Bota

Putini nuk mund t’ua mbyllë përgjithmonë gojën nënave ruse

Nga Clara Ferreira Marques “Bloomberg

Makineria propagandistike e Vladimir Putinit, ka ndërtuar imazhin e një kombi të fuqishëm me një udhëheqës të paepur dhe një ushtri të disiplinuar, të rrethuar nga armiqtë, dhe që është duke luftuar për të ardhmen e atdheut.

Ajo nuk merr parasysh faktin se ishte Rusia ajo që e pushtoi Ukrainën, se ka pasur prova të shumta të plaçkitjeve dhe përdhunimeve nga ushtarët rusë, apo se ajo që supozohej të ishte një sulm pa gjakderdhje, është shndërruar në një luftë të kushtueshme.

Posterat e vendosura në anë të rrugëve me portretet e ushtarëve të rënë në betejë, bartin përcaktimin “heroi i fitores”, megjithëse nuk ka asnjë triumf të vërtetë. Një slogan popullor që përkthehet përafërsisht si “Nuk do të braktisim asnjë nga njerëzit tanë!”, edhe pse forcat e armatosura e bëjnë vazhdimisht këtë gjë, duke braktisur trupat e pajetë në baltë apo në morgjet ukrainase të improvizuara.

Kremlini e mban nën kontroll të fortë narrativën e tij zyrtare. Por ndërsa lufta po zgjat, ekziston një e vërtetë e papërshtatshme, të cilën edhe presidenti Vladimir Putin do ta ketë gjithnjë e më të vështirë për ta fshehur: burrat që nuk arrijnë të rikthehen në shtëpitë e tyre.

Edhe në një regjim despotik është e vështirë t’i mbyllet goja nënave, grave dhe fëmijëve të ushtarakëve të vrarë, sidomos nëse zemërimi popullor rritet bashkë me vështirësitë e mëdha ekonomike. Zemërimi dhe pikëllimi i tyre, ka ndihmuar në mobilizimin e opinionit publik në të kaluarën, duke e dëmtuar imazhin e ushtrisë dhe shtetit.

Dhe mund ta bëjë sërish këtë gjë. Humbjet e Rusisë në Ukrainë kanë qenë tashmë tronditëse, edhe nëse ritmi i tyre është ngadalësuar disi në krahasim me ditët e para. Është e vështirë të jesh i saktë për to sepse të dhënat zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes nuk janë publikuar që nga 25 marsi, dhe madje edhe atëherë në mënyrë të pashmangshme janë shumë më poshtë numrit real.

Kështu, atëherë u raportua vetëm për 1.351 të vrarë. Ukraina llogarit rreth 30.000 ushtarë rusë të vrarë, një mbivlerësim. Por edhe nëse është në fakt gjysma e kësaj shifre, siç llogariti Sekretari britanik i Mbrojtjes në prill, nuk do të ishte shumë larg numrit të trupave që humbi zyrtarisht Bashkimi Sovjetik në konfliktin e tij 10-vjeçar në Afganistan.

Dhe ky numër po rritet. Ne e kemi parë më herët fuqinë që kanë nënat e viktimave. Gjatë viteve 1980, trupat e të vrarë ktheheshin nga Afganistani në arkivole prej zinku të vulosur, ndërsa në gurët e varrit gdhendej vetëm fjalia standarte “I vrarë duke përmbushur detyrën e tij internacionaliste”.

Të ndihmuara nga liritë e garantuar nga Glasnosti, nënat e zemëruara filluan që të kërkonin informacion për të vrarët dhe të plagosurit në atë luftë. Ato bënë një fushatë aktive kundër Dedovshchina, përdhunimit brutal të rekrutëve të rinj, dhe e detyruan ushtrinë sovjetike që të jepte për herë të parë përgjigje mbi pyetjet e tyre.

Komiteti i Nënave të Ushtarëve, ishte në qendër të vëmendjes edhe gjatë Luftës së Parë Çeçene. Ato marshuan në kryeqytetin çeçen Grozni, dhe negociuan për të sjellë në shtëpi djemtë e tyre, ndërsa mblodhën prova për të vrarët dhe të plagosurit.

Lexo më shumë  Pas fitorës së raundit të parë të zgjedhjeve nga kandidati anti-Nato, Presidenti i Rumanisë mbledh Këshillin e Lartë të Mbrojtjes për cënimet e sigurisë nga Tiktok-u

Zemërimi i nënave e vuri dikur Putinin në një situatë të sikletshme në lidhje me fundosjen e nëndetëses bërthamore “Kursk” në vitin 2000, me 118 marinarë në bord. “Ata fitojnë vetëm 50 dollarë në muaj dhe tani kanë ngecur në atë kanaçe! Për çfarë e rrita unë tim bir? A keni fëmijë ju vetë?”- u ulëriti në fytyrë zyrtarëve të Kremlinit një nga nënat e viktimave në atë tragjedi.

Asaj iu mbyll goja me shpejtësi. Pamjet televizive treguan se iu injektua në krah një substancë qetësuese, pas së cilës u rrëzua për tokë. Edhe pse më vonë ajo vetë e mohoi këtë gjë, zemërimi i publikut ishte më i vështirë për t’u mbajtur nën kontroll.

Gjërat këtë vit do të luhen ndryshe. Aftësia për ta detyruar ushtrinë të ishte transparente në fundin e viteve 1980, ndikimi i nënave gjatë Luftës Çeçene në vitet 1990, madje edhe gjatë tragjedisë së nëndetëses “Kursk”, ishin të mundshme në kontekstin e medias dhe lirisë politike relative, falë reformave të Perestrojkës dhe kaosit që pasoi.

Nuk është një rastësi që nënat patën shumë më pak sukses gjatë Luftës së Dytë Çeçene, kur Putin sapo ishte ngjitur në krye të vendit. Sot, propaganda që lavdëron të rënët është e shfrenuar, kontrolli mbi median shumë më i fortë, dhe ka shumë më pak tolerancë për çdo lloj proteste.

Siç më tha Gulnaz Sharafutdinova nga Kolegji Mbretëror i Londër, në dallim nga Afganistani apo Lufta e Parë Çeçene, kur shoqëria ruse ishte më e barabartë dhe të prekura ishin familjet e të gjitha shtresave, të përfshirët në këtë konflikt janë në përgjithësi jo rekrutët, por ushtarët me kontratë, të rinjtë që kërkojnë një rrugëdalje nga varfëria, ata që vijnë nga pakicat etnike dhe rajonet e largëta, dhe me pak ndikim politik.

Është e qartë se pse një listë prej gati 1.100 vdekjesh të analizuara nga Shërbimi rus i BBC në fillim të prillit nuk përfshinte asnjë individ të vetëm nga Moska, një qytet me afro 13 milionë banorë. Kishte vetëm 5 nga rajoni i Moskës dhe një nga Shën Petersburgu. Burjatia, një republikë me më pak se 1 milionë njerëz, kishte 52 ushtarakë të rënë. Dagestani, në Kaukaz dhe me rreth 3 milionë banorë, kishte 93 të vrarë.

Dhe realiteti është se një vdekje është më e lehtë për t’u përballur nga familjet nëse është “heroike”, duke i bërë ata më të prirur të pranojnë variantin zyrtar. Kur fituesja e çmimit Nobel, Svetlana Aleksievich shkroi librin e saj mbi ushtarët e luftës sovjetike në Afganistan dhe familjet e tyre “Djem në arkivolet prej zinku”, ajo u kërcënua dhe u padit nga disa prej familjarëve për shpifje.

“Nënat e djemve që kishin vdekur në Afganistan erdhën në gjyq me portretet e fëmijëve të tyre, me medaljet e tyre. Dhe më thanë mua: “Nuk kemi nevojë për të vërtetën tënde, ne kemi të vërtetën tonë!”. Por për çdo viktimë, trillimi është më i vështirë për t’u mbështetur dhe pyetjet bëhen më të ngutshme.

Lexo më shumë  Rubla ruse arrin nivelin më të ulët në 32 muaj kundrejt dollarit

Ky është një rrezik që rritet me çdo kryqëzor të mbytur apo një regjiment parashutistësh të goditur keq. Sidomos kur synimet e luftës mbeten të errëta. Ukraina ka menduar që ta shfrytëzojë rastin. Presidenti Volodimir Zelenski, u ka bërë thirrje drejtpërdrejt nënave ruse.

Qeveria në Kiev ka krijuar një linjë telefonike të posaçme dhe drejton një kanal në rrjetin social Telegram, por edhe një faqe interneti me fotot e atyre që janë kapur robër, për familjet që kërkojnë të dashurit. Ky është një rrezik që Putini e njeh mirë, dhe me të cilin është përballur që kur dështuan planet e tij për një luftë 3-ditore në fundin e muajit shkurt.

Ai ka thënë vazhdimisht se nuk ka asnjë rekrut në front në Ukrainë, dhe i ka rezistuar idesë së shpalljes së mobilizimit masiv. Por Ministria ruse e Mbrojtjes, është detyruar ta pranojë se disa rekrutë janë duke u përdorur në këtë luftë dhe se disa prej tyre janë kapur robër.

Siç thekson Ben Noble, që studion politikën e brendshme ruse në Kolegjin Universitar në  Londër, viktimat dhe vështirësitë ekonomike, do të testojnë kufijtë e propagandës dhe represionit të regjimit rus, sepse të dyja përjetohen drejtpërdrejt nga rusët e zakonshëm, pavarësish se çfarë thuhet nëpër debatet televizive.

Tre faktorë i përkeqësojnë gjërat për Putinin. Së pari, dhe sipas standardeve të autokratëve, Putin e ka të vështirë të shfaqë ndjeshmërinë e tij si njeri. Ai gjeti kohë të vizitojë disa ushtarë të plagosur vetëm 3 muaj pas pushtimit të Ukrainës.

Së dyti, ndryshe nga aneksimi i Krimesë në vitin 2014, rritja e ndjenjës patriotike tek opinioni rus, e treguar në sondazhe pas fillimit të luftimeve, tregon gjithashtu edhe një ankth të madh. Dhe tani ka familjarë të viktimave që kanë nisur të sulmojnë zyrat e rekrutimit.

Së treti, është theksi që Putin vë mbi gratë, që sipas tij mision kryesorë kanë të jenë nëna dhe të lindin sa më shumë fëmijë, pasi vendi përballet me shumë probleme demografike. Po ashtu ai mbështetet në pikëpamjet tradicionaliste për ta sunduar shoqërinë ruse. Për shembull, ka kërkuar të rivendosë titullin sovjetik të “Nënës Heroine” për gratë me shumë fëmijë.

Nënat dhe bashkëshortët nuk mund ta rrëzojnë Putinin nga pushteti apo t’i japin fund luftës. Ashtu siç revolta e tyre nuk i detyroi trupat sovjetike të largoheshin nga Afganistani apo shembjen e Bashkimit Sovjetik. Por pikëllimi i tyre dhe numri në rritje i viktimave, ushtron një presion të madh mbi ushtrinë dhe shtetin rus, që do të ketë pasoja të paparashikueshme.

“Ne jemi mësuar të jetojmë në dy nivele, njëri sipas asaj që lexojmë në libra dhe media, dhe tjetri – krejtësisht i ndryshëm – sipas përvojës sonë”- i tha një grua Alexievich, pasi u botuan disa pjesë nga libri i saj. “Gjithçka që ke shkruar ishte e vërtetë, por realiteti ishte edhe më i tmerrshëm”- tha ajo. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *