Bota

Gjashtë leksionet që na japin ukrainasit, sesi luftohet ndaj Putinit dhe Xi Jingingut

Nga HR McMaster “Fox News

Ndërsa presidenti Joe Biden kthehet nga një tur i suksesshëm në Korenë e Jugut dhe Japoni, përfshirë një samit në Tokio me kryeministrin Fumio Kishida të Japonisë, kryeministrin Narendra Modi të Indisë dhe kryeministrin e ri australian Anthony Albanese, administrata Biden ka mundësi të zgjerojë diskutimet në mbarë botën e lirë për të harmonizuar përpjekjet diplomatike, strategjitë e mbrojtjes, sigurinë energjetike dhe qëndrueshmërinë ekonomike.

Këto diskutime duhet të synojnë të krijojnë një kuptim të përbashkët, mbi atë që duhet të mësojë bota e lirë nga pushtimi brutal i Ukrainës. Sepse ajo që do të mësojmë, do të jetë thelbësore për zhvillimin dhe zbatimin e politikave dhe strategjive të reja.

Gjashtë leksionet kyçe dhe pasojat e tyre shoqëruese, duhet të nxisin zbatimin e këtyre politikave dhe strategjive, pasi është i nevojshëm një veprim urgjent dhe i koordinuar, për të rivendosur dhe ruajtur paqen, promovuar prosperitetin, dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

Së pari, pushtimi brutal i Ukrainës në fundin e muajit shkurt, zbuloi se shumë njerëz në botën e lirë, ishin ende peng i supozimeve tepër optimiste për botën e pas Luftës së Ftohtë. Sidomos pas tezës së triumfi në atë luftë, kishte garantuar avantazhin e shoqërive të lira dhe të hapura demokratike mbi sistemet e mbyllura autoritare.

Ata supozuan se konkurrenca midis fuqive të mëdha, ishte një relike e të kaluarës. Por presidenti kinez Xi Jinping dhe ai rus Vladimir Putin mendojnë ndryshe. Përtej dezinformatave, fjalëve me dy kuptime dhe përmbysjes oruelliane të së vërtetës, në thelbin

e deklaratës së përbashkët që lëshuan dy diktatorët në prag të Olimpiadës së Pekinit, qëndronte një mesazh i qartë:ata ishin duke marrë skeptrin e udhëheqjes ndërkombëtare nga ajo që ata e konsiderojnë një botë demokratike e përçarë dhe në rënie.

Pasojë e këtij leksioni është se vendet e QUAD-it, së bashku me partnerët që ndajnë të njëjta vlera dhe ide, duhet të identifikojnë mënyra të reja për të konkurruar në mënyrë më efektive kundër Rusisë dhe Kinës. Alternativa e vetme është pranimi i vizionit të Xi dhe Putin për të ardhmen.

Së dyti, ne kemi mësuar se “diplomacia trekëndore” e praktikuar nga presidenti Richard Nixon dhe Sekretari i Shtetit Henry Kissinger në vitet 1970, kur ata kërkuan marrëdhënie më të ngushta me Rusinë dhe Kinën, sesa këto të fundit kishin me njëra-tjetrën, nuk është më e realizueshme në një botë ku dy fuqitë revanshiste janë zotuar se “miqësia midis dy shteteve nuk ka kufij”.

Lexo më shumë  Ukraina godet një depo nafte ruse në perëndim të Rusisë

Kina e ka mbështetur këtë betim të dhënë para Lojëra Olimpike me diplomacinë e “Ujkut Luftëtar”, e krijuar enkas për të përforcuar fushatën dezinformuese të Kremlinit, dhe për të ndërmarrë veprime që synojnë të zbutin dëmet financiare dhe ekonomike që lidhen me sanksionet ndaj Rusisë, të cilave iu bashkua shumica e botës së lirë.

Kundërshtarët tanë po koordinojnë ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta kundër botës së lirë. Kina dhe Rusia po luajnë me turne rolin e “zjarrvënësit” dhe “zjarrfikësit”, nga Siria në Pakistan, në Azinë Verilindore, dhe deri tek sallat në selinë e Kombeve të Bashkuara.

Së treti, agresioni rus dhe guximi i ukrainasve, kanë konfirmuar se ndërsa lufta nuk është mjeti i preferuar për sheshimin e dallimeve, ajo mund të jetë mënyra e vetme për të siguruar që ato të mos zgjidhen nga të tjerët për ju. Pasojë e këtij leksioni, duke perifrazuar shkrimet e teologut dhe filozofit britanik G.K Chesterton, është se duhet të forcohet urgjentisht mbrojtja kolektive në të gjithë rajonin e Indo-Paqësorit, rivendosur strategjia e parandalimit dhe përgatitur kundërpërgjigja ndaj agresionit.

QUAD dhe vendet e tjera që ndajnë të njëjtat ide dhe vlera, duhet të garojnë jo vetëm për të përmirësuar aftësitë dhe kapacitetet e tyre ushtarake, por edhe për të ndihmuar Tajvanin të përmirësojë mbrojtjen e tij, duke supozuar se çfarë mund të ishte bërë përpara 23 shkurtit për ta ndihmuar Ukrainën që të pengonte pushtimin e ri të Rusisë.

Së katërti, është një gabim i rëndë mbështetja tek regjimet autoritare për furnizimet energjitike. Për Gjermaninë, kalimi drejt burimeve të rinovueshme duke hequr tërësisht dorë nga energjia bërthamore, ishte një kërcim nga një shkëmb drejt e në krahët e Moskës.

Varësia nga nafta dhe gazi rus, ndikoi në reagimin fillimisht të dobët të Gjermanisë ndaj ri-pushtimit brutal të Rusisë në Ukrainë, pasi Gjermania u detyrua të konsumonte më shumë qymyr dhe të emetonte më shumë karbon në atmosferë, për të siguruar ndriçim dhe  ngrohje për qytetarët e saj.

Është e qartë se Shtetet e Bashkuara nuk e kanë mësuar ende këtë leksion, pasi politikat e administratës aktuale, vazhdojnë të kufizojnë zhvillimin e infrastrukturës së naftës dhe gazit, ndërsa zyrtarët e administratës Biden po u bëjnë thirrje regjimeve autoritare si Venezuela dhe Irani që të eksportojnë më shumë gaz dhe naftë.

Lexo më shumë  OBSH: Deri në vitin 2050, rreth 1,2 miliardë njerëz mund të zhvendosen prej klimës

Pasoja e kësaj qasjeje është se ne kemi nevojë për politika të reja, që e integrojnë sigurinë energjitike me atë kombëtare, si dhe me përpjekjet për të reduktuar emetimet e karbonit.

Së pesti, pikat strategjike në zinxhirët e furnizimit që i kontrollojnë agresorët, e minojnë sovranitetin dhe dëmtojnë reagimin ndaj agresionit. Rastet në fjalë përfshijnë jo vetëm varësinë e Evropës nga nafta dhe gazi rus, por edhe varësinë e Indisë nga armët ruse.

Xi Jinping e ka mësuar këtë leksion. Ai po drejton një ekonomi me qarkullim të dyfishtë, e cila varet pak nga tregjet e huaja, financat dhe teknologjia, ndërsa po e thellon varësinë e kombeve të tjera nga prodhimi kinez. Për shembull, Kina po synon dominimin e zinxhirëve të furnizimit, që janë thelbësorë për tranzicionin drejt energjisë së pastër.

Pasoja është se po mbaron koha kur qeveritë dhe bizneset duhet të bashkëpunojnë dhe të bëjnë investime, për të reduktuar rrezikun e ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit, dhe për të ruajtur avantazhet konkurruese në zhvillimin dhe aplikimin e teknologjive jetike. Si fillim, Kongresi Amerikan mund të miratojë Aktin e Konkurrencës së vitit 2022.

Së fundmi, ndërsa udhëheqja e Kremlinit organizoi një paradë ushtarake madhështore, edhe pse ushtria e saj e udhëhequr dobët, e keq-trajnuar dhe e padisiplinuar po dështon në Ukrainë, dhe Partia Komuniste Kineze e forcoi politikën e saj vetë-shkatërruese të “Zero Covid”, ne duhet të arrijmë në përfundimin se regjimet autoritare duken më të forta, se sa janë në të vërtetë.

Regjimet autoritare janë të brishta, ndërsa demokracitë janë elastike. Dhe pasoja është se qytetarët e vendeve të QUAD-it dhe të tjerët në të gjithë botën e lirë duhet të kenë besim,

pasi mund të kërkojnë dhe gjejnë politika më të mira për të rivalizuar me Rusinë dhe Kinën.

Guximi dhe vendosmëria e popullit ukrainas për të mbrojtur të drejtat e veta, mund të frymëzojë edhe qytetarët e vendeve të QUAD-it dhe botën e lirë, që të vlerësojnë liritë që gëzojnë, të mësojnë leksionet që po prodhon pushtimi rus i Ukrainës, dhe të konkurrojnë, të përballen me dyshen Xi-Putin, të forcojë mbrojtjen, të përmirësojnë sigurinë energjitike, të forcojë zinxhirët e furnizimit, dhe të rivendosin besimin tek e ardhmja e botës së lirë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al/

Shënim:H.R McMaster, gjeneral-lejtnant në pension i ushtrisë amerikane. Në vitet 2017-2018 ka qenë këshilltar i presidentit Donald Trump për sigurinë kombëtare.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *