Beteja finale? Pse ukrainasit dhe rusët po vriten për një qytezë në Lindje të Ukrainës dhe a e cakton ajo fatin e luftës?
Nga The Economist
Severodonetsk, një qytet në provincën Luhansk, gjysma e rajonit të Donbasit, kishte një popullsi prej më pak se 100 000 banorësh para luftës. Ai as nuk renditet mes 40 qyteteve më të mëdha të Ukrainës. Megjithatë, gjatë muajit të kaluar ai është kthyer në fushëbetejën kryesore të luftës Rusi-Ukrainë. Trupat ruse mbajnë sot të pushtuar një pjesë të mirë të qytetiut, ndërkohë që mijëra ushtarë dhe civilë ukrainas janë të ngujuar në uzinën Azot në Perëndim të tij.
Më 14 qershor Rusia shkatërroi urën e fundit që lidh Severodonetskun me qytetin fqinj Lysychansk. “Në shumë aspekte, fati i Donbasit po vendoset atje,” deklaroi Volodymyr Zelensky, presidenti i Ukrainës, më 8 qershor.
Po pse është Severodonetsku kaq i rëndësishëm?
Qyteti ka luajtur një rol të madh në konfliktin politik dhe ushtarak midis Rusisë dhe Ukrainës për dy dekada. Në vitin 2004, kur në Kiev shpërthyen protestat për zgjedhjet e manipuluara, politikanët vendas në Severodonetsk luajtën një rol të rëndësishëm në agjitacionin për pavarësi dhe kërcënuan se do t’i kërkonin Rusisë ndihmë ushtarake.
Kur një kryengritje rrëzoi presidentin pro-rus të Ukrainës në vitin 2014, Rusia pushtoi Donbasin dhe trupat pro-ruse pushtuan Severodonetskun nga maji deri në korrik, kur forcat ukrainase e rimorën atë.
Që atëherë, ai ka mbetur në duart e Ukrainës, në veri të linjës së kontaktit që ndan forcat ruse dhe ukrainase në Donbas.
Kur Rusia pushtoi përsëri Ukrainën më 24 shkurt të këtij viti, ajo shpresonte të rrethonte forcat ukrainase në Donbas në një lëvizje të madhe në formë pince, duke lëvizur për në veri nga vija bregdetare e detit Azov dhe në jug nga Kharkiv për t’u bashkuar me qytetin e Dnipro.
Kur ajo manovër ambicioze tejkaloi kapacitetin e forcave ruse, këta të fundit vendosen të kishin synime më modeste në Ukrainë duke u fokusuar në rajonin e Donbasit dhe Izyumit. Plani ishte që të futeshin nga veriu përmes Izyumit dhe nga jugu përmes fshatit Pospasna për të rrethuar ushtrinë ukrainase në Severdonetsk.
Severodonetsk shtrihet në skajin lindor të atij xhepi dhe është porta në veri-lindje të provincës Donetsk, pjesa tjetër e Donbasit. Është një objektiv më i lehtë për Rusinë, sepse forcat ukrainase kanë më pak mbulim nga mbrojtja ajrore dhe artileria.
Pushtimi i tij sëbashku me Lysychansk do të hapte një rrugë në perëndim për në Slovyansk, qyteti i parë që ra në duart e kryengritësve rusë në 2014, dhe Kramatorsk, një qendër industriale. Rusia ka sulmuar Slovyanskun nga veriu, por e ka patur të vështirë për të depërtuar. Ukraina duket më e fortë në këtë zonë duke patur vijë mbrojtje edhe lumin Sieversky-Donets. Një tentativë ruse për të kaluar këtë lum përfundoi në katastrofë në maj.
Kontrolli i Severodonetskut do të ofronte një rrugë tjetër qasjeje – edhe pse aspak e lehtë, pasi rusëve do t’u duhej të kalonin lumin dhe të sulmonin Lysychansk-un fqinj, i cili ndodhet në një kodër 150 metra më të lartë se Severodonetsk.
Në këtë kuptim, Severodonetsk nuk është aspak një betejë vendimtare. Por nëse Rusia e merrte atë dhe Lysychanskun, ajo në fakt do të kontrollonte të gjithë Luhanskun. Dhe nëse Slovyansk dhe Kramatorsk do të binin përfundimisht, Rusia do të kontrollonte gjithashtu pothuajse të gjitha më të mëdha në provincën Donetsk. Kjo, nga ana tjetër, do ta lejonte atë të pretendonte se përmbushur qëllimin e deklaruar të luftës për “çlirimin” e Donbasit.
Shumë prisnin që Ukraina të tërhiqej nga Severodonetsku javë më parë. Qyteti ka pak rëndësi strategjike përtej historisë së tij të fundit dhe Lysychansk është një vend më i mbrojtur. Në vend të kësaj, Ukraina ndërmori kundërsulme dhe ruajti pozicionet. Një nga synimet është të bllokohen forcat ruse, duke blerë kohë derisa të mbërrijnë më shumë armatime perëndimore – raketat e famshme amerikane HIMARS pritet të mbërrijnë shumë shpejt.
Më 15 qershor, inteligjenca britanike tha se rezistenca ukrainase po e pengonte Rusinë të dërgonte trupa diku tjetër. Një tjetër arsye e rezistencës aty është shkaktimi i viktimave të vazhdueshme ndaj Rusisë, duke varfëruar më tej radhët e saj. Një arsye e tretë është se qyteti është një fushëbetejë më e favorshme për taktikat e preferuara të Ukrainës të luftës urbane, sesa për duelet e artilerisë me rreze të gjatë në terren të hapur ku Rusia ruan avantazhin.
Kjo rezistencë ka ardhur me një kosto.
Severodonetsku i shpëtoi shkatërrimeve të mëdha në 2014. Ishte një “qytet i vogël shumë i bukur, i pastër dhe komod” para luftës, thotë Brian Milakovsky, i cili jetoi atje për gjashtë vjet deri në këtë janar, duke punuar për çështje humanitare dhe zhvillimore.
Ai iu nënshtrua një rilindjeje të vogël vitet e fundit, thotë z. Milakovsky, pasi u bë kryeqyteti administrativ, në vend të qytetit të pushtuar të Luhanskut dhe pranoi refugjatë nga gjetkë në Luhansk. /abcnews.al/
Rruga Press