Qeveria e Shqipërisë pranon mashtrimin me TVSH, Ibrahimaj: Të përfshirë edhe ‘inceneratorët’
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka pranuar se skemat e mashtrimit me tatimin mbi vlerën e shtuar të denoncuara nga Lëvizja Socialiste për Integrim janë të vërteta dhe se kanë qenë vetë tatimet që i kanë referuar në prokurori në vitin 2018.
Ministrja Delina Ibrahimaj tha se janë denoncuar 20 kompani fiktive që prisnin fatura për punë të pakryera, dhe se faturat janë blerë nga 197 firma, mes të cilave edhe kontraktorë të inceneratorëve. Çështjen nëse janë të përfshirë dhe koncesionarët e inceneratorëve ia la në dorë zbardhjes së prokurorisë.
“Janë kontraktorë të inceneratorëve, dhe nuk e di me saktësi nëse janë drejtpërdrejtë kompanitë koncesionare, por çështja është në prokurori dhe duhet ta zbardhë prokuroria”, tha ministrja.
Denoncimin e LSI, qeveria e konsideron si një luftë politike në vigjilje të protestës të opozitës.
Kontrata e firmosur me inceneratorin e Tiranës daton në gusht të 2017-s, ndërsa inceneratori duhet të kishte përfunduar në gusht të vitit të ardhshëm, por deri tani janë kryer më pak se 20% e punimeve.
“Janë kryer më pak se 20% e punimeve dhe ka përfunduar vetëm procesi i kapsulimit të mbetjeve, nuk bëhet incenerim”, theksoi ajo.
Sipas ministrisë së Financave skemat e mashtrimit me TVSH-në kanë nisur të përdoren në masë që prej vitit 2017, ndërsa në 2018-ën u zbuluan disa skema me vlerë 34.6 milion euro.
Rruga Press