Pavarësia e Skocisë në referendum, Sturgeon: Vullneti i njerëzve duhet të triumfojë
Ministrja e Parë skoceze, Nicola Sturgeon do të zbulojë sot planet për të “krijuar një rrugë përpara” pa miratimin e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, teksa ajo kërkon të mbajë një tjetër votim në tetor të vitit të ardhshëm.
Kjo gjë erdhi pasi ministrat skocezë u akuzuan se po “shpenzojnë para për një fantazi të pamatur”, pasi u zbulua se numri i nëpunësve civilë që punonin për planet e pavarësisë së Skocisë është rritur përsëri.
Zonja Sturgeon dëshiron të mbajë një referendum tjetër vitin e ardhshëm, por qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk ka gjasa të pajtohet me këtë.
Përpara një deklarate në Parlamentin Skocez, ajo tha:
Populli i Skocisë ka zgjedhur një Parlament të përkushtuar për t’u dhënë atyre një zgjedhje për pavarësinë dhe kështu vullneti demokratik duhet të respektohet. Në Skoci, janë njerëzit ata që janë dhe kanë qenë gjithnjë sovran – dhe është vullneti i popullit ai që duhet të triumfojë. Kjo mund të jetë një e vërtetë e papërshtatshme për kundërshtarët tanë politikë, por megjithatë është një e vërtetë e thjeshtë dhe e pashmangshme. Përpjekjet e vazhdueshme për të bllokuar atë vullnet demokratik vetëm sa do të dobësojnë pozitën e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, këtu dhe ndërkombëtarisht. Thënë troç, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk është në gjendje t’i japë leksione ndonjë vendi tjetër për nevojën për të respektuar normat demokratike nëse synon të përpiqet të pengojë demokracinë në vend. Dhe, për shkak se jetojmë në një demokraci ku rezultatet e zgjedhjeve janë ende të rëndësishme, përpjekjet e vazhdueshme për të penguar vullnetin e njerëzve duhet – dhe do të dështojnë. Sundimi i Westminsterit mbi Skocin nuk mund të bazohet në asgjë tjetër përveç se në një partneritet të miratuar dhe të vullnetshëm“, përfundoi Ministrja e Parë skoceze, Nicola Sturgeon.
©Rruga Press