Opinion/Aktualitet

Ndoshta vota e emigrantëve është shpresa e fundit që i kanë mbetur Shqipërisë në rrugëtimin e saj europian…

Nga Erion Dasho

Në nëntor 2020 u organizuan zgjedhjet presidenciale në Moldavi. Mbaj mend si sot radhën e stërzgjatur të emigrantëve moldavë në Frankfurt para sallës së sportit ku ishte organizuar votimi.

Fletët e votimit mbaruan brenda pak orëve sepse çdo ambasadë kishte marrë vetëm 5,000 fletë duke menduar se aq do të mjaftonin. Votuesit morrën vesh se në Strasburgun fqinjë kishte akoma fletë votimi dhe një autokolonë makinash u nis menjëherë për atje.

Rezultati i mobilizimit të diasporës ishte spektakolar. Në raundin e para kandidatja pro-europiane, Maia Sandu fitoi me aq diferencë sa ishin votat e diasporës. Diaspora votoi mbi 95% për Sandu-n.

Sot Moldavia kundër çdo parashikimi (sigurisht e ndihmuar edhe nga gjeopolitika) është kandidate për BE, ka nisur një reformë në drejtësi reale dhe jo sa për show, dhe më pak se një muaj nga pranimi si vend kandidat mori transhin e parë të investimeve europiane që pritet të jenë në nivelin e disa qindra milionë euro vetëm këtë vit.

***

Palaçot rilindas të politikës shqiptare kanë 10 vjet që tallen me votën e diasporës. E premtuan në fushatën e vitit 2013 dhe më pas në çdo fushatë pasardhëse, caktuan edhe ministër diaspore, organizuan edhe tubime diaspore, por votën e diasporës asnjëherë nuk e mundësuan.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Pse?!

Është e qartë se politikës shqiptare i pëlqen status quo-ja. Vota e intimiduar, e blerë apo e vjedhur u garanton rilindësve pushtet të përjetshëm. Përbaltja e çdo force të re apo politikani të ri që mundohet të dalë në sipërfaqe është bërë tashmë modë. Anatemimi i opozitës jo me ide programatike por me argumentë periferikë po ashtu.

Në këto kushte, një nga mundësitë e pakta që unë shoh për të dalë nga inercia (ndoshta e vetmja) është pikërisht vota e diasporës.

E atyre miliona shqiptarëve që janë larguar nga vendi, pjesa dërrmuese jo me dëshirë.

E atyre që nëse do të shohin pak shpresë për ndryshim në Shqipëri, janë të gatshëm të rikthehen duke sjellë jo kapitale (sepse një emigrant i ndershëm nuk fiton dot miliona euro) por kapitalin njerëzor që aq shumë nevojitet sot në Shqipëri.

E atyre që janë të gatshëm si qytetarët moldavë para dy vitesh të trazojnë ujërat e politikës shqiptare.

***
Çuditërisht shoh opinione edhe midis analistëve dhe mendimtarëve të cilët i çmoj të cilat janë kundër votës së diasporës. Argumenti kryesor është “përse dikush që nuk jeton në Shqipëri, duhet të imponojë qeverisjen në vend?”

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Nëse votuesit në Shqipëri do të ishin treguar të zotë në zgjedhjen e qeveritarëve, nëse do të kishin refuzuar presionet, blerjen apo grabitjen e votës, ky argument edhe mund të qëndronte.

Por në kushtet kur akoma ka njerëz që për 100 euro shesin votat e gjithë familjes, a nuk ka peshë me shumë vota e një emigranti që mezi pret rikthimin dhe zgjedh me integritet midis alternativave politike?!

***
Shqiptarët në emigracion dhe diasporë duhet të votojnë në vitin 2025 apo edhe më herët nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe për këtë puna duhet të nisë që sot.

Jo zgjedhje të tipit të parlamentit zogist ku miliona shqiptarë në emigracion votojnë për 2 ose 3 deputetë, por zgjedhje ku vota e emigrantit ka të njëjtën vlerë e peshë me votën e çdo shqiptari tjetër dhe ku vullneti politik i emigrantëve manifestohet qartë dhe prerë.

Ndoshta vota e emigrantëve është shpresa e fundit që i kanë mbetur Shqipërisë në rrugëtimin e saj europian…

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *