Mungesa e investimeve në Mbrojtje: Ushtria Britanike me synime të reja por me pajisje luftarake “të ndryshkura”
Në vitin 1905, sekretari i ri i shtetit britanik për luftën Richard Haldane, bëri një pyetje të thjeshtë: “Për çfarë shërben ushtria?”
Lufta e boerëve dhe britanikëve kishin përfunduar, por problemet kishin filluar të shfaqeshin në Europë. Haldane organizoi forcat e armatosura që u dërguan në Francë më pak se një dekadë më vonë.
Tani, me ushtrinë në grahmat e një krize tjetër identiteti, gjenerali i saj më i lartë dëshiron ta zgjidhë sërish këtë çështje.
Më 28 qershor, gjenerali Patrick Sanders, i cili në fillim të atij muaji ishte bërë shef i shtabit të përgjithshëm (kreu i ushtrisë, një shkallë më poshtë nga shefi i shtabit të mbrojtjes, i cili mbikëqyr të tre shërbimet), iu drejtua Institutit të Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore (rusi), një think-tank në Londër.
“Ky është momenti ynë i vitit 1937,” paralajmëroi ai, duke treguar pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
“Duke filluar nga tani ushtria do të ketë një fokus të veçantë – të mobilizohet për të përballuar kërcënimin e sotëm dhe në këtë mënyrë të parandalojë luftën në Europë.” Procesi do të njihet si Operacioni i mobilizimit.
Synimi është të “zhduken” debatet rreth qëllimit të ushtrisë që janë përhapur që kur Britania përfundoi kryesisht luftën e saj afgane në 2014. Gjatë pandemisë Covid-19 ushtria ndërtoi spitale të shumta.
Një rishikim i mbrojtjes vitin e kaluar tërhoqi vëmendjen ndaj një Regjimenti të ri Ranger, i krijuar për të trajnuar forcat lokale, siç janë qeveritë afrikane që luftojnë xhihadistët. Ushtria do të kishte qendra globale deri në Brunei – pjesë e planit të qeverisë në Indo-Paqësor për të kundërshtuar fuqinë në rritje të Kinës dhe për të ndërtuar lidhje me ekonomitë aziatike.
Gjenerali Sanders tani premton “përparësi të pamëshirshme”, me supozimin se ushtria do të duhet të luftojë përgjatë frontit lindor të NATO-s, ose në krahët veriorë ose jugorë të aleancës në Arktik dhe Mesdhe.
“Mendoj se ideja që ushtria do të shkojë në Paqësor për të luftuar kundër kinezëve tashmë nuk ekziston më,” tha William F. Owen, një ekspert që ka këshilluar ushtrinë dhe është redaktor në revistën e Strategjisë Ushtarake.
“Është pothuajse një hap prapa në ushtrinë Britanike të Rhine,” shtoi ai, duke iu referuar forcave që ruanin Gjermaninë nga viti 1945 deri në 1994. Lufta e informacionit dhe lufta kibernetike, të cilat gjenerali Sanders i mbikëqyri në punën e tij të mëparshme, mund të jenë vartësi deri tek ushtari bazë.
Por ushtria ruse ka mungesa për i përket artilerisë së rëndë, dronëve, sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe aftësive të tjera që kanë rezultuar të domosdoshme për të dyja palët në Ukrainë.
Aftësia e manovrimit të armatimit të kombinuar të ushtrisë – aftësia për të kombinuar armaturën, këmbësorinë, fuqinë e zjarrit dhe armë të tjera luftarake është “tashmë një temë për të qeshur në Estoni”, tha një ish-zyrtar, pavarësisht premtimit të fundit të Britanisë për të vendsour një brigadë në mbrojtjen e atij vendi.
Për më tepër, në armatosjen e Ukrainës, Britania ka harxhuar rezervat e saj të raketave antitank dhe armëve të tjera. Nëse shifrat e disponueshme publikisht janë të sakta, rezervat e saj të municioneve do të zgjasin për dy javë me normat e konsumit ukrainas dhe vetëm dy ditë në ato ruse, sipas Jack Watling nga RUSI.
Këto probleme nuk mund të zgjidhen pa shumë investime. Më 30 qershor, Boris Johnson, kryeministri i Britanisë, premtoi se shpenzimet e mbrojtjes do të rriteshin në 2.5% të PBB-së deri në fund të dekadës, nga pak më shumë se 2% sot por Johnson nuk do të qëndrojë në pushtet për shumë gjatë.
Problemi nuk janë vetëm paratë e gatshme, por edhe prokurimi jofunksional. Vitin e kaluar, si rezultat i hapave të saj të gabuar dhe një rivlerësimit të mbrojtjes, ushtria u detyrua të anulonte një program të dështuar për përmirësimin e automjeteve të saj luftarake Warrior, duke lënë një boshllëk në planet e saj.
Ndërkohë Ajax, një automjet i blinduar nuk është futur ende në shërbim pas 12 vitesh dhe kushton pjesërisht mbi 3.2 miliardë £ për shkak të problemeve me zhurmën dhe dridhjet e tepërta. Siç tregon performanca e pafat e Rusisë në Ukrainë, të kesh armë të avancuara nuk është njësoj si të dish t’i përdorësh ato.
Gjenerali Jones përmendi faktin se si një oficer i ri në Gjermani stërvitej pesë muaj të çdo viti dhe praktikonte rreth 20 kalime të lumenjve dhe pengesa të tjera – pikërisht lloji i përvojës që kërkohet për të luftuar Rusinë në lindje të Europës.
E gjithë kjo ndaloi shumë kohë më parë, tha ai, kryesisht për shkak të shpenzimeve të një trajnimi të tillë. Watling tha se ushtarëve rrallë u jepet leja për të lëshuar drone në stërvitje, kështu që kanë pak përvojë. Ata as nuk kanë shumë informacione dhe nuk janë të trajnuar përballë luftës elektronike.
Ndërsa përballet me këto probleme, ushtria po përpiqet të parashikojë se çfarë lloj lufte mund të luftojë. Gjenerali James Bowder tha se fusha e ardhshme e betejës do të jetë një “garë zinxhirësh vrasëse” të furishme, ku ushtritë do të luftojnë për të manovruar pa u goditur nëse nuk sulmojnë vazhdimisht (si fizikisht ashtu edhe në mënyrë elektronike) komanda, kontrolli dhe logjistika e armikut.
Lufta urbane është prioritet. Qytetet, sipas tij do të jenë strehë për survejimin e armikut. Këto supozime do të testohen në një seri betejash gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Në teori, Projekti Wavell ka të bëjë me ushtrinë e viteve 2030. Por ndjenja e emergjencës shihet shumë qartë në analogjinë e gjeneralit Sanders me 1937, viti i pushtimit të Mançurisë nga Japonia, dy vite para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore në Europë.
Ushtria do të ishte gati për më të keqen, tha ai në fjalimin e tij: “Do të kem një përgjigje për nipërit e mbesat e mia nëse do të pyesin ndonjëherë se çfarë kam bërë në 2022-shin”. /Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al/
Rruga Press