Sarrazin pas takimit me Gërvallën: Gjermania do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha institucionet evropiane
I dërguari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka konfirmuar se Gjermania do të mbështesë Kosovën për anëtarësim në Këshill të Evropës.
Ai në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë, pas takimit me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallën, tha se Gjermania do të mbështesë Kosovën në çdo rrugëtim drejt integrimit evropian.
“Ne e njohim Kosovën si shtet të pavarur. Ne do ta mbështesim anëtarësimin e Kosovës në të gjitha institucionet evropiane. Ne jemi pro dhe do ta mbështesim me të gjitha kapacitetet tona aplikimin për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës. Shpresojmë të kontribuojmë në këtë proces”, deklaroi Sarrazin.
Ndërsa, kryediplomatja Gërvalla tha gjatë këtij takimi kanë biseduar edhe për sfidat e rajonit dhe gjendjen gjeopolitike në botë.
Sipas saj, qeveria e re gjermane ka ripërsëritur se pozicioni gjerman do të jetë më aktiv lidhur me sfidat rajonale në Ballkanin Perëdimor.
“Biseduam për një orë për shumë tema të cilat lidhin Gjermaninë dhe Kosovën. Shumë prej temave dhe sfidave të rajonit dhe gjendjes së përgjithshme gjeopolitike në botë. Jemi mirënjohës për përkrahjen e të gjitha qeverive gjermane ndaj Kosovës. Edhe qeveria e re ka ripërsëritur se pozicioni gjerman do të jetë më aktiv lidhur me sfidat rajonale në Ballkanin Perëndimor. Procesi i Berlinit dhe Tregu i Përbashkët Rajonal janë shumë të rëndësishëm për integrimet evropiane”, u shpreh Gërvalla.
Rruga PRess