6.588.000 lekë.
Deputetja Greta Bardelli ka në bashkëpronësi me bashkëshortin një shtëpi banimi 3-katëshe në Shkodër, me vlerë 9 000 000 lekë, me sipërfaqe ndërtimi 288 m2, e cila është në proces legalizimi. Por, pavarësisht kësaj prone të madhe, deputetja Bardelli merr edhe 35 mijë lekë për një apartament me qira në Tiranë.
Gjithashtu, edhe në deklaratën e pasurisë së deputetes Eralda Bano figurojnë dy biznese dhe një apartament në Fier, me sipërfaqe 102.96 m2.
Ndërkohë, në dokumentacionin e Niko Kurit është shënuar një apartament banimi në Sarandë, me vlerë 4.500.000 lekë, me kontratë shitblerje dhe certifikatë pronësie të datës 27 shtator 2017.
Skema abuzive e telefonisë
Një tjetër pagesë absurde është fatura e telefonit, e cila prej thuajse dy dekadash vazhdon të jetë 17 mijë lekë të reja në muaj.
Ndërkohë që tregu i telefonisë celulare është liberalizuar dhe operatorët telefonikë kanë oferta thuajse 10 herë më të ulëta, Kuvendi vazhdon dhe paguan çdo muaj një faturë të kripur prej 17 mijë lekësh në muaj për çdo deputet.
“Duhet të ketë një rivlerësim të performancës dhe aktivitetit parlamentar të deputetëve, duhet të ketë një rivlerësim nga ana e Kuvendit për sa i përket tarifave, pasi tarifat, që janë përcaktuar, janë që prej vitit 1999, kur sigurisht në atë kohë telefoni mund të kushtonte 150 euro, por tashmë tarifat kanë ndryshuar dhe duhet të ketë një rivlerësim”, – u shpreh për INA-n Rigels Xhemollari.
“Duhet patjetër të ketë mekanizma për të bërë transparencën e duhur në lidhje me minutat e paguara, telefonike. Duhen rishikuar marrëveshjet me operatorët telefonikë, për të minimizuar apo përdorur oferta alternative”, – u shpreh për INA-n Gerta Meta, drejtuese ekzekutive e Shoqatës për Kulturë Demokratike.
Karriget bosh në Kuvend
Janë jo të pakta rastet, kur angazhimet partiake i largojnë deputetët nga Kuvendi, duke bërë që një numër shumë i ulët deputetësh të jenë të pranishëm në seancë e megjithatë pagesa mujore nuk i mungon asnjërit.
Sipas vëzhgimeve të seancës plenare të 10 marsit, vetëm 5 deputetë dhe drejtuesi i seancës ishin të pranishëm në sallë në momentin e njoftimit të rezultateve të votimit.
Ish-kryeministri, Sali Berisha, pothuajse nuk e ushtroi mandatin parlamentar në periudhën shtator-dhjetor 2021. Pas krizës që përfshiu Partinë Demokratike dhe përjashtimin e liderit historik të demokratëve dhe mbështetësve të tij nga grupi parlamentar, Berisha nuk mori pjesë në 99 për qind të seancave plenare, nuk votoi asnjë ligj dhe akt parlamentar, nuk mori pjesë në asnjë mbledhje komisioni, nuk inicioi asnjë akt ligjor dhe nuk pati asnjë deklarim me cilësinë e deputetit.
Deputeti Sali Berisha megjithatë e ka marrë pagën mujore, ndonëse jo të plotë. Sipas
listë-pagesave të Parlamentit, rezulton se Berishës i është mbajtur çdo muaj shuma prej 20 mijë lekësh të reja, që korrespondojnë me 4 seancat parlamentare përgjatë një muaji që ai ka munguar. Të njëjtin “fat” kanë pasur edhe deputetët e tjerë, rebelë të opozitës, si Flamur Noka apo Edi Paloka.
Kryeministri, Edi Rama, ka marrë pjesë në vetëm 59 për qind të akteve parlamentare, duke shënuar një nivel të konsiderueshëm mospjesëmarrjeje në Kuvend.
Pa asnjë votë kundër, 58 deputetë, kryesisht të Partisë Socialiste, kanë votuar në 100 për qind të rasteve në seancat plenare pro qëndrimit zyrtar të partisë së tyre, politike.
Ekspertët mendojnë se deputetët në Parlamentin shqiptar nuk arrijnë të krijojnë një profil të tyrin, por mbeten “peng” i partisë.
“Praktika, sipas së cilës deputetët e njësojnë profilin e tyre, publik me profilin e partisë apo të liderit politik të partisë, është e gabuar. Për të pasur sukses, deputetët duhet të krijojnë profil publik, të bëjnë diferencën me emrat e tjerë”, – përfundon Gerta Meta.
“Ky artikull është botuar prane Investigative Network Albania”
Rruga Press