“Nuk do takohem me Kurtin”/ Vuçiqi flet për videomesazhin e kriminelit Radojçiq
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të mërkurën se nuk është e vërtetë që është caktuar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Sipas tij, është Kurti ai që po ikën nga takimet.
“S’është e vërtetë. Nuk më ka pyetur askush. Nuk iki unë nga ndonjë takim, kryesisht ai ka ikur nga takimet. Unë nuk ik”, ka thënë Vuçiq në Ivanjicë, kur është pyetur për raportimet se një takim mes liderëve është caktuar, shkruan “RTV”.
I pyetur për videon e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojçiq -i cili është në kërkim nga Policia e Kosovës- se ai është kthyer në Leposaviq, Vuçiqi ka thënë se nuk e kupton mesazhin që ka dashur Radojçiqi ta dërgonte. Ka thënë se nuk ia ndien për mesazhin e tij. Vuçiqi ka deklaruar se Radojçiqi ka të drejtë të jetojë ku të dojë.
“Nuk më intereson për mesazhin, pyeteni atë. Radojçiqi u paraqit nga Leposaviqi. Ka thënë se është kthyer dhe se do të qëndrojë atje. Pyeteni për mesazhin që ka dashur ta përcillte dhe si u pranua mesazhi. E bëri videon në Leposaviq sepse jeton në Kosovë. Ka të drejtë të jetojë ku të dojë”, është shprehur ai. “A dëshironi që ne t’i urdhërojmë njerëzit të tërhiqen nga veriu i Kosovës për në pjesën qendrore të Serbisë? Ku qëndron Radojçiqi, në Kosovë ose jo, është çështje e tij private. S’ka të bëjë asgjë me shtetin dhe s’ka pasur kurrë”.
Të martën, Radojçiqi iu adresua publikut me një videomesazh nga veriu i Kosovës. Duke nisur me fjalët se “terrori mbi popullatën serbe ka nisur”, Radojçiqi ka shtuar se është kthyer në veri e se “s’ka më kthim prapa”.
Rruga Press