Korrupsioni mbretëron në kandidatët e BE në Ballkanin Perëndimor
Nga Alice Taylor
Vendet në dhomën e pritjes së Bashkimit Evropian, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, kryesisht kanë dështuar të arrijnë progres real në reduktimin e korrupsionit dhe përmirësimin e demokracisë në katër vitet e fundit, pre-rekuizita thelbësore për hyrjen në BE.
Vështirësitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor ishin në qendër të vëmendjes në Samitin e fundit BE-BP në Bruksel. Liderë rajonalë të zemëruar hipën në skenë dhe drejtuan gishtin nga BE, mungesa e unitetit në të, premtimet e pambajtura, madje edhe e akuzuan BE se nuk e ka shtëpinë e vet në rregull.
Ndërsa një pjesë e irritimit të tyre ishte e justifikuar, le të hedhim një sy se sa kanë përparuar në vitet e fundit me mbajtjen e shtëpive të tyre në rregull.
Rezultatet nuk janë aspak mbresëlënëse.
Shqipëria aplikoi për anëtarësi më 2009 dhe u bë zyrtarisht vend kandidat më 2014. Që atëherë, ka punuar për plotësimin e një numri kushtesh të vëna nga Komisioni. Këto kushte, 15 në total, janë deklaruar si të përmbushura nga Brukseli, por organizata të pavarura mendojnë ndryshe.
Indeksi i perceptimit të korrupsionit i Transparency International ka rënë ndjeshëm midis 2016 e 2021, duke shkuar nga 39 në 35 pikë nga 100 të mundshme.
Aktualisht është në nivelin e 2014 dhe mezi është përmirësuar që nga 2012, kur vendi u përfshi për herë të parë. Kjo tregon progres të vogël në një dekadë dhe në veçanti çështjet e ngritura vit pas viti përfshijnë kapjen e shteti, dhunën policore, korrupsionin në nivel të lartë, dhe kërkesë llogarie të dobët.
Edhe në Indeksin Botëror të Lirisë nga Freedom House është e njëjta gjë. Shqipëria ka rënë në pesë vitet e fundit dhe ende renditet si ‘pjesërisht e lirë’ për sa i përket lirisë dhe demokracisë që gëzojnë qytetarët.
Gjërat përkeqësohen nëse shohim kuadrin e lirisë së medias teksa Shqipëria është zhytur me 20 vend në renditjen globale që kur Kryeministri Edi Rama erdhi në fuqi më 2013.
Edhe Departamenti i Shtetit ka qenë konsistent në kritikat e ashpra për shkeljen e të drejtave të njeriut, sistemin e drejtësisë thellësisht të korruptuar, dështimin e luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore, kultivimit të drogës dhe krimit të organizuar, si për dhe mungesën e progresit në luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Tabloja është paksa më rozë në Maqedoninë e Veriut, e cila ka qenë në listën e pritjes prej 17 vjetësh. Me rrugën e anëtarësimit të lidhur me Shqipërinë fqinjë, progresi i saj ka qenë edhe më i prekshëm.
Freedom House dhe Reporterë pa Kufi raportojnë progres vjetor, pavarësisht ngecjeve herë pas here. Mjedisi i medias, ndonëse ende i fragmentuar dhe i prekur nga presioni politik dhe dizinformacioni, po përmirësohet.
Edhe liritë demokratike janë në rritje, megjithëse ende nuk e ka hequr statusin si vend ‘pjesërisht i lirë’.
Mali i Zi, një nga dy vendet e vetme të rajonit që ka hapur negociatat, ka bërë më mirë nga sa pritej. Negociatat aktualisht janë të avashta dhe me këtë ritëm mund të shpresojë të hyjë në BE pas rreth 90 vjetësh. Thënë kjo, ka progres në disa fusha.
Transparency International ka vënë re një rritje të vogël që nga 2018, vetëm një pikë më 2021. Megjithatë, tabloja e përgjithshme është përmirësuar nga 2014 kur arriti pozicionin më të ulët, me 42 pikë, katër më pak se sot.
Është përmirësuar edhe për liritë demokratike e shoqërore, duke kërcyer nga 65 më 2019 në 67 më 2021, ndërkohë që pati ulje më 2020, në vendin e 62-të. Mbetet ende një vend pjesërisht i lirë, por ka përparim, edhe në mjedisin e lirisë së medias, duke u renditur në pozicionin 63 më 2021, nga 104 një vit më parë.
Megjithatë, gazetari Jovo Martinoviç thotë se nuk ka vullnet real politik për të luftuar korrupsionin dhe dobësia e sistemit të drejtësisë bën që të ofrohet pak në mbajtjen e përgjithësisë.
‘Mali i Zi nuk është në gjendje të avancojë në bisedimet me BE. Problemi kryesor është korrupsioni dhe gjyqësori që nuk funksionon, i cili është edhe më keq se në Shqipëri. Është e pamundur të merresh me korrupsionin këtu’, tha ai për EURACTIV.
Serbia ka performancën më të keqe në rajon, edhe më keq se Shqipëria. Transparency International raporton se që nga 2016, kur shënoi 42 pikë, ka shkuar poshtë, duke u bërë më e korruptuar, me vetëm 38 pikë vitin e kaluar.
Ka pasur rënie në liritë demokratike që kur partia e Presidentit Aleksandar Vuçiç erdhi në pushtet. Vendi ra nga i lirë në pjesërisht i lirë gjatë viteve të fundit, në vend që të ecte përpara.
Departamenti i Shtetit ka kritikuar mungesën e diversitetit në media, kapjen e shtetit, abuzime domethënëse me të drejtat e njeriut, akte të panumërt korrupsioni të rëndë qeveritar, dhe krime kundër komunitetit LGBTI dhe atyre me aftësi të kufizuara.
Shumë krime kundër këtyre njerëzve, si dhe kundër anëtarëve të tjerët të shoqërisë, si kundër grave, shoqërisë civile në tërësi, nuk janë ndëshkuar.
Kosova dhe Bosnjë Hercegovina ende nuk e kanë statusin e kandidatit, e para nuk ka as liberalizimin e vizave. Midis fqinjëve, Kosova ka regjistruar progres të rëndësishëm në të gjitha fushat në vitet e fundit, duke u renditur shpesh më lart se kandidatët që ka rrotull.
Komisioni Evropian pranon se duhet bërë më tepër për reformat e shtetit ligjor në BP pas një raporti nga Gjykata Evropiane e Auditorëve që e cilësoi punën me vlerë 700 milion euro të BE si ‘joefektive’ dhe ‘të pasuksesshme’.
Në përgjithësi, situata për korrupsionin, krimin e organizuar, lirinë e medias, demokracinë, të drejtat e njeriut dhe çështje të tjera politik nuk është shndritshme në BP. Pavarësisht qindra miliona të hedhur në vendet kandidate nga Komisioni Evropian, organizatat e pavarura raportojnë hapa prapa në vend të përparimit.
Kjo vë në pikëpyetje efektivitetin e parave të investuara, siç është vënë në dukje nga Gjykata Evropiane e Auditorëve, si dhe trajektoren e udhëtimit të tyre drejt Bashkimit Evropian.
Marrë nga Euractiv.com/syri/
Rruga Press