Kosova në Këshillin e Europës, Franca me dy qëndrime “sipas vendit kuvendi”
Ambasadori e Francës në Serbi, Pierre Cochard tha se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është një vendim i njëanshëm, të cilin vendi i tij nuk e mbështet. Sipas asaj që raportojnë mediat serbe, prioritet në këtë rast duhet të jetë dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe se bisedimeve duhet t’u jepet një dinamikë e re.
“Kandidatura për në Këshillin e Evropës është një vendim i njëanshëm dhe ne nuk i mbështesim ato vendime dhe e konsiderojmë dialogun një prioritet. Temë prioritare është edhe çështja e personave të pagjetur. Kjo është prioritet për ne”, – ka thënë ambasadori.
“Ne i kuptojmë aspiratat e Kosovës për t’u bashkuar me institucionet evropiane dhe mirëpresim faktin që ata janë rreshtuar me qëndrimet evropiane në lidhje me Ukrainën. Megjithatë, lëvizjet e njëanshme nuk i lehtësojnë gjërat dhe mund të çojnë në rritjen e tensioneve”, – ka shtuar ai.
Por ndryshe u shpreh pak orë më pas ambasada e Francës në Kosovë në një deklaratë për mediat. Përmes një njoftimi në Facebook, ambasada franceze thotë se vendimi për aplikim në KiE i takon Kosovës si shtet sovran.
“Vendimi për të aplikuar në Këshillin e Evropës i takon Kosovës si shtet sovran. E ardhmja e Kosovës është të bëhet anëtare e tij. Prioriteti aktual është rinisja e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili do të kontribuojë në afrimin e tyre evropian dhe në stabilizimin afatgjatë të Ballkanit.
Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të angazhohen plotësisht në këtë drejtim dhe të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të nxisë tensione”, – thuhet në njoftimin e ambasadës franceze në Prishtinë. /lapsi.al
Rruga Press