EditorialKryesore

Pse gjithë këto sulme ndaj Policisë së Kosovës në kaq pak kohë?

Në orët e vona të mesnatës së 16 korrikut, Policia e Kosovës është sulmuar në një nga rrugët malore të Leposaviqit. Gjatë aktiviteteve rutinë të patrullës së Policisë së shtetit të Kosovës, një kamion i cili nuk iu bind patrulles që të ndalej për kontroll, goditi dy makina të Policisë së Kosovës duke iu shkaktuar dëme. Në tentativë për të ikur, patrulla e policisë arriti të ndalë kamionin dhe makinën shoqëruese që ishte me kamionin.

Sulmi i 16 korrikut nuk është sulmi i vetëm që i është bërë Policisë së Kosovës ndërkohë që ushtronte detyrën. Vetëm në harkun kohor të katër ditëve, mes datës 13 dhe 16 prill 2022, Policia e Kosovës u sulmua pesë herë, me sulmin e parë në magjistralen Mitrovicë-Zubin Potok, ku patrulla e Policisë së Kosovës ka hasur 46 iriqë metalikë të vendosur në mes të rrugës.

Po atë ditë, në Davidovc, 3 kilometra nga fshati Banjë, gjatë kthimit nga ndërrimi, njësia e policisë kufitare u sulmua me gurë.

Të nesërmen, me datë 14 prill 2022, në fshatin Bube të Pragovës, janë dëgjuar 4-5 të shtëna të njëpasnjëshme, me rreth 30 fishekë, 200-300 metra afër patrullës së policisë. Dyshohet që të shtënat erdhen nga territori i Serbisë.

Sulmi i katërt vjen në ditën e tretë radhazi të sulmeve serbe ndaj Policisë së Kosovës. Në Izvor të Trebickës, patrullat e policisë kufitare sulmohen me granatë dore dhe armë zjarri, që dyshohet të ketë qenë AK47.

Sulmi i pestë në katër ditë të tensionuar për policinë e Kosovës ndodh me datë 16 prill në Sharpej të Jarinjës. Dy shpërthime ndodhin në afërsi të veturës së policisë, me mjete shpërthyese që dyshohet se janë hedhur nga territori i Serbisë.

Lexo më shumë  Kroacia i merr aeroplanët që Serbia i kërkon nga Franca

Këto sulme kanë ndodhur si kundërpërgjigje ndaj aksioneve për rend e siguri të ndërmarra po ato ditë nga forcat e policisë. Pavarësisht këtyre incidenteve, Policia e Kosovës e ka vazhduar punën rutinë duke avancuar gjithnjë e më shumë kotrollin mbi territorin dhe sigurinë në të.

Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës kanë marrë disa vendime që Qeverisë së Serbisë dhe kriminelëve serb të Kosovës nuk u ka pëlqyer shumë, e mesa duket edhe i ka trembur.

Vendosja e stikerave për tabelat e makinave të Serbisë, vendosja e reciprocitetit për mjetet e identifikimit dhe luftimi i fuqishëm i kontrabandës në dogana e shtigjeve të malit kanë mjaftuar që bandat kriminale të serbëve të Kosovës të ndërmarrin veprime kërcënuese dhe dëmtuese ndaj Policisë së Kosovës.

Ky reagim i tillë, na lë të kuptojmë që situata normale e operimit të organizatave kriminale të veriut të Kosovës nuk ka parashikuar asnjëherë Policinë e Kosovës si pengësë.

Me ardhjen në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Xhelal Zveçlës, kemi parë aksione të shpeshta kundër kontrabandës. Një indicie e mirë që tregon se sa të rëndësishëm e efektiv kanë qenë këto aksione policorë, është rritja e ndjeshme e formalizimit të futjes së mallrave serbë në Kosovë në tremujorin e parë të këtij viti në krahasim me atë të vitit të kaluar.

Këto sulme mund të shihen si reaksion i aksionit të suksesshëm policor. Sa më efektiv aksioni policor, aq më radikalë bëhen kriminelët dhe kontrabanduesit. Pse ndodh kjo?

Mafia serbe e veriut nuk ka interesa të pastra ekonomike. Përfitimi ekonomik vjen veç si monedhë që mban gjallë krimin e organizuar, i barabartë ky me strukturat paralele serbe. Krimi i organizuar synon cënimin e rendit dhe sigurisë në Kosovë. Interesi i mafias serbe është të mbajë nën presion popullsinë serbe të Kosovës dhe t’i mbajnë pa rend komunat me shumicë serbe, në veçanti veriun.

Lexo më shumë  Kurti: Trashëgimtarët e Millosheviqit në Beograd refuzojnë t’i hapin arkivat për t’i zbuluar lokacionet e varrezave masive

Distanicimi i Listës Serbe dhe strukturave serbe me shtetin e Kosovës deri në sulme që cënojnë jetën e efektivëve tregon distancimin që shteti i Kosovës ka vendosur me këto struktura kriminale dhe me Beogradin zyrtar që i udhëzon. Këto struktura janë po ato që kanë qenë, por jo shteti i Kosovës. Agresiviteti i strukturave kriminale është në raport të drejtë me përparimin e Kosovës. Sa më shumë përparin Kosova, aq më të rrezikshëm bëhen “ushtarët” e Vuçiqit në Kosovë. Dhe jo pa të drejtë. Ky kriminalitet mund të lulëzojë vetëm kur elementi kriminal drejton në thelb shtetin e Kosovës. Përparimi i Kosovës është rrezik deri në ekzistencë për shovenizmin e kryqëzuar në mënyrë të pandashme me krimin e organizuar.

Raportimet e mediave serbe janë gjithmonë selektivë me ngjarjet në Kosovë. Sulmin e 16 korrikut ndaj Policisë së Kosovës e kanë raportuar pjesa më e madhe e mediave serbe. Raportimi ka qenë informativ, por i pjesshëm. Ajo që bie në sy është fakti që mediat serbe raportojnë vetëm rastet kur të dëmtuar janë kriminelet apo kontrabandistët serbë. Shfletimi i mediave serbe nuk të jep asnjë të dhënë mbi kërcënimet apo gjobvëniet ndaj serbëve të veriut të Kosovës nga bandat e Listës Serbe në kohë zgjedhjesh elektorale apo mbi kriminalitetin sporadik apo sistemik të ushtruar nga këto banda ndaj serbëve të veriut. Ndodhia ndaj qytetarit serb të Kosovës është lajm veç kur qytetari është mafioz.

© Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *