Bota

Sot nis Samiti i NATO-s në Spanjë, më i rëndësishmi në dekadat e fundit

Të martën do të nisë Samiti treditor i NATO-s ku në rend dite, vendet e Aleancës kanë çështje të rëndësishme për diskutim. Në këtë samit, që mbahet në Madrid të Spanjës, do të përcaktohet drejtimi strategjik i NATO-s për dekadën e ardhshme.

Në mesin e temave që pritet të diskutohen janë ndikimet e pushtimit rus të Ukrainës, realiteti i ri i sigurisë në Evropë dhe pasojat e ndryshimeve klimatike.

Samiti i NATO-s konsiderohet se po zhvillohet në një moment kritik në historinë 73-vjeçare të Aleancës. Pushtimi rus në Ukrainë u konsiderua si tronditja më e madhe strategjike për Perëndimin, që nga 11 shtatori i 2001-s, shkruan BBC-ja të martën. Përfaqësuesve në samit do t’iu adresohet edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Pak muaj pas agresionit rus mbi Ukrainë, Finlanda e Suedia aplikuan për anëtarësim në NATO, me qëllim që të kenë sigurinë e Aleancës ndaj një kërcënimi të mundshëm rus. Të dyja vendet janë të lidhura ngushtë me NATO-n prej vitesh, duke bashkëpunuar në operacione paqeruajtëse në Ballkan dhe Lindje të Mesme.

Lexo më shumë  Le Monde: Franca dhe Britania nuk përjashtojnë drejtimin e një koalicioni në Ukrainë. Dërgimi i ushtarëve evropianë po diskutohet

Tentativën e Finlandës dhe të Suedisë për anëtarësim në NATO e kundërshtoi Turqia. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se dy shtetet po strehojnë terroristë, duke iu referuar anëtarëve të Partisë së Punës të Kurdistanit.

Turqia aktualisht është i vetmi shtet që e bllokon anëtarësimin e Suedisë dhe të Finlandës në NATO.

Këtë bllokadë, në samitin që nis të martën, do të tentohet të tejkalohet në takimin mes presidentëve të Turqisë e Finlandës si dhe të kryeministrit suedez.

Në mesin e vendeve joanëtare që do të marrin pjesë janë edhe Australia, Japonia, Zelanda e Re, Koreja e Jugut dhe Gjeorgjia. Pjesëmarrja e vendeve të rajonit Indo-Paqësor po bëhet me qëllim të kufizimit të zgjerimit të fuqisë së Kinës. NATO u shpreh mbështetëse edhe për Bosnjën, Moldavinë, Mauritaninë e Tunizinë.

Lexo më shumë  “I famshëm” për qëndrimet kundër NATO-s/ Zgjedhjet presidenciale në Rumani, kandidati pro rus është favorit

Spanja po e organizon samitin në 40-vjetorin e pranimit të saj në NATO. Më 30 maj të 1982-s, ajo u bë vendi i 16-të që iu bashkua Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO). Anëtarësimi i Spanjës i solli zhvillime pozitive NATO-s, përfshirë aftësitë ushtarake dhe vendndodhjen e saj jetike gjeostrategjike për mbrojtjen e Evropës Perëndimore.

Shtetet anëtare të NATO-s takohen të paktën një herë në vit për t’i koordinuar strategjitë mbrojtëse, politikat e reja dhe përgjigjet ndaj kërcënimeve globale.

Në grupin e vendeve anëtare të NATO-s është edhe Shqipëria, që u anëtarësua në vitin 2009.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *