E kërkojnë disa klube në Angli, Tuchel flet për të ardhmen e Brojës
Trajneri i Chelsea, Thomas Tuchel, ka këmbëngulur se nuk ka ndërmend që ta shesë Armando Brojën, të cilin e kërkojnë West Ham, Everton dhe Newcastle.
“Armando është lojtari ynë dhe për momentin, nuk kemi interes që ta shesim. Është këtu me ne për të na treguar se çfarë di të bëjë, pas një sezoni si i huazuar. Kjo është situata aktuale e tij. Fakti që klube të tjera interesohen për të, tregon se ka talent dhe potencial”, tha gjermani.
Sulmuesi shqiptar ndodhet aktualisht në SHBA me “Blutë” e Londrës për fazën përgatitore, por e ardhmja e tij në “Stamford Bridge” është e paqartë, pavarësisht se ka firmosur një kontratë afatgjatë me klubin verën e kaluar.
Drejtuesit e Chelsea kanë vendosur që ta vëzhgojnë 20-vjeçarin në miqësoret e ardhshme e më pas të vendosin nëse do ta mbajnë apo ta shesin. Tuchel saktësoi se Broja nuk do të huazohet më dhe nëse largohet, do ta bëjë vetëm nëse blihet përfundimisht nga një tjetër klub. Sezonin e kaluar, Broja luajti i huazuar te Southampton.
Rruga Press