LIBRI I JAVËS/HISTORI E SHKURTËR E ESTETIKËS – ELIO FRANZINI, MADDALENA MAZZOCUT-MISS
Parathënie
Një përshkim në estetikë
Hyrje
Vështirësia e parë, kur duhet të parathuhet studimi i një disipline filozofike, apo në përgjithësi shkencore, lind te krahasimi dhe dallueshmëria e saj me mjedise të tjera teorike dhe historike. Kështu, çdo herë që përpiqesh të kufizosh në minimum termat dhe të qartësosh paraqitjet e ligjëratave të ndërlikuara, ndeshja me traditën, megjithëse e nevojshme, rrezikon t’i zerë frymën planit parathënës apo ta shpërngulë atë te zënka mes metodave, pikëvështrimeve, ideologjive. Do të qe e mjaftueshme, për shembull, të ndalemi në tre terma shumë delikatë për estetikën si teori, histori dhe shkencë, megjithëse që nga Baumgarten te Kant, nga Dessoir te Croce, kanë përshkuar rrugëtimin përbërës të saj. Menjëherë mund të ndizen polemika dhe dyshime, duke debatuar nëse është vërtetë e mundshme ndarja e mjediseve në brendësinë e një disipline, apo nëse ajo është së paku një “shkencë”. Të biesh në rrathë viciozë, apo në një pafundësi të keqe, do të ishte këtu shumë e lehtë.
Jo për këtë, gjithsesi, duhet menduar që pyetjet mbi kuptimin historik, teorik dhe shkencor të estetikës janë të kota apo të pasakta. Në të kundërt, vetëm duke iu përgjigjur këtyre pyetësorëve mund të bëhesh i vetëdijshëm për një përshkim, për një gjenezë, për një traditë, duke shmangur rrezikun e shtigjeve të ndërprera, apo elozhet për gjurmët që do të çonin estetikën ngado, përveçse atje ku e kanë çuar horizontet e saj të veçanta filozofike.
Pyetjeve të tilla tani nuk është e lehtë t’u përgjigjesh: estetika është për vetveten, siç do shihet, një territor me të duash t’i ngulisësh në mënyrë të paravendosur në brendësinë e një rrjete të rreptë mund të përbëjë një rrezik metodologjik, i cili se paku mund të fshehë faktin se gjerësia e fushës është për estetikën një element gjenetik dhe jo rezultat i një turbullire programatike, e zotëruar nga një çrregullsi përbërëse. Për të shmangur rreptësinë e një përshkimi të larmishëm dhe të ndërlikuar do të jenë pra këtu, si me thënë, “vetë gjërat” që do të flasin: si rrjedhat tradicionale historiografike, po ashtu edhe fjalë çelësat parësorë të estetikës do të dinë të tregojnë kuptimin filozofik dhe pjesën historike në panoramat filozofike.
Vetëm në vijim do të jepet mundësia për të kërkuar një “përkufizim” për estetikën: por një përkufizim që, megjithatë, nuk do të mundet kurrë të thotë atë që ajo është, me ontologji të saktë.
Estetika nuk është një botë e mbyllur porse një përshkim që nuk mbaron, që nuk kërkon një të vërtetë mbikohore, por shtrihet në një dialog që shkon në kërkim të të vërtetave lokale, që ndeshen mes tyre, gjithnjë në bashkëlidhje me qëndrime të ndryshme teorike. Sepse, siç dihet, nuk ekziston e vërtetë pa dikë që e ka profetizuar pa një objekt të cilit t’i referohet.
Është e qartë, megjithatë, se thuajse tërësia e parathënieve mbi historitë e estetikës apo të mjeteve të saj “parathënëse” kanë kërkuar paraprakisht të thonë atë që është estetika, duke vendosur lidhje me të shkuarën apo duke rrezikuar farefisni me doktrinat e afërta. Ky model këtu “vihet në thonjëza” dhe, që të nisim të flasim estetikën, kufizohet, në nisje të ligjëratës, te paraqitja e saj si një rajon ku ndërthuren linja, rrugë, shtigje në të cilat duhet të orientohesh Te ndjekësh këto linja nuk do të thotë, sigurisht, të zotërosh një dije absolute mbi territorin, por thjesht të fitosh disa kritere që të mund të ofrosh një përshkrim thelbësor.
Qëllimi i parë i kësaj pune është, pra, ai i përshkrimit të fushave të estetikës, duke kufizuar në minimum pohimet kritike dhe interpretuese. Përshkrimi nuk ka një funksion normative por dëshiron vetëm të jetë një mjet që lexuesi të mund, duke u gjendur në një shteg, të ndërtojë të tjerë, ndryshe të ushtrojë vështrimin e tij.
Përshkimi i estetikës.
Pyetja e parë tradicionale, e cila sjell me vete të tjera pyetje retorike, kërkon kur ka lindur estetika në vetvete, për pasojë, është disiplinë antike moderne?
Ndërkohë është e pamundur të përgjigjesh për lindjen pa vlerësuar domethënien e termit estetikë, domethënie që nuk mjafton ta kërkosh në etimologji, por që kërkon të qartësohet si në kuptimin e filozofik, ashtu edhe në kuptimin e saj të zakonshëm tashmë të stabilizuar.
Të dyja çështjet gërshetohen mes tyre, sepse termi estetikë është, pa tjetër, modern dhe menjëherë të sugjeron se vetë disiplina e ka, në dukje, lindjen e saj modernitet megjithëse rrjedhon nga një fjalë greke.
Në fakt grekët nuk e njihnin termin “estetikë” si emër. Duke u nisur nga fjala aisthethies, që do të thotë “përshtypje”, i kishin bashkëlidhur mbiemrin aesthetikë, estetike, e ndjeshme, të cilin Artistoteli ia kundërvendos noéta, pikërisht vetive të veçanta të objekteve të mendimit. Pra estetika nuk është një disiplinë e njohur në lindjen e mendimit klasik oksidenta.
Si e tillë, me emrin që e njohim sot, lind më 1735, kur një filozof gjerman, Alexander Gottlieb Baumgarten-ndjekës i Leibniz-it dhe Wolf-it, autor i manualeve filozofike shumë të njohura dhe të përdorura në universitetet gjermane (edhe nga Kant-i vetë), duke ndjekur një modë kulturore dhe një ves të veçantë, domethënë atë të të përdorurit të greqizmave, duke shkruar, gjithsesi, në latinisht, flet për herë të parë për estetikën në veprën e tij Meditime filozofike mbi disa aspekte poemës. Në këtë vepër kushtuar poetikës dhe oratorisë, duke nisur nga paragrafi 115, mbërrihet në një përfundim të rëndësishëm: filozofia poetike pohon Baumgarten është shkenca që drejton te përsosmëria ligjëratën ndjesore. Duhet pra të pandehet te poeti nje cilësi ndjeshmërie inferiore, që duhet të drejtohet nga një “logjikë”.
Por logjika është vlerësuar si shkenca e njohjes filozofike, domethënë superiore. Atëherë duhet të hamendësohet për një “tjetër” logjikë dhe të hipotetizohet se “mund të kihet një shkencë e cila drejton aftesinë njohëse inferiore: ose shkenca e njohjes ndjesore”.[1]
Kështu duke përdorur njohjen e dukshme mes shfaqjeve estetike dhe shfaqjeve noetike[2], në paragrafin 116 Baumgarten përfundon se shfaqjet noetike janë për t’u njohur përmes cilësisë njohëse superiore, pra objekt i logjikës, “ndërsa shfaqjet estetike janë objekt i shkencës estetike domethënë i “estetikës”.[3]
Problemi është rimarrë nga Baumgarten pak vite më pas , në 1750, në një vepër që nuk lë dyshim për domethënien që vetë Baumgarten dëshiron t’i japë “zbulimit” të tij: kjo vepër, në fakt, e ka titullin Estetika. Paragrafi i parë është një përkufizim i vërtetë dhe i veçantë i disiplinës, që ka nja rëndësi shumë të madhe: ” Estetika (ose teoria e arteve liberale, gnoseologjia inferiore, arti të menduarit bukur, arti i analogjisë së arsyes) është shkenca e njohjes ndjesore”[4]. Edhe pa hyrë në veçantitë e mendimit të Baumgarten – it dhe në kontekstin leibnician, në të cilin është i justifikuar një përkufizim i tillë, si përfshin në vetvete pjesën më të madhe të objekteve, të horizonteve dhe të përshkimeve që do të ndjekë estetika. Por në të njëjtën kohë, lejon të shihet në ato mjedise që ishin studiuar ende pa u “zbuluar” emri i tyre, duke u dhënë atyre një horizont shkencor të vetëm, një nënshtrat të përbashkët. Mund të shtrohet pyetja në këtë pikë: kur estetika duhet vlerësuar shkencë antike apo moderne, si ia del Croce të mbërrijë në përfundimin se bëhet fjalë për shkencë moderne, meqenëse “nuk lind përveçse kur përcaktohet në mënyrë të qartë natyra e fantazisë, e paraqitjes, e shprehjes”?[5] Dhe për lindjen e saj, sipas Croce-s, do të ishte profeti i vërtetë jo Baumgarten, i cili, megjithëse i dha emrin “estetikë”, ndërton diçka “bosh” sa i takon një përmbajtjeje vërtetë të re[6], porse italiani Giambattista Vico, i cili “duke vënë mënjanë konceptin e asaj që ka të ngjarë dhe duke e kuptuar në mënyrë të re fantazinë, depërton në natyrën vërtetë të poezisë dhe të artit dhe zbulon, si me thënë, shkencën e estetikës”?[7]
Ndërkohë nuk është e nevojshme të ndërhyhet në këtë grindje mbi të vërtetën “e estetikës”dhe “etërve” të saj, që mbeten, gjithsesi tradicionalisht të paqartë, duke u kufizuar të themi që përkufizimi i Baumgarten-it ka cilësinë e madhe të dyfishtë të individualizojë temat dhe të vendosë një horizont metahistorik për estetikën, duke e rilidhur me një traditë të tërë të mendimit. Në fakt Baumgarten e di, një leibnician mirë, se territori i shkencës së re është, në antikitetin e vet, një territor i rrëmujshëm dhe i paqartë. Por di edhe, dhe e deklaron, se detyra e një horizonti shkencor është pikërisht ai i kërkimit për të sjellë një rend analitik në rrëmujë, në atë fushë të perceptimeve të vogla që, siç kishte pohuar Lebniz në veprën e tij Sprova të reja për inteligjencës njerëzore, i ofrohen një njohjeje e cila, ndonëse nuk është e dallueshme, është absolutisht e qartë. Prandaj Baumgarten pohon se estetika nuk duhet ta këtë frikë pështjellimin, përkundrazi ajo: a)është kusht i patjetërsueshëm për të zbuluar të vërtetën, meqenëse natyra nuk bën kapërcime duke kaluar nga errësira te qartësia. Mesdita vjen nga nata, duke kaluar nga agimi;
b) është pikërisht prej kësaj nevoje të kihet kujdes ndaj këtij pështjellimi, me qëllim që të mos burojnë gabime, siç ndodh konkretisht më ata (dhe sa shumë) që e shpërfillin;
c) të mos e lëvdojmë pështjellimin, por të. “.
synojmë të përsosim njohjen për sa ajo është, siç domosdoshmërisht është, e përzierë paksa me pështjellim”.[8]
Baumgarten pra, përcakton se ai i estetikës, duke qenë estetika shkenca e njohjes ndjesore që është “kompleksiteti i shfaqjeve që gjallojnë poshtë dallueshmërisë”[9], është një terren i turbullt.
Por jo për këtë ai heq dorë nga të listuarit e shfaqjeve që përbëjnë një turbullire të tillë dhe që e kanë përbërë në historinë e njohjes. Shfaqje të tilla të paqarta që i drejtohen “logjikës së ndjesive”, studiohen nga estetika, që dëshiron t’i çojë në përsosmërinë e tyre të veçantë, domethenë në atë shkallë të dijes që programatikisht u kishte shpëtuar antikeve.
Kjo “përsosmëri e njohjes ndjesore” është bukuria, që kësisoj bëhet objekti parësor i estetikës, duke bashkëlidhur meditimet antike me ato moderne. Atëherë, bukuria në të gjitha veçoritë e saj ndjesore është e bashkëlidhur me artin, me përsosmërinë e të bukurës, me imagjinatën për sa i përket analogjisë me arsyen.
Në brendësi të Estetika të Baumgarten-it do të zbulohen, përveç lidhjeve përbërëse me poetikën dhe retorikën, marrëdhënie me shkenca të tjera, me filologjine dhe me hermeneutikën, përveçse edhe me aparate të veçanta kategorike “estetike”.
Atëherë mund të mbërrihet në një përfundim të parë: duke i dhënë një emër një bashkësie kërkimesh të paqarta shekullore dhe që karakterizohen nga paqartësia, Baumgarten lejon të ndërtohet estetika jo vetëm si emër i gjeneruar në gjendje të përmbledhë, laibnicikisht, një “bashkësi në larmishmëri”, në një kuadër të ndrequr harmonikisht, jo vetëm mundëson të njihen në emër kërkimet, antike dhe moderne, mbi të bukurën, mbi artin mbi imagjinatën, mbi sublimen, mbi poetikën apo retorikën, por edhe mbi të gjitha, institucionalizon përtej etimologjisë, thuajse në vulosjen e paqartësisë së saj ekzistenciale, karakterin polisemantik të termit estetikë: polisemantik në të cilën ende edhe sot mbetemi të zhytur.
Atëherë, estetika është duke dashur ta skematizojmë, përtej çështjeve se kur ka lindur apo kush është i ati, shkenca e ndjeshmërisë, e studimit të së bukurës në format e saj të ndryshme, teoria e artit, pika e bashkimit të tipareve ndjesore të poetikës dhe retorikës, disiplina në të cilën ndeshen ato fuqi të njeriut, si imagjinata, të cilat sendërtojnë shfaqje jashtëlogjike. Edhe nëse te Baumgarten e gjejmë rralle termin shije (dhe kurrë atë të “gjeniut”) është e dukshme se kërkimet mbi këto probleme, që karakterizojnë Shtatëqindën angleze dhe franceze, gjejnë në përkufizimet e mëparshme një mundësi përfshirjeje. Është në fakt domethënëse që qysh nga fundi i shekullit, më parë në Gjermani dhe në vijim në të tërë Europën, termi “estetikë”, në ambiguitetin e tij semantik, u pranua me lehtësi: madje edhe aty ku kritikohet , si te Hegel, përfundohet me përdorimin e tij duke i dhënë termit kufij të modeluar sipas përmasave të kërkesave filozofike që kishin.
Termi buamgartian bëhet jo vetëm “emër përmbajtësor”, por mbetet si horizont hapur për interpretimet e mundshme të fundme relative ndaj objekteve tematike origjinare dhe për kërkime që mbarojnë duke përsëritur të gjitha ato ide estetike të cilat që në Antikitet, në Mesjetë dhe në Rilindje gjëllonin mbi artin dhe mbi të bukurën. Domethëniet e termit estetikë pësojnë, pra, duke u nisur nga përkufizimi i saj fillestar, luhatje të ndryshme, që do analizohen dora dorës. Por emri baumgartian nuk do të kishte pasur as suksesin, që vërejmë sot, as institucionalizimin ambiguitetit të tij, nëse nuk do të ishte rimarrë menjëherë në njëfarë mënyrë kundër Baumgarten-it, nga Immanuel Kant, që përdori për të kundërshtuar përfundimet baumgartiane, duke fiksuar gjithsesi qoftë rolin njohës, qoftë lidhjen me traditën e kërkimeve mbi të bukurën dhe aftësitë prodhuese. Do të analizohet në vijim dukja dyfishe me të cilën Kant përdor termin estetik: por duhet shenjuar që tani se ajo shfaqet si në Kritika e arsyes së kulluar ashtu edhe në Kritika e gjykimit. Eshtë e qartë se në të dyja rastet, qëndron në brendësinë e ndërtimit të përgjithshëm të filozofisë kritike dhe ka një domethënie transcendentale. Në të njëjtën mënyrë, e përbashkët për të dyja kontekstet në të cilat shfaqet, estetika nuk kthehet kurrë, në ndryshim nga Baumgarten, as në një shkencë tashmë të ndërtuar, as në një territor të turbullt per ta ngritur në shkencë: është gjithmonë një mjedis subjektiv, në të cilin i ofrohet intuitës një material para reflektues apo ku gjykimi është i bashkëlidhur me një kënaqësi subjektive, prej së cilës nuk nxjerr asnjë njohje shkencore. Ndryshimi qëndron, më së shumti, në faktin që në Kritika e arsyes së kulluar, duke pohuar rolin njohës të estetikës, ndonëse ky në një nivel propedeutik[10], Kant e përcakton estetikën transcendentale si “shkenca e të gjitha parimeve apriori të ndjeshmërisë që organizohet përreth “dy formave të pastra të intuitës ndjesore, domethënë hapësirës dhe kohës[11]“. Me këtë Kant-i zgjeron së fundmi domethënien e termit baumgartian në një drejtim që sigurisht i buron prej empirizmit anglez, dhe e bashkëlidh estetikën me intuitimin e hapësirës dhe kohës, intuitime që nuk ofrojnë objekt dhe janë pra subjektive, por që pa të cilat nuk mund ta kemi praninë intelektuale.
Në të njëjtën kohë në një shënim të vetë këtij paragrafi, duke kritikuar faktin që gjermanët janë të vetmit që quajnë estetikë atë që “të tjerët” (anglezë) e quajnë “kritika e shijes”, flet për “falimentimin e shpresës së analistit të shkëlqyer Baumgarten, i cili besonte në kufizimin në parime të arsyeshme të gjykimit kritik të së bukurës dhe në lartësimin e këtyre rregullave në shkencë”[12]. Kjo përpjekje është, sipas gjykimit të Kant-it, krejtësisht e kotë, sepse burimet kryesore të rregullave të shijes janë empirike dhe për pasojë nuk mund të përcaktojnë ligje apriori. Prandaj Kant-i fton ose të braktiset ky emër (gjë që i pari nuk e bën) ose të kufizohet përdorimi në planin njohës, për atë që është “shkencë e vërtetë (me të cilën do të mund t’i ofrohesh edhe gjuhës dhe domethënies së antikëve, te të cilët gjendej e famshmja ndarja e njohjes shenjimin fjalës qoftë për filozofinë spekulative, ashtu edhe të estetikës, duke e marrë edhe në kuptimin transcendental edhe në kuptimin psikologjik”.[13] “Dyfishësia termit estetikë është, pra, e ngulitur edhe në planin e filozofisë transcendentale nga njëra anë estetika sheh nga njohje, nga ana tjetër tregon ato funksione kritike të aftësive subjektive në çastin kur, siç pohon në paragrafin e parë të Kritika e gjykimit, nuk i referohet paraqitjes së objektit përmes intelektit, megjithëse aty bashkëlidhet, përmes imagjinatës dhe duke përdorur vetëm formën intelektuale të gjykimit, me subjektin dhe me ndjenjën e tij të kënaqësisë apo moskënaqësisë.
Në këtë rast do të kishim një gjykim të shijes të cilin Kant e quan edhe gjykim estetik, që mund të jetë vetëm subjektiv. Në planin teorik është sigurisht larg Baumgarten-it por, siç mund të vihet re është kufizuar në zgjerimin dhe saktësimin e horizontit tematik të disiplinës së re, duke integruar në të qoftë një konstrukt gnoseologjik të koklavitur ashtu edhe duke i risjellë dhe duke i shndërruar në përmasën kritike të gjykimit, të gjitha nocionet që anglezët kishin hetuar nga këndvështrim psikologjik: është në projektin e një antropologjie në të cilën hetimet e Baumgarten it mbi analogon rationis dhe humjane mbi natyrën njerëzore të gjejnë një pikëtakimi dhe të zhvillojnë një kërkim mbi fuqitë e ndjenjës dhe atyre teknologjike, të aftësive njerëzore. Kjo disiplinë, estetika, do të jetë atëherë edhe teori e shijes, e gjeniut, e sublimes, e imagjinatës dhe e arteve të bukura dhe së bashku, analizë e kënaqësisë receptuese dhe e fuqive të ndjenjës të subjektit përballë bukurisë, përmbajtjes së saj simbolike dhe prodhimit të saj. Estetikë që do të gjejë shumë shpejt një pikë të parë përhapjeje mes studimeve mbi intuicionin ndjesor të hapësirës dhe të kohës dhe veçantisë së artit kur te Laocoonte do të dallojë kuptimin shprehës nga format e ndryshme artistike pikërisht duke u roli që marrin në to ndryshueshmëritë estetike të hapësirës dhe të kohës.
Në këtë pikë, kuadri teorik dhe terminologjik i estetikës, edhe pse jo “i qartë dhe i shqueshëm” është tashmë absolutisht i dukshëm. Tashmë shihet se bukuria dhe arti, receptimi dhe poiesis, që jo gjithmonë bashkëlidhen drejtpërsëdrejti, janë gjithsesi objektet e një horizonti të përbashkët disiplinor, që hapet ndaj metodave të reja dhe konteksteve të reja filozofike.
[1] A. G. Baumgarten , Meditazioni filosofiche su alcuni aspetti del poema, ac F. Piselli Vita e Pensiero , Milano 1992 , f . 102 .
[2] Në filozofinë e Husserl – it noèsi term që vjen nga greqishtja e vjetër do të thotë akti i mendimit . Noètico do të thotë që i intereson noèsi – t . ( Shënim i përkthyesit )
[3] Ivi , p . 104
[4] A. G. Baumgarten , Estetica , a.c. F. Piselli , Vita e Pensiero , Milano 1992 [ 1750-58 ] , p.17
[5] 5B.Croce, Estetica, a.c. G. Galasso, Adelphi, Milano 1990 [1902], p.194
[6] Ivi, p. 276
[7] Ivi, p. 277.
[8] A. G. Baumgarten, Estetica
[9] Ivi, p. 20.
[10] Nocione paraprake të nevojshme pë studimin e një shkence, një arti, një dispiline filozofike. (Shënim i përkthyesit)
[11] Kant, Critica della ragion pura, Laterza, Bari 1975 p.67
[12] Ivi, p.66.
[13] Ivi, p.67.
Përktheu: Eldon Gjikaj
Shtëpia botuese: Pika pa sipërfaqe, 2018.
Rruga Press