The Guardian, OBSH: Përhapja e lisë së majmunëve mund të jetë vetëm ‘maja e ajsbergut’
Shefja e gatishmërisë për pandeminë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH, Sylvie Briand thotë se përhapja ‘e pazakontë’ e virusit mund të frenohet lehtësisht me masat e duhura.
OBSH ka paralajmëruar se 200 raste të lisë së majmunëve të gjetura javët e fundit jashtë vendeve ku virusi zakonisht qarkullon mund të jetë vetëm fillimi.
“Ne nuk e dimë nëse po shohim vetëm kulminacionin e ajsbergut [ose] nëse ka shumë raste të tjera që janë të pazbuluara në komunitete”, pranoi Sylvie Briand, shefja e përgatitjes dhe parandalimit për epideminë dhe pandeminë e OBSH-së, të premten në një konferencë dhënë vendeve të botës.
Që kur Mbretëria e Bashkuar e raportoi për herë të parë një rast të konfirmuar të lisë së majmunit më 7 maj, afro 200 raste janë raportuar në agjencinë shëndetësore të OKB-së në vende larg shteteve ku virusi është endemik.
Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve e ka dhënë numrin e rasteve të tilla në 219.
Endemike në një numër vendesh të Afrikës perëndimore dhe qendrore, rastet e lisë së majmunëve janë zbuluar papritur në më shumë se 20 vende të tjera në mbarë botën, duke përfshirë SHBA-të, Australinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe gati një duzinë vendesh të BE-së.
Ministria spanjolle e shëndetësisë tha të premten se 98 raste ishin konfirmuar atje deri më tani, ndërsa Mbretëria e bashkuar numëron aktualisht 90 infeksione të verifikuara.
Portugalia ndërkohë ka regjistruar 74 raste të konfirmuara, thanë autoritetet shëndetësore të premten, duke shtuar se të gjitha dukuritë janë te meshkujt, kryesisht të moshës nën 40 vjeç.
Argjentina konfirmoi të premten dy rastet e para të lisë së majmunëve në Amerikën Latine.
“Ne jemi ende në fillimin e kësaj ngjarje,” u tha Briand përfaqësuesve të vendeve anëtare që merrnin pjesë në Asamblenë Botërore të Shëndetit në Gjenevë. “Ne e dimë se do të kemi më shumë raste në ditët në vijim”, tha ajo, por shtoi se nuk ka nevojë për panik.
“Kjo nuk është një sëmundje për të cilën duhet të shqetësohet publiku i gjerë. Nuk është Covid apo sëmundje të tjera që përhapen shpejt.”
Lija e majmunëve lidhet me linë, një sëmundje vdekjeprurëse që u zhduk në vitin 1980. Por lija e majmunëve është shumë më pak e rëndë, me një raport fataliteti prej 3-6%. Shumica e njerëzve shërohen brenda tri deri në katër javë. Lija e majmunëve nuk është sëmundja për të cilën duhet të shqetësohemi.
Simptomat fillestare përfshijnë temperaturë të lartë, nyje limfatike të fryra dhe skuqje të ngjashme me linë e dhenve.
Nuk ka shumë në procesin e trajtimit, por ekzistojnë disa antivirale të zhvilluara kundër lisë, duke përfshirë atë që u miratua së fundmi nga Agjencia Evropiane e Barnave kundër lisë, vuri në dukje Briand.
Vaksinat e zhvilluara kundër lisë janë gjetur gjithashtu të jenë rreth 85% efektive në parandalimin e lisë së majmunëve.
Megjithatë, duke qenë se lija nuk ka paraqitur një kërcënim për më shumë se katër dekada, shumica e njerëzve nën moshën 45 vjeç nuk e kanë marrë vaksinën dhe furnizimet e vaksinave janë sot shumë të kufizuara.
Briand tha se ekspertët po përpiqen ta përcaktojnë se çfarë e ka nxitur këtë “situatë të pazakontë”, duke thënë se hetimet paraprake nuk dukej të tregonin se virusi që shkakton linë e majmunëve kishte ndryshuar ose pësuar mutacion.
Ajo shprehu shpresën se përhapja mund të ndalet. “Ne kemi një opcion të mirë mundësie për ta ndaluar transmetimin tani,” tha ajo. “Nëse i vendosim masat e duhura tani, ndoshta mund ta frenojmë këtë lehtësisht.”/ The Guardian/
Rruga Press