Sveçla: Serbia po dëshmon se është satelit i Rusisë, siguria në Kosovë është stabile, por duhet vigjilencë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se sot më shumë se kurrë kërkohet vigjilencë e shtuar nga organet e sigurisë në Kosovë.
Në debatin për gjendjen e sigurisë në Kuvend, ministri Sveçla tha se gjendja e sigurisë në vend është stabile, por ka pasur përpjekje destabilizimi në veri të vendit.
Ai tha se sulmet ndaj policisë në veri kanë pasur qëllim të minojnë punën e Policisë së Kosovës dhe frikësimin e qytetarëve.
“Këto sulme terroriste kanë pasur për qëllim të minojnë punën e policisë së Kosovës në veri të vendit, rrezikojnë jetën e policëve dhe frikësojnë qytetarët anë e banë vendit. Fatmirësisht kjo nuk ndodhi, por mbështetja e grupeve kriminale nga Beogradi vazhdon të paraqes kërcenim për stabilitetin dhe paqen në vendin tonë dhe ne me vëmendje po e përcjellim çdo zhvillim. Më shumë se kurrë kërkohet një vigjilencë e shtuar nga të gjithë ne organet e sigurisë”, tha ai.
Para deputetëve, Sveçla theksoi se Serbia po dëshmon se është satelit i Rusisë.
“Serbia jo vetëm me sulmet e njëpasnjëshme të zyrtarëve tanë, por në vazhdimësi, qoftë verbalisht, por edhe veprime ka vazhduar të konfirmojë se është satelit i Rusisë dhe mbështetëse e interesave të saj. Kjo padyshim është kërcënim serioz jo vetëm për Kosovën, por edhe më gjerë. Provokimet ruse në Kosovë vazhdojnë të jetë prezentë edhe sot, ndërsa ato haptazi u shfaqën në shtator të vitin të kaluar gjatë kohës së sigurisë në veri të vendit dhe reciprocitetit me targa”, potencoi Sveçla.
Megjithatë, shtoi se që nga marrja e mandatit janë angazhuar që institucionet e sigurisë të jenë në nivel të lartë profesionale.
“Siguria në vendin tonë është stabile. Që nga marrja e mandatit jemi angazhuar maksimalisht që institucionet e sigurisë të jenë në nivel të lartë profesional dhe në krye të detyrës”, përfundoi ai.
Rruga Press