EditorialKryesore

5 pika ku dështoi Samiti i BE-së

Nga Rruga Press

Samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor u shoqërua me zhgënjime të shumta e polemika qesharake e herë herë cinike. Nga e gjithë çfarë ndodhi dhe u ndërmorr mund të pikasim pesë pika problematike që vazhdojnë si më poshtë:

Pika e parë: Qëndrimi i Shqipërisë në lidhje me veton bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut është kombëtarisht i gabuar dhe i paditur. Në MV, sipas censusit të fundit, shqiptarët përbëjnë 29,52% të popullsisë. Ky rezultat duhet marrë si masa maksimale që censusi i MV-së mund të reduktonte, me anë të procedurave të parregullta, numrin e shqiptarëve, sepse siç e dimë, censusi i parë u bllokua nga Zaevi, në bashkëpunim me Ali Ahmetin, pas regjistrimit të madh të mergatës shqiptare, që shkonte shumë larg shifrave formale që prezantonin deri atëherë institucionet e MV-së.

Nuk mund të konsiderohet i suksesshëm një regjistrim kur rreth 8.5 për qind të popullatës së përgjithshme dhe asaj rezidente nuk i dihet përkatësia kombëtare. Jo i besueshëm është edhe numri prej 12 për qind i popullatës në mërgatë kur dihet fakti se shumë organizata ndërkombëtare si Banka Botërore dhe Eurostat-i në vazhdimësi kanë thënë se gati 30 për qind të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut e kanë braktisur vendin në dekadat e fundit.

Pas këtyre shifrave të pavërteta të regjistrimit të popullsisë, insistimi i MV-së është që të ul peshën politike të shqiptarëve duke i reduktuar formalisht nga element shtetformues në pakicë kombëtare.

Në këtë pikë, Edi Rama duhet të ishte duke bërë presion të madh mbi institucionet e MV-së për të njohur drejt e saktë të gjithë shqiptarët e MV-së që janë rezident apo në diasporë. Pra, është e udhës, e interesit kombëtar, e detyrimit kushtetues që Shqipëria të kërkojë me të njëjtin ngulm, në mos më shumë, si Bullgaria që të mos bëhet asnjë padrejtësi politikë ndaj shqiptarëve të MV-së e të numërohet edhe shqiptari i fundit.

Dalja diametralisht kundër e Ramës është dobësim i pozitave të shqiptarëve në Ballkan, i shqiptarëve në MV, antikushtetuese në Shqipëri dhe antievropiane në parim.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Përtej të gjithë kësaj, Ramës nuk i takon aspak të futet si pykë mes marrëdhënieve bilaterale Bullgari-RMV, a thua se ka përgjegjësi politike të mbrojë interesin e shtetit maqedon.

Pika e dytë: Serbia i ka hapur negociatat për anëtarësim në BE që në janar të vitit 2014. BE-ja ka vepruar gabim që në nisje. Hapja e negociatave me Serbinë, e cila nuk ka asnjë përparim social, asnjë përparim demokratik e akoma shumë kriminel lufte në institucione të larta të shtetit, tregon se BE-ja nuk është treguar aspak parimore në gjykim kur vjen puna tek Ballkani. Kosova, viktimë e mbi 300 masakrave serbe, nuk ka akoma liberalizim vizash. Bosnja viktimë e gjenocidit serb nuk ka akoma hapje të negociatave. Shqipëria që ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura nga Parlamenti Evropian nuk ka akoma hapje të negociatave.

Vendosja e Vuçiqit në rreshtin e parë, në mes të fotografisë së samitit të mbajtur për Ballkanin Perëndimor është tregues i vëmendjes dhe rëndësisë që merr Serbia nga vetë krerët e BE-së. Këtë vëmendje e merr kjo Serbi që nuk njeh gjenocidin në Srebrenicë (Parlamentit Evropian ka miratuar deklaratë që dënon gjenocidin e Srebrenicës) dhe nuk njeh as Republikën e Kosovës (Parlamenti Evropian e njeh Kosovën si shtet i pavarur).

Liderët e BE-së qartazi favorizojnë në Ballkan shtetin i cili është më së shumti në kundërshti me vendimet që merr Parlamenti Evropian.

Pika e tretë: Nisur nga pika e dytë, nëse vëmendjen dhe favorizimin që ka marrur Serbia, do ta merrte Bosnja, sot nuk do të ishim në pikën ku Presidenti serb i Bosnjes, Milorad Dodik (non grata i SHBA-së) kërkon shkëputjen e Banja Lukës dhe krijimin e Republikës Srpska. Dodikut gjithë fuqia i vjen nga Putini e Vuçiqi. Avantazhimi i Serbisë ka sjellë përparimin e planit coptues të Bosnjës, forcimin e Dodikut.

Pika e katërt: Ukraina, e cila po përballet me një agresion të ashpër e sfilitës rus, për rezistencën që po bën, u shpërblye me një hap formal gati të parëndësishëm në realitetin ku ajo ndodhet. Hapja e negociatave për Ukrainën është një hap që as nuk duhej të ishte diskutuar fare, e le më të marrë kaq shumë bujë botërore. Ukraina po barrikadon Rusinë drejt zgjerimit të saj territorial e ekonomik në Perëndim. Sot evropianët flenë të qetë sepse mbi 200 ushtarë ukrainas vriten ditë për ditë nga bombardimet ruse.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë erdhi pas sulmit në Ukrainë, por jo për nder të Ukrainës. Sanksionet i bëjnë nder vetë BE-së.

Ukraina po i hap sytë BE-së e po i tregon që katër muaj se çfarë përbindëshi kanë ushqyer nëpër dekada të tëra marrëdhëniesh tregtare, e tani përbindëshi kërcënon të jetë më i fuqishëm se BE-ja vetë.

Hapja e negociatave për Ukrainën më shumë ngjan si heqje qafe për ca kohë e një halli, sesa si hap i qenësishëm drejt integrimit të plotë të saj në BE.

Pika e pestë: Kosova akoma nuk ka liberalizimin të vizave edhe pse i është kërkuar plotësimi i dyfishit të kushteve që i është kërkuar vendeve të tjera dhe i ka plotësuar të gjitha këto kushte. Ky ndoshta është vendimi më imoral i këtij samiti. Përveç kësaj, Kosova ka provuar të jetë shteti më demokratik në Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu shteti me rritjen me të lartë të pozicioneve në listën e Transparency International për luftimin e korrupsionit.

Kosova është vendi më pro përendimor dhe më demoktratik nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku si pozitë dhe opozitë nuk kanë asnjë alternative ndaj antarësimit në BE. Ndryshe kjo nga Shqipëria, Serbia dhe RMV që qartazi insistojmë më shumë për Ballkan të Hapur, Mali i Zi që ka opozitë proruse, e Bosnja që faktorin antievropian e prorus e ka në presidencë.

Mesazhi që kjo BE po i jep Kosovës është që: “Sa më antievropian e prorus, aq më shpejt i ngjit shkallët e integrimit”.

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *