Bota

Mësime nga Ballkani: Si mund të bëhet drejtësi për viktimat e krimeve të luftës në Ukrainë

Nga Denisa Kostovicova & Rachel Kerr “London School of Economics

Kjo pranverë shënoi 30-vjetorin e fillimit të rrethimit të Sarajevës. Nga prilli 1992 deri në fundin e luftës në dhjetor 1995, forcat serbe të Bosnjës rrethuan dhe bllokuan kryeqytetin. Banorët iu nënshtruan sulmeve të përditshme me zjarrin e artilerisë dhe snajper, së cilat

vranë më shumë se 12.000 njerëz, nga të cilët gati gjysma ishin civilë dhe mbi 1.600 fëmijë.

Në Sarajevë, përvjetori u shoqërua me një moment prekës kujtimi dhe reflektimi, për të afërmit e humbur, por edhe për përparimin drejt kompensimit për humbjen dhe vuajtjet.

Por këtë vit, festimet ishin edhe më emocionale nga ndjenja e solidaritetit dhe empatisë me popullin e Ukrainës. Më 9 prill, qytetarët e Sarajevës zhvilluan një tubim kundër agresionit rus. Ajo protestë nuk i ngjante asnjë proteste të mëparshme. Goditja pa dallim nga ushtria ruse e civilëve në Ukrainë, e bëri edhe më të madhe kujtesën e vuajtjeve të civilëve në Bosnje.

Por përveç ofrimit të solidaritetit dhe mbështetjes, gati 3 dekada pas përfundimit të luftës në Bosnje, çfarë leksionesh mund të ofrohen nga përvoja e të mbijetuarve dhe viktimave, dhe më gjerësisht nga të gjithë ata që vuajtën në luftërat e zhvilluara në Ballkan në vitet 1990 dhe në fillimin e viteve 2000?

Ndërsa po shtohen provat e krimeve të luftës në Ukrainë nga ushtria ruse, po rriten edhe kërkesat për drejtësi dhe llogaridhënie. Ato vijnë nga ukrainas të tronditur nga predhat që i kanë marrë jetën anëtarëve të familjes dhe miqve, dhe të plagosurit që arritën të shpëtonin për pak. Por edhe nga anëtarë të qeverisë ukrainase.

Por cila është perspektiva që të dëgjohen këto thirrje, dhe të dalin para drejtësisë përgjegjësit e krimeve, nga ushtari më i thjeshtë e deri tek ata që janë në krye të zinxhirit komandues? Lufta e Putinit ndaj Ukrainës mund të mos ecë sipas planit. Megjithatë, është ende e vështirë të imagjinohet ulja e Putinit në bankën e të akuzuarve.

Rasti i tij nuk është i ndryshëm nga imuniteti i dukshëm që duket se gëzonte udhëheqësi autoritar i Serbisë në kulmin e luftërave ballkanike, dhe të ndjekjes së dhunshme të projektit të tij nacionalist të aneksimit të territoreve të banuara nga serbët në Kroaci dhe Bosnje Hercegovinë.

Presidenti serb Slobodan Miloshevic jo vetëm që i shpërfilli normat e reja globale, por ishte i pandikuar prej tyre kur ushtroi dhunë ndaj civilëve, fillimisht në Kroaci, pastaj në Bosnje dhe më në fund në Kosovë. Themelimi nga OKB-ja i Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY) në vitin 1993, nuk e ndali dhunën në Bosnje, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë, kur mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë u vranë brenda pak ditësh në korrikun e vitit 1995.

Lexo më shumë  Merkeli shpreh shqetësim të madh për rolin e Muskut në administratën Trump

Madje vetë Milosevic ishte një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, që i dha fund luftës në Bosnje dhe përcaktoi bashkëpunimin me ICTY, duke qenë i sigurt se kjo gjykatë ishte e vdekur që në nisje. Po ashtu edhe aktakuza e Gjykatës së Hagës kundër Milosevic me akuzat për krime lufte në mesin e Luftës së Kosovës në vitin 1999, dukej si aspak imponuese.

Por, Milosevic e kishte gabim. Përkundër shumë përpjekjeve për shmangie të drejtësisë penale ndërkombëtare nga ana e shumë përfaqësuesve të autoriteteve serbe, Milosevic iu dorëzua ICTY-së për gjykim në qershorin e vitit 2001. E njëjta gjë ndodhi me xhelatët politikë dhe ushtarakë në Bosnje, Radovan Karadjic dhe Ratko Mladic.

Më 2 mars 2022, Zyra e Prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare nisi një hetim për krime të mundshme lufte në Ukrainë, i cili u pasua nga formimi i ekipeve të përbashkëta hetimore. Ndërkohë në Ukrainë, autoritetet vendase njoftuan më 12 maj, se janë gati të nisin gjyqet e para kundër tre ushtarëve rusë të akuzuar për krime lufte, dhe se po hetojnë mbi 10.700 akuza të tjera.

“Rrota” e drejtësisë ka nisur të lëvizë. Dhe përgjigja e pyetjes nëse mund të shohim një ditë Putinin dhe gjeneralët e tij para gjyqit, ka ndryshuar nga “kurrë” në “ndoshta”. Ndërsa lufta vazhdon, bota po mëson gjeografinë e krimeve të luftës në Ukrainë.

Ashtu si në Ballkan dhe në konflikte të tjera, natyra skandaloze e dhunës gdhend emrat e qyteteve, qytezave dhe fshatrave në ndërgjegjen globale: Mariupol, Bucha, Borodianka, Kramatorsk, Kherson etj. Të gjitha këto krime po ndodhin para syve tanë, në televizion dhe rrjete sociale.

Por të dëshmosh për një masakër, është diçka shumë e ndryshme nga sigurimi i një përcaktimi ligjor të përgjegjësisë për shkeljet e ligjeve të konfliktit të armatosur (krimet e luftës) apo për krimet e tjera ndërkombëtare si krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin.

Shumë të mbijetuar të konflikteve ballkanike, mbetën krejtësisht të zhgënjyer dhe u ndjenë të tradhtuar nga gjyqet për krimet e luftës në ICTY dhe ato të zhvilluara në gjykatat lokale. Edhe kur dolën para gjyqit, disa nga të akuzuarit ia hodhën me një dënim relativisht të butë ose u shpallën të pafajshëm duke u liruar.

Vlerësimi i çdo procesi gjyqësor është kompleks. Por zhgënjimi me punën e drejtësisë tregon rëndësinë që kanë jo vetëm faktet, por më e rëndësishmja, qëllimi i një veprimi. Pas vizitës së tij më të fundit në Ukrainë, kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, e vuri theksin tek detyra “e rëndësishme e e mbledhjes së gamës së plotë të provave dokumentare, dixhitale, mjeko-ligjore dhe dëshmitare”, dhe rëndësinë e angazhimit me “të gjithë aktorët” në këtë proces.

Lexo më shumë  Kanadaja ia dorëzoi forcave ukrainase sistemin ushtarak NASAMS

Ukraina është aktualisht një vend i grumbullimit të provave të gjera në terren nga një mori aktorësh, duke përfshirë hetues të GJNP-së, hetues ukrainas, ekipe të tjera hetimore ndërkombëtare, organizata të të drejtave të njeriut etj. Përparimet në teknologji e kanë ndryshuar jo vetëm natyrën e informacionit, por edhe vëllimin e informacionit që qarkullon. Por më shumë prova vizuale, të mbledhura nga satelitët, llogaritë e mediave sociale dhe burime të tjera, nuk përkthehen automatikisht në provat më të mira në sallën e gjyqit, dhe këtë e tregojmë në një studim të fundit mbi konfliktet në Ballkan .

Ndërsa provat vizuale, si për shembull imazhet satelitore, luajtën një rol të rëndësishëm në punën e prokurorisë në gjyqe të caktuara në ICTY, në raste të tjera kasetat e fshehta VCR ose nuk mund të pranoheshin si prova, ose i shërbenin më shumë mbrojtjes sesa akuzës, duke e vënë në dyshim punën e prokurorisë.

Fokusi në mbledhjen e provave është i drejtë. Por ky proces duhet të menaxhohet me kujdes për të shmangur pasjen e një mali me informacione, por sërish me pak prova të përdorshme. Raportet për përdorimin e përdhunimit si armë lufte në Ukrainë, kanë prekur shumë gra boshnjakë që kanë rënë dikur pre e dhunës seksuale.

Pavarësisht njohjes së tij si një krim lufte, stigma që rrethon viktimat e dhunës seksuale mund të rezultojë sërish një pengesë për mbledhjen e provave për ndjekje penale dhe sigurimin e dëmshpërblimeve. Shumë gra në Bosnje dhe Kosovë, të cilat iu nënshtruan përdhunimit dhe formave të tjera të dhunës seksuale gjatë luftërave të viteve 1990, nuk kanë marrë ende asnjë kompensim ligjor apo mbështetje financiare, psikologjike dhe sociale që u takon.

30-vitet e fundit në Ballkan janë karakterizuar nga kërkimi i drejtësisë. Në rastin më të mirë, rekordi në këtë aspekt mbetet i përzier. Evolucioni radikal i jurisprudencës penale ndërkombëtare ka sjellë pa dyshim një lloj drejtësie për disa. Por shumë të tjerë mbeten të pakënaqur, madje ndihen të tradhtuar.

Kërkimi për drejtësi dhe kompensim në Ballkan do të vazhdojë si një proces kompleks dhe i çrregullt i trajtimit të trashëgimisë së krimeve të luftës, mizorive dhe gjenocidit. Leksioni ballkanas për Ukrainën nuk është i lehtë. Por është e rëndësishme të theksohet, në mënyrë që të kalibrohen pritshmëritë dhe të hidhen bazat për procesin e gjatë të pajtimit dhe të pranimit të krimeve nga Rusia. Mbi të gjitha, është e rëndësishme të krijohen kushtet për t’i dhënë një shans drejtësisë.

Shënim:Denisa Kostovicova, profesoreshë e asociuar e politikës globale në Institutin Evropian në Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër. Rachel Kerr, lektore mbi luftërat në Kolegjin Mbretëror të Londrës./ abcnews.al

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *