Çdo të thotë dyzimi i Vuçiqit kur kërcënon Kosovën
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk është për dialog sapo bëhet fjalë për rritje të reciprocitetit mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo tregon se ai ka shkuar shumë i qetë në dialog, gjithmonë kur nuk ka pasur reciprocitet.
Qëkurse vendoset reciprociteti nuk do të jetë më aq partizan i dialogut.
Kjo është shumë mirë, sepse i lihet kohë Kosovës të merret me prioritetet e vërteta të para dhe jo me fiksimet e një lloji psikologjik që është njohja serbe.
Vuçiqi e shprehu edhe një herë dyshimin e vet, dyzimin e vet, faktin që në një farë mënyre e sheh se mundësia e vetme e Serbisë është lufta në Ballkan. Kjo do të thotë se kemi arritur në atë stad ku projektet afatgjatë të Serbisë për të pushtuar pjesë të tjera në Ballkan janë tashmë të marrë fund.
Kështu që, momenti më i mirë që kanë për të rivënë në lojë marrjen e territoreve është në kohën kur Rusia është në sulmin e saj më të madh.
Duket se këtë lloj fati Serbia nuk do ta ketë më, sepse Rusia nuk do ta ketë më. Prandaj është momenti i fundit. Prandaj dhe fraza e tij “do të jemi të matur, por vdekjeprurës” është një frazë që simbolizon dyzimin e tij. Po thotë “do jemi të matur”, sepse duam ta kemi mirë me Evropën, “por do jemi vdekjeprurës”, sepse duam ta kemi mirë me Rusinë.
Kjo tingëllon paradoksale dhe është paradoksale, por shprehë natyrën e thjeshtë të një shteti që nuk është rimëkëmbur kurrë, nuk është rehabilituar dhe emancipuar kurrë në natyrën e tij gjenocidale.
©Rruga Press