Gjeopolitikë

A po shkon Amerika drejt luftës civile?

Nga Eduard Luce “Financial Time

Në verën e vitit 2015, Amerika pa një shembull të vogël se si mund të shpalosej e ardhmja e saj. Ushtria amerikane kreu një stërvitje rutinë në jug të vendit, e cila shkaktoi një mori teorish konspirative, sidomos në Teksas. Disa besonin se ajo ishte pararendëse e një pushtimi nga Kina.

Të tjerë menduan se do të përkonte me përplasjen e një asteroidi të madh. Sipas njërit prej uebsajteve të së djathtës ekstreme, stërvitja ushtarake e koduar me emrin “Jade Helm 15”, synonte “dëbimin e patriotëve nga shtëpitë e tyre”. Guvernatori republikan i Teksasit, Greg Abbot, i mori seriozisht këto pretendime.

Ai u sigurua që 1200 trupat federale të monitoroheshin nga afër nga Garda Kombëtare e Teksasit. Në atë episod të çuditshëm, që ndodhi një vit para se Donald Trump të bëhej kandidat për president i Partisë Republikane, ne shohim “mikrobet” e ndarjes që ekziston sot në SHBA.

Ashtu si me çdo paralajmërim mbi një lufte civile të afërt, vetë përmendja e mundësisë së një lufte tjetër civile në SHBA, tingëllon si shumë alarmante. Shpërbërja e Amerikës është parashikuar shpesh dhe në mënyrë të gabuar. Por disa libra të botuara kohët e fundit, ofrojnë argumente të forta, se shenjat paralajmëruese janë më të shumta se në çdo kohë që nga viti 1861.

Filozofi francez Voltaire tha dikur:”Ata që mund t’ju bindin të besoni absurditete, mund t’ju nxisin që të kryeni akte mizore”. Siç rrëfen Barbara Walter e Universitetit të Kalifornisë në librin e saj “Si nisin luftërat civile”, demokracia amerikane po kontrollon “kutitë e gabuara”.

Edhe para se Trump të triumfonte në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës, analistët politikë kishin ngritur shqetësimin e tyre për erozionin e demokracisë dhe orientimin drejt autokracisë. Ndarjet paralizuese të shkaktuara nga puçi i dështuar i Trump i 6 janarit 2021, kanë rritur në maksimum rreziqet.

Sondazhet tregojnë se shumica e republikanëve besojnë, pa pasur prova, se zgjedhjet e fundit presidenciale u vodhën nga demokratët e mbështetur nga i ashtuquajturi “Shteti i thellë” (Deep State), qeveria kineze, makineritë e manipuluara të votimit të marra nga Venezuela

etj. Në librin e tyre “Kjo nuk do të kalojë”, gazetarët e New York Times, Jonathan Martin dhe Alexander Burns, citojnë Joe Biden t’i ketë thënë privatisht një zyrtari të lartë të Partisë Demokratike:“Unë shpresoj që presidenca ime të funksionojë. Nëse jo, nuk jam i sigurt se do ta kemi më SHBA-në!”.

Fakti që një president amerikan mund të thotë diçka kaq apokaliptike, tregon se sa  e zakonshme është bërë një frikë e tillë. Në vitin 1990, CIA parashikoi me saktësi se Jugosllavia do të shpërbëhej brenda 2 viteve të ardhshme, sepse brenda saj po forcoheshin fraksionet etnike.

Në vitin 2022, dy partitë e mëdha në SHBA janë të rreshtuara gjithnjë e më shumë sipas linjave racore dhe identitare. Republikanët janë të bardhë, banojnë në qytetet e vogla dhe zonat rurale. Demokratët janë tashmë pothuajse tërësisht urbanë dhe multi-etnikë.

Ndërkaq po zhduken zakonet e një demokracie normale, në të cilën partia humbëse formon një opozitë besnike. Më shumë se një e treta e republikanëve dhe demokratëve, besojnë aktualisht se dhuna është e justifikuar për të arritur qëllimet e tyre politike, krahasuar me më pak se 1/10 në vitin 2017, viti kur Trump mori detyrën si president.

Retorika e tij hapi dyert ndjenjave separatiste. Kur një parti humbet zgjedhjet, votuesit e saj ndihen sikur Amerika e tyre po pushtohet nga një fuqi e huaj. Amerika, thekson Walter, është shndërruar në një “demokraci të fraksionizuar” – një shteti midis autokracisë dhe demokracisë – që “po i afrohet me shpejtësi fazës së hapur të rebelimit”.

Dhuna ndjek gjuhën e ashpër politike që përdoret sot në Amerikë. Po si arriti Amerika

në këtë pikë? Ka shumë shenja paralajmëruese, ndaj varet se cilën zgjidhni:qasja shumë polarizuese e republikanit Newt Gingrich gjatë drejtimit të Kongresit në vitet 1990, vendimi

5 me 4 i Gjykatës së Lartë që ia dorëzoi zgjedhjet e vitit 2000 George W Bush, përgjigja e diskutueshme e Amerikës ndaj sulmeve terroriste të 11 Shtetit, hetimi i dyshimtë i FBI-së

për e-mailet gati qesharake të Hillary Clinton-it, demokratët që ia atribuan rusëve fitoren e Trumpit, përpjekja e këtij të fundit për të çrrënjosur çdo parim demokratik, apo dështimi i Kongresit për t’u bashkuar mbi nevojën për të ndëshkuar rebelimin e dhunshëm të janarit 2021.

Hapat pas që ka përjetuar demokracia në Amerikë kohët e fundit, mund të përshkruhen me thënien e famshme të shkrimtarit Ernest Hemingway mbi falimentimin:”Në fillim nis gradualisht, pastaj papritmas ndodh kolapsi”. Burns dhe Martin ofrojnë në librin e tyre një kronikë shumë të detajuar të degradimit politik të Amerikës.

Pjesa më e madhe e kësaj buron nga mungesa e karakterit. Kur përfundoi sulmi i vitit të kaluar në Capitol Hill – i përbërë nga një turmë thuajse tërësisht të bardhësh, policë në pension, infermierë, zhvillues të pronave, mjekë, avokatë dhe pronarëve të bizneseve të vogla që mbanin në duar flamuj të Konfederatës, litarë në formën e lakut, pistoleta “Smith & Wesson”, pajisje trullosëse, fishekzjarre, pranga, lëndë kimike dhe thika – udhëheqësit e Partisë Republikane morën frymë të lehtësuar.

Capitol Hill ishte mbushur me xhama të thyer; korridoret e saj ishin lyera me jashtëqitje.

Por “magjia Trumpiane” ishte prishur. “Kjo qenie e neveritshme njerëzore e diskreditoi përfundimisht veten”- tha Mitch Mcconnell, udhëheqësi republikan i Senatit. Ndërkohë Kevin Mccarthy, homologu i tij në Kongres, i cilësoi “totalisht të gabuara” veprimet e Trump.

Por tre javë më vonë, Mcconnell votoi për shfajësimin e Trump mbi atë që ai e kishte quajtur një “kryengritje të dështuar”. Ndërkohë për të riparuar marrëdhëniet Mccarthy shkoi në rezidencën e Trump në Florida, Mar-a-Lago. Në javët që pasuan, ai kishte arritur në përfundimin se mënyra e vetme për t’u bërë kryetar, ishte me bekimin e ish-presidentit të turpëruar.

“Trump ishte gati i vdekur politikisht. Mccarthy e ringjalli atë”- thotë Adam Kinzinger, njëri nga vetëm 10 republikanët që votuan pro shkarkimit të tij. Nuk ishte absurde shpresa se fitorja plebishitare e Biden do të ulte tensionet në Amerikë. Por ajo buronte nga dëshpërimi. Pasi SHBA-ja është sot edhe më e ndarë sesa ishte gjatë presidencës Trump. Biden premtoi se do të rivendoste konsensusin dypartiak, dhe se do të ishte një president transformues, si dikur Franklin Roosevelt. Por me një Senat të ndarë 50:50, kjo shpresë s’ka qenë asnjëherë realiste.

Joe Manchin, demokrati kokëfortë i Virxhinias Perëndimore, që ka bllokuar projektligjet e mëdha të reformave të Biden, nuk e ruajti ekuilibrin e pushtetit në Uashingtonin siç ndodhi në kohën e Roosevelt. Tani Partia Demokratike përballet me mundësinë e një humbjeje të rëndë në zgjedhjet e mesit të mandatit në nëntor të këtij viti, të cilat do të nxisin një revansh në vitin 2024-ës midis Biden dhe Trump.

Ndërkohë vitet e fundit është shtuar numri i milicive të krahut të djathtë. Walter thotë se supremacizmi i të bardhëve ka depërtuar deri tek agjencitë e zbatimit të ligjit në SHBA. Numri i kryengritësve potencialë të armatosur, është shumë herë më i madh se ai i grupimeve radikale të majta, si Panterat e Zezë dhe Ushtria Çlirimtare Simbioneze, që ngjallën panikun e një luftë civile në fillim të viteve 1970.

Po si do të ndodhte në fakt një luftë civile në SHBA-në e shekullit të XXI-të? Nuk do të kishte asgjë të përbashkët me luftën e dikurshme. Në dallim nga vitet 1860, kur Amerika ishte e ndarë mirë midis Konfederatës Jugore të skllavopronarëve dhe Unionit të Veriut, gjeografia e sotme separatiste është shumë e ndryshme.

Ndryshe nga atëherë, sot nuk mund të mposhten dot forcat e armatosura të Amerikës. Edhe në një vend që ka më shumë armë në duart e civilëve sesa sa njerëz (me më shumë se 400 milion), shumë prej të cilave janë të nivelit ushtarak, asnjë grupim rebel s’do të kishte shans të kishte sukses.

Por Amerika, e di se lufta asimetrike është e pafitueshme. Mendoni pak për Vietnamin, Irakun dhe Afganistanin. Po ashtu kujtoni sesi u themelua dikur SHBA-ja. Ushtria e saj revolucionare humbi gati çdo betejë ballore me britanikët e mirë-pajisur dhe trajnuar.

Por me ndihmën e francezëve, forcat guerile të Amerikës dominuan në fund. Tani zëvendësojeni ushtrinë e sotme federale me britanikët. Ushtritë kanë një histori të tmerrshme të qetësimit të popullatave të trazuara. Çdo viktimë krijon 10 rebelë të tjerë. “Ata do të vepronin në klandestinitet, duke komunikuar me rrjete të koduara. Do të takoheshin në grupe të vogla nëpër dyqane, në shkretëtirat përgjatë kufirit të Arizonës, në parqe publike në Kaliforninë jugore, apo në pyjet me dëborë të Miçiganit, ku do të stërviten për të luftuar”- shkruan Walter. Përktheu: Alket Goce /abc/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *