Bota

Evropa ka problemin Amerikë

Shkruan Ema Ashford,  New York Times

Presidenti Biden ndodhet në Evropë dhe biseda për unitet po dominon takimet e tij me liderët e Europës.

Në takimin e Grupit 7 në Bavari, Gjermani, udhëheqësit përgëzuan veten për vendimet e tyre gjatë muajve të fundit dhe ritheksuan mbështetjen e tyre për Ukrainën. Madje, ata gjetën kohë edhe për një “fotografi familjare”.

Edhe në samitin e NATO-s në Madrid, atmosfera është shumë entuziaste. Vetëm 3 vjet më parë, NATO e dëmtuar në imazh nga ndërhyrjet e dështuara në Libi dhe Irak, e përçarë nga brenda nga debatet mbi të ardhmen e saj, dhe e tallur vazhdimisht nga Donald Trump, u shpall si një aleancë “në gjendje kome” nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Tani panorama është krejtësisht e ndryshme. Katër muaj pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, NATO qëndron si një mburojë e ringjallur kundër agresionit rus. Udhëheqësit evropianë në mbarë kontinentin, të vendosur për të mbetur të bashkuar, flasin plot besim për qëllimin e përbashkët.

Megjithatë, pavarësisht bisedave mbi vendosmërinë evropiane, muajt e fundit kanë nënvizuar në fakt diçka tjetër: varësinë e kontinentit evropian nga Shtetet e Bashkuara për të zgjidhur problemet e veta të sigurisë. Sigurisht kjo nuk është asgjë e re.

Në shumë aspekte, ky është roli që ka luajtur Amerika që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, duke u siguruar madje edhe pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, që Evropa të vepronte nën ombrellën ushtarake të Amerikës. Por ndërsa kjo qasje mund t’i shpëtojë udhëheqësit nga zgjedhje politikisht të vështira në një periudhë afatshkurtër, mbetet tek e fundit një qasje humbëse.

E përfshirë nga problemet e brendshme, dhe e fokusuar gjithnjë e më shumë në sfidën që vjen nga Kina, Amerika,nuk mund ta mbikëqyrë përgjithmonë Europën. Dhe përballë një Rusie armiqësore dhe revizioniste, kjo e fundit duhet të fillojë që të kujdeset vetë për veten e saj.

Këto kritika mund të duken si të pavend. Tek e fundit, Europa ka hedhur muajt e fundit disa hapa të mëdhenj në forcimin e mbrojtjes. Kjo është më e dukshme në Gjermani, ku qeveria është zotuar të shpenzojë 100 miliardë euro më shumë për mbrojtjen gjatë viteve të ardhshme.

Është një ndryshim kaq i madh, sa që media gjermane po përdor shpesh termin e artikuluar nga vetë kancelari Olaf Scholz “Zeitenwende”, ose një pikë kthese. Vende të tjera, përfshirë Italinë, Rumaninë dhe Norvegjinë, janë zotuar gjithashtu të rrisin ndjeshëm shpenzimet e tyre në këtë sektor.

Këto ndryshime, bien ndesh me ankesën e vjetër të SHBA-së së shtetet europiane janë shumë dorë-shtërnguar në fushën e mbrojtjes, dhe se mbështeten ende tek fuqia ushtarake falas që i garanton Amerika. Megjithatë, nëse shtetet europiane po e zvogëlojnë problemin e tyre të financimit, ato përballen me një problem ndoshta edhe më të vështirë: atë të veprimit kolektiv.

Lexo më shumë  Ndihma norvegjeze për Ukrainën do të arrijë në 2.7 miliardë dollarë në 2025

Thënë thjesht, interesat dhe prirjet individuale të 27 anëtarëve të Bashkimit Europian, vendet e të cilëve përfshijnë miliona mijëra km2 territor, e bëjnë të vështirë krijimin e një kursi të përbashkët veprimi. Kjo është e vërtetë për shumë çështje, midis tyre reformat ekonomike dhe ato në gjyqësor.

Por dallimi është ndoshta më i madh mbi politikën ushtarake dhe atë të mbrojtjes. Kjo vlen si për NATO-n, ashtu edhe për politikën e përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes të vetë Bashkimit Europian. Në fakt, një mosmarrëveshje thelbësore ka të bëjë me atë nëse një rritje e aftësitë mbrojtëse të BE-së do ta dëmtojë, në vend se ta forcojë NATO-n.

Për të shmangur shqetësime të tilla, shumë ekspertë favorizojnë një ndarje të punëve, qoftë sipas gjeografisë, apo edhe bazuar në aftësitë ushtarake specifike. Megjithatë, marrëdhënia e saktë midis të dyjave mbetet një çështje e hapur. Ndërkohë ekzistojnë dallime të mëdha në perceptimin dhe prioritizimin e kërcënimeve.

Shtetet e Europës Qendrore dhe Lindore më të afërta me Rusinë, e shohin logjikisht atë si kërcënimin më të madh. Nga larg, problemet e tjera duken më të mëdha. Gjermania dhe vendet e Europës Veriore shqetësohen për terrorizmin, Franca është e fokusuar tek ekstremizmi dhe trazirat në ish-kolonitë afrikane si Mali, ndërsa Greqia dhe Italia po merren kryesisht me politikën e refugjatëve dhe sigurinë detare në Mesdhe.

Dikush mund të mendojë se një tronditje e madhe gjeopolitike si lufta në Ukrainë, do të kishte sjellë një “Zeitenwende” në mbarë Evropën. Dhe në javët e para të luftës në Ukrainë, shumë nga përçarjet u zhdukën për shkak të tronditjes dhe tmerrit. Por në muajt që pasuan, ndarjet janë rishfaqur, duke u perceptuar në mënyra të reja.

Disa vende – sidomos Franca, Italia dhe Gjermania – po flasin për rrugët sesi të arrijnë një zgjidhje paqeje në Ukrainë, edhe pse vazhdojnë t’i dërgojnë Kievit armë dhe fonde. Por sondazhet në Poloni, tregojnë se Varshava nuk do të mbështesë asnjë pakt të tillë, derisa Rusia të ndëshkohet siç duhet.

Duke harxhuar jo pak energji nga nevoja për të arritur një konsensus, BE e ka pasur të vështirë të ecë përpara. Kompasi i tij Strategjik i shumëpritur, një dokument strategjik i publikuar pas fillimit të luftës, është i mbushur me fjalë që premtojnë një “hap domethënës përpara” në fushën e mbrojtjes.

Por në praktikë, ajo po bën pak për t’i adresuar këto ndarje. Në mungesë të konsensusit kontinental, “ngjitësi” që vazhdon të mbajë së bashku sigurinë europiane janë Shtetet e Bashkuara. Që nga shkurti, marrëdhënia transatlantike është kthyer në një raport komod: Shtetet e Bashkuara ofrojnë personel të madh dhe armatime të teknologjisë së lartë, duke mos e bërë të nevojshme që anëtarët e tjerë të NATO-s të angazhojnë burime të konsiderueshme apo të bëjnë zgjedhje të vështira për mbrojtjen e përbashkët.

Lexo më shumë  Kuleba: Trump nuk mund të bëjë marrëveshje paqeje me Rusinë për Ukrainën

Në aspektin politik, prania e Amerikës i siguron anëtarët e NATO-s në Europën Lindore – që janë bërë të vetëdijshëm që nga shkurti i këtij viti, se shtetet e Europës Perëndimore nuk janë dhe aq të gatshme të kenë një qëndrim të ashpër ndaj Rusisë – në një kohë që e lejon Gjermaninë ta udhëheqë Evropën, pa pasur një kosto shumë të madhe financiare dhe ushtarake.

Por mosmarrëveshjet bazë nuk janë zhdukur. Por për sa kohë që trupat dhe pajisjet amerikane janë në kontinent, shtetet evropiane mund të vazhdojnë të përfitojnë në maksimum nga mbrojtja amerikane. Është e kuptueshme që udhëheqësit evropianë nuk duan të angazhohen në këtë çështje politikisht delikate dhe në një kohë të vështirë.

Dhe ndoshta është e lehtë të supozohet, se me 100.000 trupa amerikane në Europë, angazhimi i SHBA-së ndaj sigurisë europiane është i pacenueshëm. Megjithatë vitet e Trump nuk duhet të harrohen aq kollaj. Angazhimi i Amerikës për mbrojtjen e Europës, i mbikëqyrur nga Biden, mund të duket i sigurt sot për sot.

Por me kërcënimet në rritje në Azi dhe trazirat në politikën e brendshme amerikane, ka shumë të ngjarë që të jetë çështje kohe para se gjërat të ndryshojnë. Nëse rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, Trump mund të zbatojë kërcënimet e tij për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga NATO.

Edhe disa nga bashkatdhetarët e tij më pak ekstremistë se ai, po e vënë në dyshim rolin e Amerikës në mbrojtjen e Europës. Në maj, 11 senatorë republikanë votuan kundër dërgimit të ndihmës së mëtejshme ushtarake në Ukrainë. Po ashtu, në Uashington ka një konsensus në rritje, se Shtetet e Bashkuara nevojiten urgjentisht në rajonin e Indo-Paqësorit për t’u marrë me kërcënimin që vjen nga Kina.

Edhe skenari më i mirë – ai i një administrate në Uashington që mbetet e përkushtuar ndaj Evropës – mbart rrezikun që një krizë diku tjetër, mund të rezultojë në një tërheqje të nxituar, duke i lënë shtetet evropiane në një pozitë delikate. Udhëheqësit amerikanë dhe evropianë, mund t’i kalojnë ditët në vijim duke lavdëruar rimëkëmbjen e mrekullueshme të aleancës transatlantike.

Por larg nga të qenit një ilaç, mbështetja e Amerikës është si një “fasho e ndihmës së shpejtë”, e cila mbulon vetëm përkohësisht mosmarrëveshjet më të mëdha të Europës në lidhje me mbrojtjen. Që të jenë vërtet të bashkuar, udhëheqësit evropianë duhet të nisin punën e vështirë të sheshimit të këtyre mosmarrëveshjeve dhe heqjes së “fashos” amerikane.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *