Votohet në parim projektligji për pagën minimale në Kosovë
Kuvendi i Kosovës ka votuar në parim projektligjin, i cili hap rrugë për rritjen e pagës minimale.
Projektligji i miratuar parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.
Pas miratimit në parim të projektligjit, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se projektligji do t’u ndihmojë më shumë se 100 mijë punëtorëve, të cilët paguhen më pak se 264 euro.
Sipas zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, nga viti 2017 – kur edhe është bërë një plotësim-ndryshim i Ligjit për veteranët e luftës – ndërlidhja e pensionit të tyre me pagën minimale nuk parashihet më.
Kur më 2017 është shfuqizuar neni i Ligjit për veteranët e luftës, i cili parashihte që pensioni i veteranit mos të jetë më i ulët se paga minimale, i njëjti është plotësuar me nenin që parashihte kategorizimin e veteranëve – varësisht nga vitet e angazhuara në UÇK – gjë që deri më tani nuk ka ndodhur.
Çka parasheh projektligji?
Projektligji, i cili synon rritjen e pagës minimale ka për qëllim të ndryshojë dhe plotësojë ligjet e përcaktuara në të cilat ndërlidhin shumën e beneficioneve apo kompensimeve me pagën minimale.
Po ashtu, ky projektligj ndryshon shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, si dhe procedurën e vendosjes së pagës minimale.
Sipas projektligjit të miratuar në parim – Qeveria e Kosovës në fund të çdo viti kalendarik përcakton pagën minimale, sipas propozimit të Këshilli Ekonomiko-Social. Por, në mungesë të një propozimi nga ky Këshill, ministri për Financa mund të parashtrojë një propozim për pagën minimale për Qeverinë.
Projektligji ndryshon dhe plotëson Ligjin për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ligjin për personat e verbër dhe Ligjin për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë.
Te veteranët ky projektligj thekson se ‘deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranit Qeveria e Kosovës, me propozimin e Ministrisë përgjegjëse për financa, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual’.
Edhe për kompensimin për përfituesit – personat e verbër dhe personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, Qeveria e Kosovës vendos për lartësinë e shumës – varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual.
Paga minimale, sipas projektligjit, ka zero tatim.
\Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar nga viti 2011./REL
Rruga Press