Të protestosh për Srebrenicën në Beograd, lyhesh “me gjak”
Një burrë i cili u prezantua si postier derdhi bojë të kuqe në derën e ambienteve të një organizate joqeveritare nga Beogradi.
Një burrë i cili u prezantua si postier ka derdhur bojë të kuqe në derën e organizatës joqeveritare Gratë në të Zeza të martën rreth orës 14:55, njoftoi organizata nga Beogradi.
“Ky sulm ka ndodhur vetëm një ditë pas 27-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë dhe aktiviteteve të shumta të organizuara nga Gratë në të Zeza më 10 dhe 11 korrik 2022”, thuhet në njoftimin e organizatës në rrjetin social Facebook.
Organizata thekson se ishte sulmi i tretë në ambientet e Grave në të Zeza që nga tetori i vitit 2021.
“Deri më tani asnjë nga këto raste, si dhe sulmet e shumta nga e kaluara, nuk janë ndjekur penalisht. Konteksti në të cilin ndodhi sulmi është klima e mosndëshkimit, të cilën e përhap dhe e mban regjimi në pushtet në Serbi, me në krye Aleksandar Vuçiçin, si në nivel shtetëror ashtu edhe në nivel shoqëror”, thuhet në njoftim.
Ata vlerësuan se pas këtij sulmi, të cilin e ka kryer një autor i panjohur, “legjitimojnë institucionet shtetërore që lejojnë dhe ushtrojnë dhunë ndaj të gjithë atyre që i shohin si disidentë politikë”.
“Nëse institucionet kompetente këtë herë nuk bëjnë asgjë në mënyrë që sulmuesi të identifikohet dhe më pas të ndiqet penalisht, me mosveprimin e tyre edhe një herë do të tregojnë se po mbyllin sytë ndaj dhunës që i ekspozohen vazhdimisht Gratë në të Zeza, por edhe po inkurajojnë dhe nxisin sulme të reja”, tha kjo OJQ serbe.
Ata gjithashtu theksuan se, pavarësisht nga të gjitha kërcënimet dhe sulmet e hapura, Gratë në të Zeza do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për viktimat dhe dënim për autorët e gjenocidit të kryer në Srebrenicë në korrik 1995 dhe për të gjitha krimet e tjera.
Rruga Press