Çmimi i naftës bie në bursa, por bordi i Ramës ‘mbyll sytë’
Çmimet e naftës në bursa kanë shënuar rënie ditët e fundi, por kjo nuk është reflektuar ende në tregun vendas.
Sipas ‘S&P Global Platts’, treguesi Platss, që është referenca me të cilën punojnë importuesit shqiptarë dhe që merret si bazë nga Bordi i transparencës për llogaritjen e çmimit, ishte në 3 korrik 1,181 dollarë për ton. Ndonëse në rritje të lehtë me një ditë më parë, në raport me fundin e qershorit treguesi është ulur me rreth 100 dollarë për ton, apo me 8.3%.
Ndërsa në tregun vendas, çmimi me pakicë i naftës, i cili që prej fillimit të marsit caktohet nga Bordi i Transparencës ka mbetur në nivelin e 240 lekë për litër, që nga data 8 korrik.
Sipas grafikut krahasues të çmimeve të naftës në bursa dhe në tregun vendas (Nafta në bursa dhe tregun vendas, Shkurt 2022- 13 korrik 2022), herën e fundit që nafta ishte në këto nivele në bursat ndërkombëtare, në datën 26 maj, në tregun vendas ishte 230 lekë për litër, ose 10 lekë më pak se aktualisht.
Ndërsa në raport me nivelet e njëjta, në mes të muajit prill, nafta sot është rreth 20 lekë më e shtrenjtë.
Nga grafiku rezulton që ‘historia përsëritet’: çmimet rriten me shpejtësi kur nafta shtrenjtohet në Bursa, ndërsa ritmet e uljes janë më të ngadalta, jo si referencë kohore më shumë, sesa në vlerë.
Bordi
Në datën 8 mars, çmimi i naftës kërceu në 260 lekë për litër në tregun vendas, duke arritur një rekord historik maksimal, me rritje 35% nga fundi i shkurtit kur karburanti kushtonte 192 lekë.
Shtrenjtimi erdhi pasi treguesi Platts në bursa, që shërben si referencë për blerjet e importuesve shqiptarë, arriti në 1418 dollarë për ton, si rrjedhojë e problemeve me furnizimin global që shkaktoi sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, nga rreth 850 dollarë që ishte në fund të muajit shkurt.
Pas protestave për rritjen e fortë të çmimeve, që janë më të lartat në rajon (edhe për shkak të taksave të larta që rëndojnë për një litër), qeveria krijoi Bordin e Transparencës, që fiksonte në mënyrë periodike çmimet e bursës, bazuar në një formule që merr për bazë çmimet e blerjes në bursa (treguesi Platts), taksat, kostot operative dhe një marzh fitimi.
Shoqata e Hidrokarbureve: Nëse nuk do të ndërhynte Bordi, çmimi i naftës do të ishte 12 lekë/litër më i lirë
Për ndërhyrjen evazive të Bordit ka reaguar edhe Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, duke thnë se fiksimi i çmimeve nga Bordi vetëm sa ka qenë në dëm si të kompanive, ashtu dhe të konsumatorëve, teksa u ka dhënë operatorëve më pak mundësi të blejnë me eficiencë, duke bërë që çmimet e fiksuara të jenë realisht më të larta sesa do të ishin nëse tregu do të lihej i lirë. “Për shkak të ndërhyrjeve të Bordit, çmimi i naftës në tregun vendas është të paktën 5% më i shtrenjtë sesa do të ishte nëse do të vendosej vetë nga tregu”, tha Shoqata.
“Çmimi në bursa shënon luhatje të mëdha, me +- 200-300USD/ton. Në një treg të lirë, secili operator, me studimin që u bën tregjeve merr rrezik të mbyllë kontrata në momentin e uljes së tregut. Por në kushtet që Bordi qëndron mbi kokë nuk guxon askush të bëjë blerje më shumë se nevojat ditore se ka frikë se një rënie më e madhe e kalon direkt në humbje e pa mundësi shitje. Nuk ka vend në botë që çmimi të lëvizë në treg të pakicës çdo ditë. Edhe në vendet që përpiqen ta bëjnë kontrollin e çmimit në ekstrem lëvizjet i bëjnë maksimumi një herë në muaj, kur tregu ka tendencë të fortë. Kjo që bën Bordi ynë është e paprecedentë. Është pa kuptim që dikush në orën 5 pasdite e blen naftën 243 lekë e në orën 6 pasdite, një tjetër e blen me 252 lekë”.
Po falimentojnë të vegjlit dhe po rritet evazioni
Shoqata thotë së kjo ndërhyje në çmime po dëmton më shumë kompanitë e vogla, që po i çon drejt falimentimit.
Ndërkohë operatorët pohojnë se është rritur evazioni, sidomos nga pikat e vogla nëpër rrethe. Ndryshimi i çmimeve po i falimenton të vegjlit, se nëse kanë gjendje me çmim të lartë dhe Bordi ditën tjetër ul çmimin, kjo po bën që ata të manovrojnë me sasitë e deklaruara në pompa.
Rruga Press