Presidenti Biden: Aplikimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO një moment vendimtar
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se Suedia dhe Finlanda e kanë “mbështetjen e plotë, totale dhe komplete” të ShBA-së në vendimin e tyre historik për të aplikuar për anëtarësim në NATO.
Të dy vendet paraqitën aplikimet e tyre këtë javë për të qenë pjesë e aleancës së mbrojtjes, një ndryshim drastik në gjeopolitikën evropiane.
Lëvizja e dy vendeve nordike është kundërshtuar nga anëtari i NATO-s, Turqia.
Rusia e sheh NATO-n si një kërcënim dhe ka paralajmëruar për “pasojat” e zgjerimit.
Për t’u bashkuar me aleancën, të dy kombet kanë nevojë për mbështetjen e të 30 vendeve anëtare të NATO-s.
Duke folur së bashku me kryeministren suedeze Magdalena Andersson dhe presidentin finlandez Sauli Niinisto në Shtëpinë e Bardhë të enjten, Bideni i quajti aplikimet e Suedisë dhe Finlandës për t’u bashkuar me NATO-n “një moment vendimtar në sigurinë evropiane”.
Rruga Press