Rusia bëhet furnizuesi më i madh i naftës në Kinë
Rusia është bërë furnizuesi më i madh i naftës në Kinë, pasi ky vend i ka shitur Pekinit naftë të papërpunuar me zbritje prej kur u sanksionua nga Perëndimi, raportoi të hënën BBC-ja.
Të inkurajuara nga çmimet më të ulëta, firmat kineze kanë rritur blerjet e naftës ruse këtë vit. Shifrat zyrtare tregojnë se importet e naftës ruse u rritën rreth 55 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Importet, të cilat përfshijnë furnizimet e pompuara përmes tubacionit të Oqeanit Paqësor në Siberinë Lindore, arritën në rreth 8.42 milionë tonë muajin e kaluar.
Kjo ka bërë që Arabia Saudite, që dikur ka qenë burimi më i madh i naftës në Kinë, të dalë në vendin e dytë me 7.82 milionë tonë.
Kompanitë kineze kanë rritur blerjet e naftës së papërpunuar ruse gjatë muajve të fundit pasi atyre u është ofruar zbritje e madhe që kur blerësit në Evropë dhe SHBA kanë shmangur energjinë ruse, duke e sanksionuar këtë vend për luftën e nisur në Ukrainë.
Rruga Press