Kurti: Serbia paturpshëm po e mohon gjenocidin në Srebrenicë
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se ajo që ka ndodhur në Srebrenicë më 1995 nuk është asgjë më pak se gjenocid dhe ai paturpshëm po mohohet nga Serbia.
Në 27-vjetorin e gjenocidit, Kurti ka shkruar se dëmi i shkaktuar nuk mund të riparohet.
“Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi i Srebrenicës është i shumëfishtë. Ai shkon përtej 8.273 burrave dhe djemve të vrarë. Përtej 30 mijë fëmijëve e pleqve të abuzuar e të shpërngulur me dhunë. Dëmi i shkaktuar transferohet secilin vit te dhimbja e nënave. Lotët e motrave. Traumat e përjetuara. Vuajtjet e pakontrolluara. Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi nuk mund të riparohet. Por ai mund të njihet duke u pranuar. E në kohën kur jetojmë ne, viktimave u vendoset kripë në plagë secilën ditë kur gjenocidi i Srebrenicës mohohet paturpshëm nga Serbia”, ka shkruar Kurti të hënën në Facebook.
Më 11 korrik 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8300 burra paarmatosur.
“Në kohëra si këto, duhet të kujtojmë që hapi i parë i përsëritjes së gjenocidit është mohimi. Andaj duhet të jemi të vëmendshëm e të zëshëm në përkujtimin tonë dhe kërkesat tona për njohje dhe përulësi ndaj një prej gjenocideve më makabre të ndodhur në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore”, ka shkruar Kurti.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar kohë më parë një rezolutë që njeh dhe dënon gjenocidin në Srebrenicë. Njëjtë kanë vepruar edhe shumë vende të tjera të rajonit dhe më gjerë, por jo edhe Serbia.
Rruga Press