KryesoreLajme

BE-ja konsideron ndalimin e grupeve të ekstremit të djathtë në Ballkan

Bashkimi Evropian tërheq vëmendjen për rritjen e rrezikut nga grupet e ekstremit të djathtë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në një dokument të brendshëm të bllokut, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, përmendet mundësia e ndikimit të Rusisë te këto grupe, por edhe mundësia e ndalimit të disa prej tyre.

Megjithatë, është e paqartë nëse “ndalesa” nënkupton ndalimin e veprimeve të këtyre grupeve, apo ndalimin e hyrjes së pjesëtarëve të tyre në territorin e BE-së.

Dokumenti është përgatitur për debat në Grupin punues kundër terrorizmit në Këshillin e BE-së, ku është diskutuar përparimi në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit në rajon. Debati është zhvilluar në nivelin më të lartë të konfidencialitetit në BE.

Edhe pse përsëritet se kërcënimi kryesor për sigurinë në Ballkanin Perëndimor vjen nga ekstremizmi islamik dhe riintegrimi i luftëtarëve që kthehen nga Lindja e Mesme, në dokument përmenden edhe grupet ekstreme, të lidhura me Rusinë, të cilat cilësohen edhe si grupe të krishtera ortodokse.

“Manifestime etno-nacionaliste dhe forma të tjera të ekstremizmit të djathtë janë të pranishme dhe paraqesin kërcënim në rritje për rajonin – me incidente të dhunshme në vitet e fundit. Në të njëjtën kohë, ne nuk mund të harrojmë se sfida më e madhe e sigurisë në Ballkanin Perëndimor është ekstremizmi islamik dhe riintegrimi i luftëtareve të huaj terroristë, të kthyer nga luftërat [në Lindjen e Mesme]”, thuhet në këtë dokument.

Lexo më shumë  I nominuari i Trumpit për shef të Pentagonit sulmon NATO-n e OKB-në

Aty, po ashtu, thuhet se ekstremistët e krahut të djathtë nuk janë të pranishëm në nivel të njëjtë në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe se ekstremistët lokalë kanë forma të ndryshme të organizimit, si për shembull: grupe radikale të tifozëve të futbollit, mbështetës radikalë të pan-sllavizmit të ndryshëm, nacionalistë apo lëvizje radikale.

“Shpesh është shumë vështirë të bëhet dallimi mes së djathtës dhe së majtës ekstreme në Ballkanin Perëndimor. Shumë lëvizje të ekstremit të djathtë në Ballkanin Perëndimor kanë neveri ndaj NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Në anën tjetër, ato kanë simpati të madhe për Federatën Ruse”, thuhet në dokument.

Një arsye për rritjen e mosbesimit ndaj Perëndimit, sipas dokumentit, janë lidhjet e forta që Rusia i ka ndërtuar me popullatën krishtere ortodokse në rajon.

“Rusia e paraqet veten si mbrojtëse të disa kombeve të veçanta, por edhe të grupeve të krishtera ortodokse në rajon”, shkruan ky dokument i brendshëm i BE-së.

Sipas tij, lufta e Rusisë në Ukrainë i ka nxjerrë në pah këto lidhje.

“Disa mbështetës të grupeve të ekstremit të djathtë kanë shkuar për të luftuar në luftën në Ukrainë – sipas të gjitha gjasave, në anën e Rusisë”, thuhet në dokument.

“Sipas disa burimeve, organizatat e së djathtës ekstreme, si ‘Gjaku dhe nderi’ apo ‘Lufta 18’, janë ende aktive në rajon. Përballë kësaj situate, diskutimi për efikasitetin e ndalimit të disa subjekteve ekstremiste në vendet e Ballkanit Perëndimor mund të merret në konsideratë”, thekson dokumenti.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Në BE thonë se për t’u përballur me këto kërcënime serioze të sigurisë në rajon, është i nevojshëm një bashkëpunim më i madh edhe midis autoriteteve të vetë vendeve të rajonit. Për këtë tashmë ekziston Plani i përbashkët i veprimit për luftë kundër terrorizmit.

Ekspertët e BE-së, siç thuhet në dokumentin në fjalë, tërheqin vërejtjen edhe për rritjen e aktiviteteve online të grupeve të ekstremit të djathtë në Ballkan, me qëllim të shpërndarjes së propagandës së tyre dhe krijimit të lidhjeve me jashtë.

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga vendet anëtare që të mbledhin informacione për veprimet e grupeve të ekstremit të djathtë në territoret e tyre, për veprimet e tyre edhe në radhët e diasporës në vendet e BE-së, si dhe për lidhjet e mundshme të grupeve të ekstremit të djathtë nga Ballkani Perëndimor me grupet e ngjashme në vendet e Bashkimit Evropian.

Ndonëse në dokument nuk përmenden me emra vendet e rajonit, ku ekziston rreziku dhe kërcënimi nga grupet e ekstremit të djathtë nën ndikimin e Rusisë, disa diplomatë evropianë thonë për REL-in se më së shumti bëhet fjalë për Serbinë, entitetin e Republika Sërpskës në Bosnje e Hercegovinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe pjesën veriore të Kosovës. Në anën tjetër, “sfidë për sigurinë” konsiderohet edhe riintegrimi i luftëtarëve nga Kosova, Bosnje e Hercegovina, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, që, viteve të kaluara, u janë bashkuar grupeve terroriste në Siri dhe në Irak./REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *