Drejtësia në Shqipëri hallka e pushtetit, thotë Goci: Kauza e pahetuar e Teatrit Kombëtar po sjell pasoja kombëtare
Prej dy vitesh Shqipërisë i mungon Teatri Kombëtar. Edhe pse ka kaluar kohë nga shembja e tij, institucionet shtetërore nuk po bëjnë asnjë përpjekje për ndërtimin e tij.
Gjatë një interviste për Ora News pedagogu dhe aktivisti Ervin Goci tha se fakti që nuk ka akoma një teatër tregon se nuk ka pasur asnjë projekt ndërtimi, gjë që tregon se është shkelur ligji për qeverisjen vendore.
Ervin Goci: “Drama është që ne jemi pa teatër. Jemi pa teatër dhe kjo tregon se ata kur e kanë shembur, nuk kanë pasur asnjë plan asnjë projekt asnjë gjë. Që do të thotë ata kanë shkelur ligjin për qeverisjen vendore sepse ti nuk mund të shembësh një ndërtesë nëse ti nuk ke një plan për të bërë diçka tjetër. Prokuroria duhej të reagonte. Edhe sikur të mos kishte trokitur askush te dera e prokurorisë me një horror që pamë ne, prokuroria mund të kishte hyrë për të bërë qoftë edhe një hetim rutinë. Ka dy vjet dhe nuk thotë gjiysëm fjale. Nuk ka asnjë lloj transparence asnëj gje. Dhe sot jemi me një dëm të rëndë të trashëgimisë.”
Goci thotë se kauza e pahetuar e Teatrit Kombëtar po sjell pasoja dhe për pasuri të tjera kombëtare.
Ervin Goci: “Ajo kauzë e pahetuar sot po sjell pasoja për Gjirokastrën për Butrintin, për të gjitha vendet e tjera që ne i kemi me vlerë të jashtëzakonshme të cilat po shkojnë zingjir tani. Dhe të gjitha këto janë për shkak të mungesës së drejtësisë e cila nuk ka për të bërë absolutisht asgjë.”
Ai thotë se organet e drejtësisë nuk reagojnë pasi sipas tij janë janë një zgjatim, një bisht i pushtetit.
Ervin Goci: “Këtu është problem mirëfilltazi politik është kapje e shtetit e të gjitha institucioneve e pushteteve. Parimisht drejtësinë nuk e pengon asgje, i ka krimet atje edhe denoncimet edhe të gjitha dhe nuk duan të reagojnë për arsye sepse ata po tregojnë që janë çdo ditë e më shumë hallkë e pushtetit, janë një zgjatim, një bisht i pushtetit. Prandaj pushtetarët fryjnë shpatullat nëpër televizione sepse e dinë shumë mirë se nga mbrapa i kanë krahet e ngrohta.”
Rruga Press