Bota

Europol: Terrorizmi mbetet kërcënim real për Bashkimin Evropian

Intensiteti i sulmeve ka rënë, por terrorizmi mbetet kërcënim për Bashkimin Evropian, për shkak të luftës në Ukrainë dhe rritjes së propagandës gjatë pandemisë së koronavirusit, vlerëson agjencia evropiane e policisë, Europol, në raportin e ri për sigurinë.

Numri i përgjithshëm i sulmeve të suksesshme, të penguara dhe të dështuara ka qenë 15 në vitin 2021, që do të thotë dukshëm më pak se 57, sa kanë qenë në vitin paraprak, bën të ditur Europol.

Sipas kësaj agjencie me seli në Hagë, kjo ka ndodhur për shkak të rënies së konsiderueshme të numrit të sulmeve që karakterizohen si terrorizëm i krahut të majtë.

Megjithatë, pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe ndikimi i pandemisë COVID-19 paraqesin kërcënime për sigurinë në vitet në vazhdim, thuhet në raport.

“Konstatimet e raportit konfirmojnë se terrorizmi mbetet kërcënim real dhe i pranishëm në BE”, tha në një deklaratë shefja e Europol-it, Catherine De Bolle.

“Në një kohë të trazirave gjeopolitike, BE-ja duhet t’u përmbahet masave të saj kundër terrorizmit më shumë se kurrë”, tha ajo.

“Nuk ka dyshim se ndryshimet gjeopolitike dhe pasojat e agresionit të Rusisë në Ukrainë do të kenë ndikim të gjatë në sigurinë e BE-së”, shtoi De Bolle.

Sipas saj, lufta tashmë ka tërhequr disa individë të radikalizuar nga vendet anëtare, të cilët u janë bashkuar të dyja palëve ndërluftuese, njofton Radio Evropa e Lirë.

Lexo më shumë  “I famshëm” për qëndrimet kundër NATO-s/ Zgjedhjet presidenciale në Rumani, kandidati pro rus është favorit

De Bolle tha se konflikti ka të ngjarë të shkaktojë reagime dhe nxitje të dhunshme ekstremiste, sidomos në internet.

Ajo tha se vendet evropiane duhet të marrin mësime nga e kaluara, kur luftëtarët e huaj janë kthyer nga fushëbetejat në Lindjen e Mesme.

Sipas raportit të Europol-it, pandemia COVID-19 i ka bërë veçanërisht të rinjtë dhe të miturit të cenueshëm ndaj radikalizmit, për shkak të izolimit social dhe kohës së kaluar në internet.

Në vitin 2021, në BE janë arrestuar 388 persona të dyshuar për vepra penale që lidhen me terrorizmin.

Më shumë se dy të tretat e arrestimeve – 260 – janë bërë pas hetimeve për shkelje të ligjeve që lidhen me terrorizmin xhihadist në Austri, Francë dhe Spanjë, thuhet në raportin e Europol-it.

Situata në Ballkanin Perëndimor

Në vitin 2021, vetëm një incident i dhunshëm në Ballkanin Perëndimor, i lidhur potencialisht me xhihadizmin, është raportuar në Europol.

Bëhet fjalë për një ngjarje që ka ndodhur më 19 prill të vitit 2021, kur një shtetas i Shqipërisë, 34 vjeç, është arrestuar nën akuzën për terrorizëm, pasi ka goditur me thikë pesë persona në një xhami në Tiranë.

Gjatë gjykimit, i dyshuari është cilësuar si i papërgjegjshëm dhe është dërguar në një spital psikiatrik.

Lexo më shumë  Zyrtari i lartë i NATO-s u bën thirrje bizneseve të përgatiten për ‘skenarë lufte’

Sipas raportit të Europol-it, metodat e përdorura për radikalizëm pasqyrojnë skenarin kompleks politik në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku çështjet që lidhen me identitetin etnik dhe fetar, kombinohen me vështirësitë ekonomike dhe sociale.

Grupet e radikalizuara dhe ekstremiste në rajon zakonisht janë të vogla dhe të udhëhequra nga individë, që anëtarët e grupit i pranojnë si autoritete fetare.

Sipas vlerësimeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, grupet dhe individët selafistë, që mbrojnë një interpretim ultra-konservator dhe ekstremist të Islamit, mbeten shtytësit kryesorë të radikalizmit në rajon, thuhet në raportin e Europol-it.

Brenda komuniteteve selafiste është vënë re se predikuesit aktivë në “xhamitë paralele” dhe tubimet joformale promovojnë dhunë, ndërsa të kthyerit nga Siria dhe zona të tjera të konfliktit kanë vazhduar të përhapin ideologji xhihadiste.

Sipas Europol-it, disa vende të Ballkanit Perëndimor kanë konfirmuar trendin e viteve të kaluara, sipas të cilit, disa grupe ekstremiste e paraqesin veten si organizata joqeveritare që “punojnë për qëllime humanitare”.

Duke u vendosur në këtë pozitë, ato mbledhin donacione, të cilat më pas u kanalizohen përkrahësve ose simpatizantëve të ideologjive radikale.

Gjatë vitit 2021, disa të dyshuar janë kthyer nga zonat e konfliktit në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *