Kroacia bëhet anëtari i 20-të i Eurozonës
Ministrat e Financave të BE-së dhanë sot miratimin përfundimtar për anëtarësimin e Kroacisë në eurozonë, duke i mundësuar asaj të miratojë përdorimin e monedhës së përbashkët nga janari 2023 e në vazhdim.
“Fakti që Kroacia do të bëhet anëtari i 20-të i zonës së Bashkimit Monetar Evropian është gjithashtu një sinjal i qartë se integrimi evropian është në vazhdimësi, pavarësisht të gjitha sfidave me të cilat po përballemi”, tha Zdravko Marić, ministri kroat i Financave në largim.
Formalitetet e sotme plotësojnë procedurën shumëvjeçare të anëtarësimit, e cila kërkon që vendet të respektojnë një sërë kriteresh si çmimi, kursi i këmbimit dhe stabiliteti i normave të interesit, si dhe disiplina buxhetore dhe ndalimi i financimit monetar.
Kroacia do të fitojë gjithashtu një vend në tryezën e Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore Evropiane — si vëzhguese nga shtatori e tutje dhe si një anëtare me të drejta të plota në janar.
“Është një klub i mrekullueshëm, por kërkon angazhim, përkushtim dhe respektim të vazhdueshëm të rregullave dhe ne e dimë se mund të presim jo më pak nga Kroacia”, tha presidentja e BQE-së, Christine Lagarde.
Rruga Press