Si po e humbin virgjërinë organet e Vetingut
Kur u zgjodhën për të kryer kontrollin financiar, profesional deri edhe moral të gjyqtarëve dhe prokurorëve në detyrë, merret me mend se antarët e komisioneve të Vetingut u konsideruan si ajka e sistemit të drejtësisë. Të drejtë, të pastër dhe pa asnjë cen profesional, ata kishin mbi supe një mision për të cilin u investuan përfaqësuesit e SHBA, BE dhe 140 votat nga parlamenti.
Antarët e KPK dhe KPA qenë filtrat ku duhej të ngecnin gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar dhe si të tillë, duhej të ishin të pastër dhe të ndershëm si pak të tjerë.
Por ndër vite trupa e juristëve të Vetingut ka nxjerrë probleme, që kanë të bëjnë me falsifikim dokumentash dhe fshehje të pasurisë. Askush nuk priste që juristët e Vetingut të ishin të virgjër, por në disa raste gjetjet ndaj tyre janë edhe më të rënda se ato për disa prokurorë dhe gjyqtarë, që u dogjën nga kontrolli.
I tillë duket rasti i Etleda Çiftes që u mor e pandehur nga SPAK për deklarim të rremë të pasurisë dhe falsifikim dokumentash. Çiftja akuzohet se kur plotësoi deklaratën e pasurisë deklaroi se kishte paguar 50 mijë euro për një sipërfaqe toke në Qerret të Kavajës. Por në kontratë, shuma e blerjes rezultoi të ishte 300 mijë lekë.
Prej vitesh, ndërsa ishte nën hetim anëtarja e KPK-së nuk e sqaroi dot falsifikimin, ndërkohë që ishte edhe një nga antarët e trupës që kaloi në Veting, Arben Krajën. Të hënën pritet që të pezullohet nga puna si antare e KPK dhe të japë llogari para SPAK.
Ironikisht, pasaktësitë e deklarimeve të tij, nuk u nxorën në dritë nga ata që e përzgjodhën dhe që e kishin detyrë kushtetuese ta bënin këtë punë, por nga viktimat e tij. Kallëzimi penal ndaj Dacit u depozitua nga ish-prokurorja e Prokurorisë së Tiranës Antoneta Sevdari; ish-prokurori i Korçës, Elsion Sadiku dhe ish-gjyqtari i Apelit Tiranë, Ervin Metalla, të tre të shkarkuar nga detyra gjatë procesit të rivlerësimit.
Para Etleda Çiftes ishte Luan Daci që u kap me falsifikim dokumentash. Ish-antari i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u dënua me 6 muaj burg, që u konvertua më pas në shërbim prove, sepse kishte fshehur një masë disiplinore në aplikimin e tij si pjesë e organeve të Vetingut.
Rasti “Daci” vuri në dyshim të gjitha vendimet e dhëna më parë nga ai për vetingun, pasi juristët arsyetonin se “gjyqtari ishte në kushte paligjshmërie”.
Vendimet e KPA, në të cilat Kolegji mund të ishte ndarë në raportin 4 me 3, u konsideruan automatikisht të cënueshme nëse ish-gjyqtari Daci kishte qenë pjesë e shumicës. Të tjerë argumentuan se e gjithë vendimarrja e Kolegjit ishte e cënueshme, sa kohë në kuoumin e tij, ishte përllogaritur vota e një gjyqtari të caktuar në kushte paligjshmërie.
Një tjetër anëtar i KPA, Ardian Hajdari është në gjykatë për të njëjtat arsye. SPAK e akuzon për “fshehje të të ardhurave” dhe “deklarimit të rremë të pasurisë”.
Prej 7 shkurtit 2022, Hajdari është pezulluar nga detyra në KPA, pasi u mor i pandehur. Hajdari akuzohet se kur aplikoi për të qenë pjesë e organeve të Vetingut ka lënë bosh rubrikën lidhur me të ardhurat e krijuara më parë nga avokatia.
Sipas prokurorisë, mosdeklarimi i të ardhurave është një fshehje e mirëfilltë e kryer për disa vite me radhë. Sipas verifikimeve të kryera, Hajdari ka përfaqësuar në cilësinë e avokatit dhjetra çështje për disa vite, por nuk i ka deklaruar në tatime të ardhurat e fituara.
“Siç rezulton e provuar nga hetimi, ky shtetas, gjatë gjithë viteve të ushtrimit të profesionit të avokatit është udhëhequr nga qëllimi i vetëm për të fshehur të ardhurat, me qëllim për të mos paguar detyrimet tatimore ndaj shtetit,” thuhet në kërkesën e SPAK për gjykim.
Skandale të tjera, kanë karakterizuar punën e antarëve të organeve të vetingut, që nga përgjimet e Gerta Bungos që përbetohej se një “maloke” nuk do ta kalonte vetingun kurrë e deri te fshehja e parave me të cilat ishin paguar udhëtimet në resorte turistike.
Në shkurt, opozita i bashkoi votat me mazhorancën për zgjatjen e mandatit të organeve të Vetingut, duke ndryshuar Kushtetutën pa një analizë paraprake dhe pa asnjë kushtëzim.
Vendimi i Lulzim Bashës për të votuar pro zgjatjes së organeve të vetingut u mor pas kërkesave të vazhdueshme të ambasadës amerikane dhe të delegacionit të Bashkimit Europian. Deri më tani mendohet se ende një e treta e gjyqtarëve dhe prokurorëve të sistemit janë ende në pritje për të kaluar vetingun/lapsi/
Rruga Press