Raporti Botëror i Drogave 2022: Shqipëria, e shtata në botë për kanabisin
Shqipëria përmendet si një nga vendet kryesore në botë të kultivimit të kanabisit në raportin e fundit botëror të drogave 2022, një publikim i UNODC, zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimet.
Sipas raportit, Shqipëria është e shtata në botë nga shtetet më të përmendura për origjinën, nisjen dhe tranzitin e barit të kanabisit për periudhën 2016-2019, (nga 154 shtete gjithsej) pas Marokut, Afganistanit, Spanjës. Holandës, Pakistanit dhe Libanit.
Raporti thekson se kanabisi prodhohet ilegalisht në çdo rajon në botë. Kultivimi i kanabisit u raportua ose përmes treguesve direkte (si kultivimi apo asgjesimi i bimëve, ose asgjësimi i fushave të mbjella) ose tregues indirektë (sekuestrimi i bimës, raportet mbi origjinën e kanabisit të sekuestruar) nga të paktën 154 shtete për periudhën 2010–2020.
Sipas raportit, Shqipëria renditet e para në rajonin e Europës Juglindore në analizën e disa treguesve për periudhën 2010–2020, të cilat sugjerojnë vendet që kanë një kultivim të konsiderueshëm të kanabisit, i cili (a) eksportohet ose (b) prodhohet për kultivim të brendshëm. Pas Shqipërisë renditen Turqia, Rumania e Bullgaria.
Shqipëria përmendet edhe në të ashtuquajturën rrugë të Ballkanit për heorinën, që fillon nga Pakistani, kalon nëpër Siri, Turqi, Greqi, Shqipëri dhe përfundon në vendet e Europës Perëndimore.
Një tjetër raport, i publikuar së fundmi nga Qendra Europiane për Monitorimin e Drogave (EMCDDA) rreth një muaj më parë, konstatonte se grupet kriminale shqiptare, që prej vitit 2017 jo vetëm që janë zgjeruar, por edhe janë sofistikuar, duke kontrolluar si importin ashtu dhe shpërndarjen e kokainës nga vendet e Amerikës Latine në tregjet europiane.
“Për vite me radhë, importuesit ndërkombëtarë të kokainës punonin veçmas nga tregtarët me shumicë dhe bandat që shpërndanin drogën në rrugë. Megjithatë, një rrjet kriminal shqipfolës e braktisi këtë model dhe vendosi kontrollin e importit dhe shpërndarjes. Duke përdorur mjete të sofistikuara komunikimi të koduara, drejtuesi i organizatës, me qendër në Ekuador, negocioi drejtpërdrejt me kartelet e drogës së Amerikës së Jugut, organizoi dërgesa të mëdha kokaine në portet kryesore të Europës dhe, me ndihmën e bashkëpunëtorëve me bazë në Itali, Holandë dhe Shqipëri, gjithashtu organizoi shpërndarjen për konsumatorët në të gjithë Europën. Kokaina u kontrabandua përtej kufijve europianë e fshehur në automjete të pajisura me ndarje të fshehura. Kriminelët pastronin të ardhurat e tyre duke përdorur një sistem alternativ nëntokësor të dërgesave me origjinë kineze, i njohur si sistemi fei ch’ien, i ngjashëm me sistemin e transferimit të hawala (Europol, 2020d).
Raporti: legalizimi i kanabisit ka rritur përdorimin në botë
Sipas raporti të UNODC, legalizimi i kanabisit në pjesë të botës duket se ka përshpejtuar përdorimin e përditshëm dhe ndikimet e lidhura me shëndetin. Raporti detajon gjithashtu rritjet rekord në prodhimin e kokainës, zgjerimin e drogave sintetike në tregje të reja dhe mangësitë e vazhdueshme në mekanizmat e trajtimeve të drogës, veçanërisht për gratë.
Sipas raportit, rreth 284 milionë njerëz të moshës 15-64 vjeç kanë përdorur drogë në mbarë botën në vitin 2020, një rritje prej 26 për qind krahasuar me dekadën e kaluar. Të rinjtë po përdorin më shumë drogë, me nivele të përdorimit, që në shumë vende janë më të larta se në gjeneratën e mëparshme. Në Afrikë dhe Amerikën Latine, njerëzit nën 35 vjeç përfaqësojnë shumicën e njerëzve që trajtohen për çrregullime të përdorimit të drogës.
Në nivel global, raporti vlerëson se 11.2 milionë njerëz në mbarë botën ishin duke injektuar drogë.
Rreth gjysma e këtij numri kishin hepatit C, 1.4 milion HIV dhe 1.2 milion jetonin me të dyja.
Duke reaguar ndaj këtyre gjetjeve, Drejtori Ekzekutiv i UNODC-së, Ghada Waly, deklaroi: “Numrat për prodhimin dhe konfiskimet e shumë drogave të paligjshme po arrijnë nivele rekord. Në të njëjtën kohë, perceptimet e gabuara në lidhje me përmasat e problemit dhe dëmet që lidhen me të po i privojnë njerëzit nga kujdesi dhe trajtimi dhe po i shtyjnë të rinjtë drejt sjelljeve të dëmshme. Ne duhet t’i kushtojmë burimet dhe vëmendjen e nevojshme adresimit të çdo aspekti të problemit botëror të drogës, duke përfshirë ofrimin e kujdesit të bazuar në prova për të gjithë ata që kanë nevojë për të, dhe duhet të përmirësojmë bazën e njohurive se si lidhen drogat e paligjshme me sfidat e tjera urgjente. , të tilla si konfliktet dhe degradimi i mjedisit.”
Raporti thekson më tej rëndësinë e nxitjes së komunitetit ndërkombëtar, qeverive, shoqërisë civile dhe të gjithë palëve të interesuara për të ndërmarrë veprime urgjente për të mbrojtur njerëzit, duke përfshirë forcimin e parandalimit dhe trajtimit të përdorimit të drogës dhe duke luftuar furnizimin e paligjshëm të drogës./Monitor/
Rruga Press