Bota

Ukraina druan se zgjatja e luftës do të ndikonte në humbjen e interesimit të Perëndimit

Derisa pushtimi rus i Ukrainës po kalon në muajin e tij të katërt, zyrtarët në Kiev kanë shprehur frikën se lodhja nga lufta mund ta dëmtojë vendosmërinë e Perëndimit për ta ndihmuar vendin të zmbrapsë agresionin e Moskës.

SHBA-ja dhe aleatët e saj i kanë dhënë Ukrainës miliarda dollarë armatime. Evropa ka pranuar miliona njerëz të zhvendosur nga lufta. Po ashtu ka pasur unitet të paprecedentë në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore në vendosjen e sanksioneve ndaj presidentit rus, Vladimir Putin dhe vendit të tij, raporton Associated Press të premten.

Por derisa tronditja e nisjes së pushtimit të 24 shkurtit zvogëlohet, analistët thonë se Kremlini mund të shfrytëzojë një konflikt të zvarritur, të rrënjosur dhe interesin e mundshëm në rënie midis fuqive perëndimore, që mund të çojë në presionin ndaj Ukrainës për një zgjidhje.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tashmë ka kundërshtuar sugjerimet perëndimore se ai duhet të pranojë një lloj kompromisi. Ukraina, tha ai, do të vendosë vetë kushtet e saj për paqen.

Lexo më shumë  Biden publikon foton e fundit si president i SHBA-së: Edhe një foto të fundit, të duam Amerikë

“Lodhja po rritet, njerëzit duan një lloj rezultati që është i dobishëm për veten e tyre, dhe ne duam një tjetër rezultat për veten tonë,” tha ai.

Një propozim italian për paqe u hodh poshtë dhe një deklaratë e presidentit francez, Emmanuel Macron u prit me një reagim të zemëruar pasi ai u citua të thoshte se megjithëse pushtimi i Putinit ishte një “gabim historik”, fuqitë botërore nuk duhet “ta poshtërojnë Rusinë, kështu që kur të ndalojnë luftimet, ne mund të gjejmë një rrugëdalje së bashku përmes rrugëve diplomatike.”

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba tha se një bisedë e tillë “vetëm mund ta poshtërojë Francën dhe çdo vend tjetër që do ta bënte atë”.

Kievi dëshiron ta largojë Rusinë nga zonat e pushtuara rishtazi në Ukrainën lindore dhe jugore, si dhe ta rimarrë Krimenë, të cilën Moska e aneksoi në vitin 2014, dhe pjesë të Donbasit nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Kremlini për tetë vitet e fundit.

“Çdo muaj i luftës i kushton Ukrainës 5 miliardë dollarë”, tha Volodymyr Fesenko, analist politik në qendrën e mendimit Penta Center, dhe kjo sipas tij, “e bën Kievin të varur nga pozicioni i konsoliduar i vendeve perëndimore”.

Lexo më shumë  Revizionizmi dhe dezinhibimi: Perandoria e Trumpit në Doktrinën Marco Rubio

Ukraina do të ketë nevojë për armë edhe më të avancuara për të siguruar fitoren, së bashku me vendosmërinë perëndimore për të vazhduar presonin ekonomik ndaj Rusisë, për ta dobësuar kështu fuqinë e Moskës.

“Është e qartë se Rusia është e vendosur të rraskapitë Perëndimin dhe tani po ndërton strategjinë e saj me supozimin se vendet perëndimore do të lodhen dhe gradualisht do të fillojnë të ndryshojnë retorikën e tyre militante në një retorikë më akomoduese,” tha Fesenko në një intervistë për AP.

SHBA-ja vazhdon ta ndihmojë Ukrainën, me presidentin Joe Biden që tha javën e kaluar se Washingtoni do t’i sigurojë asaj sisteme të avancuara raketash dhe municionesh, që do t’i mundësojnë të godasë objektivat kryesore në fushën e betejës.

Në një ese të publikuar në “New York Times” më 31 maj, Biden tha se nuk do t’i bëj presion qeverisë ukrainase – privatisht ose publikisht për të bërë ndonjë lëshim territorial.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *