Baerbock: Ukraina duhet të bëhet anëtare me të drejta të plota e BE-së
Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock gjatë një vizitë në Ukrainë tha se vendi duhet të bëhet anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Europian, por gjithashtu tha se nuk mund të ketë një rrugë të shkurtër për anëtarësim, shkruan BBC.
Baerbock aktualisht ndodhet në Ukrainë dhe ka njoftuar rihapjen e ambasadës gjermane në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev. Ajo tha gjithashtu se Gjermania do të reduktojë importet e naftës ruse.
Rikujtojmë se Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zeleneksyy mbajti ditën e djeshme një video-konferencë me Ursula von der Leyen dhe gjatë bisedës ka njoftuar se ka plotësuar pjesën e dytë të pyetësorit për marrjen e statusit kandidat.
“Unë mendoj se këto përgjigje janë gjithashtu një fitore e vogël për ekipin tonë. Ne presim shqyrtimin dhe konkluzionet e Komisionit Europian. Do të doja që këto përfundime të ishin pozitive, tha Presidenti i Ukrainës.
Nga ana e saj, Ursula von der Leyen vuri në dukje se Komisioni Europian do të punojë shumë për të shqyrtuar pyetësorin e dorëzuar nga Ukraina dhe për të marrë një vendim në qershor të këtij viti.
Rruga Press